Ndërlidhjet

SHTOHEN RASTET ME MENINGJIT, POR ZYRTARËT THONË SE SITUATA SE SITUATA ËSHTË NË KONTROLL


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ditëve të fundit janë shënuar 267 raste të ndezjes së trurit që njihet si meningjit. Megjithë numrin e madh të pacientëve, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se nuk ka nevojë për panik.

Fadil Kryeziu, zëvendësministër i shëndetësisë, tha se kjo ministri është duke u marrë seriozisht me gjendjen e krijuar.
"Ne si Ministri e Shëndetësisë, jemi në gatishmëri të plotë të ballafaqohemi me këtë sëmundje ose epidemi si dhe e kemi shpallur në mediume", tha zoti Kryeziu.

Ai më tej tha se Klinika Infektive është e pajisur mirë me të gjitha medikamentet për parandalimin e mëtejmë të kësaj sëmundjeje.
"Deri tani nuk kemi ndonjë komplikim të rasteve të veçanta. Klinika infektive është e furnizuar mirë me medikamente për këtë periudhë. Ju e dini se ne kemi shpallur gjendje epidemie, kemi ngritur gatishmërinë që të jemi në vrojtim të vazhdueshëm të situatës", tha zëvendësministëri i shëndetësisë.

Fatmire Mulhaxha Kollçaku, kryetare e komisionit parlamentar për shëndetësi, tha se gjendja në shëndetësi është katastrofike. Ajo tha se edhe pas shpalljes së gjendjes së epidemisë së meningjitit, në sistemin shëndetësor mungon aftësia organizative.

"Edhe pse fatmirësisht meningjiti ka një formë më të lehtë, është meningjit viral dhe po trajtohet njëherë për njëherë me sukses, suksesi është aty se fëmijët e fëmijëve të cilët janë prekur duhet të shkojnë në barnatore dhe një pjesë të madhe të terapisë ta blejnë", tha zonja Mulhaxha Kollçaku.

Por lidhur me këtë çështje zëvendësministri Kryeziu pohon se është krejt normale që opozita të mos jetë e kënaqur me punën që bëhet në këtë drejtim.
"Megjithatë unë nuk mund të them se jemi të kënaqur me medikamentet si tërësi. Megjithatë, për rastet si ky, meningjitin seroz ne jemi përkujdesur që të jemi të furnizuar mirë. Prandaj nuk besoj se do të kemi probleme në këtë plan, por edhe në rast se paraqiten këto probleme, qeveria është e përkushtuar të jetë e gatshme ta ndihmojë Ministrinë e Shëndetësisë edhe në këtë drejtim".

Zonja Mulhaxha Kollçaku, nga partia Ora në opozitë, në një takim me gazetarët ka përsëritur kërkesën e grupit parlamentar të kësaj partie, për një seancë urgjente rreth gjendjes në shëndetësi. Ajo gjithashtu ka kërkuar përgatitjen e masave përballë mundësisë së përhapjes së meningjitit.

"Shtrohet pyetja në një gjendje të jashtëzakonshme sa do të jemi në gjendje të përballojmë ne ndonjë epidemi po qe se merr një kahje tjetër?" shtron pyetjen zonja Mulhaxha Kollçaku.

Zëvendësministri i Shëndetësisë Fadil Kryeziu, tha se nëse në Kosovë rritet numri i pacientëve institucionet do të bëjnë ç'është e mundur për trajtimin sa më të përshtatshëm të këtyre pacientëve.

"Sigurisht që Ministria e Shëndetësisë në periudhën vijuese, në ditët që vijojnë do të jetë në gatishmëri të plotë, në përcjellje të kësaj gjendjeje dhe në marrjen e masave adekuate për furnizim edhe me medikamente, edhe për alarmim eventual, në qoftëse shihen rritje jashtë, apo që mund të pretendojmë se del jashtë kontrollit", tha zoti Kryeziu.

Ndryshe numri më i madh i pacientëve të prekur nga kjo sëmundje janë nga viset rurale. Zyrtarët thonë se mënyra më e mirë për ta parandaluar këtë sëmundje e cila bartet në formë të virusit nga njeriu në njeri është pastërtia.



XS
SM
MD
LG