Ndërlidhjet

PËRDORIMI I GJUHËS SHQIPE, SFIDA E QEVERISË SË RE MAQEDONASE


Isuf Kadriu, Shkup

Edhe 5 vjet pas arritjes së Marrëveshjes kornizë dhe miratimeve të ndryshimeve kushtetuese, në përputhje me obligimet që dolën nga kjo marrëveshje, mbeten dilemat nëse është apo jo gjuha shqipe zyrtare në Maqedoni.
Sikur partitë politike, ashtu edhe ekspertët e dy bashkësive më të mëdha etnike, kanë mendime të ndryshme për këtë çështje e cila do të jetë aktuale edhe për qeverinë e re.

"Sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe kushtetutës, mendoj se në nivel të republikës dhe në komunikim me shtete të tjera, zyrtare është vetëm gjuha maqedonase dhe këtu nuk ka aspak dilema", tha eksperti i çështjeve kushtetuese Vllado Popovski.

Ndërsa të kundërtën mendon Mersin Pollozhani, ekspert juridik dhe ish zëvendësministër i Drejtësisë.
"Në parim nuk duhet të ketë pengesa edhe tani. Maqedonia në aspektin gjuhësor është shtet dy gjuhësh, dominohet nga dy gjuhë. Njëra flitet në përqindje gati 2/3, tjetra flitet në një përqindje gati 1/3," tha Mersin Pollozhani.

Përkundër kësaj zoti Pollozhani thotë se aktualisht gjuha shqipe është zyrtarizuar vetëm në nivel lokal dhe kurrsesi në nivel të republikës, dhe kjo sipas tij mund të bëhet vetëm me miratimin e një ligji të veçantë, për përdorimin e gjuhës shqipe.

"Gjuha është zyrtarizuar në nivel lokal. Për shembull para institucioneve të shtetit siç janë gjykatat, nuk ka firma të shkruara në të dy gjuhët, por shkruan vetëm për shembull Gjykata Themelore në Strugë vetëm maqedonisht. Vetëm në nivel, aty ku shqiptarët ose bashkësia etnike e cila ka vetëm mbi 20 përqind, guxon ta përdorë gjuhën e vet si gjuhë zyrtare. Nuk mund të flitet këtu se është gjuhë zyrtare në nivel republike. Kjo duhet të rregullohet me ligj," tha zoti Pollozhani.

Edhe eksperti i të drejtës kushtetuese Vllado Popovski, thotë se përdorimin e gjuhës shqipe në nivel të republikës, e mundëson vetëm miratimi i një ligji të veçantë.

"Me ligj mund të përcaktohet nëse edhe gjuha shqipe do të jetë zyrtare. Pra nëse miratohet një ligj i tillë, atëhere mund të zgjerohet përdorimi i gjuhës shqipe", tha Vllado Popovski.

Gjatë katër viteve të fundit partitë politike shqiptare kanë patur qëndrime të kundërta për këtë çështje.
Partia Demokratike Shqiptare që ishte në opozitë, vlerësonte se me Marrëveshjen e Ohrit gjuha shqipe është gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni. NJë zyrtar i kësaj partie për katër vite e ka bllokuar punën e një komisioni parlamentar, me arsyetim se si kryetar i këtij komisioni, mbledhjet duhej t'i udhëhiqte në gjuhën amëtare. Por këtë atij nuk ja mundësonte rregullorja mbi punën e Kuvendit, e cila të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe ua mundësonte vetëm anëtarëve të komisioneve parlamentare, por jo edhe drejtuesve të tyre.

Nga ana tjetër Bashkimi Demokratik për Integrim kërkonte që çështja e përdorimit të gjuhës të rregullohej me një ligj të veçantë, i cili për shkak të mos harmonizimit të qëndrimeve me partnerin e koalicionit qeveritar, megjithatë nuk u arrit të kalonte për miratim në Kuvendin e Maqedonisë.


XS
SM
MD
LG