Ndërlidhjet

NËNSHKRUHET MEMORANDUMI PËR ARSIMIN E MINORITETEVE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Unionin e Shoqatave Prindër -Arsimtarë dhe Shërbimin Katolik për Ndihmë, ka nënshkruar sot Memorandumin e Mirëkuptimit për edukimin e vajzave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.

Ministri i Arsimit Agim Veliu, me këtë rast ka thënë se qëllimi i qeverisë së Kosovës është që të sigurojë arsimim cilësor për të gjithë qytetarët dhe fëmijët e Kosovës. Me këtë memorandum, zoti Veliu tha se do të rritet për 20 përqind përfshirja e vajzave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në arsim.

“Kam kënaqësinë t'ju komunikoj se projekti një vjeçar do të përfshijë 2 500 familje me rreth 8 mijë fëmijë, do të zbatohet në disa komuna dhe do të zgjasë deri në prill të vitit të ardhshëm”, tha ministri Veliu.

Ministri Veliu ndërkaq ka thënë se ky memorandum duhet patjetër të nxisë interesimin e vajzave të këtyre komuniteteve për shkollim.
“Nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes së mirëkuptimit i shërben këtij misioni të përbashkët, nxit interesimin e të rejave të komunitetit RAE për t'u bërë pjesë e dobishme e familjes dhe shoqërisë kosovare, duke krijuar personalitetet dhe hapësira të reja akademike për jetë më të mirë”, tha ministri Veliu.

Florent Vrainca, kryesues i zyrës së Shërbimit Katolik për Ndihmë, tha se në bazë të hulumtimeve që janë bërë deri më tash mbi arsimin në Kosovë, gjendja e këtyre komuniteteve është më e vështira si në aspektin socio- ekonomik, po ashtu edhe në atë arsimor. Pikërisht për këtë qëllim tha zoti Vrainca, këto komunitete kërkojnë trajtim të veçantë, sistematik dhe afat gjatë.

"Vlerësohet se më shumë se 16 përqind e pjesëtarëve të komunitetit RAE janë analfabetë, 25 përqind femra dhe 8 përqind meshkuj. Për afërsisht ¼ e fëmijëve të këtyre komuniteteve nuk e vijojnë mësimin fillor, ndërsa situata bëhet edhe më serioze në shkollimin e mesëm, ku 78 përqind e femrave dhe 65 përqind e meshkujve gjenden jashtë bankave shkollore," tha zoti Vrainca.

Nderim Bytyqi, drejtor i Unionit të Shoqatave Prindër-Arsimtarë të Kosovës, ka thënë se faza e parë e zbatimit të këtij projekti do të fillojë në shtatë komuna, ku përfshirja e këtyre komuniteteve është më e madhe.

“Këto komuna janë: Prizreni, Gjakova, Ferizaj, Lypjani, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Mitrovica,” tha zoti Bytyqi.

Ruzhdi Hasani, nga komuniteti ashkali, pohon se memorandumi i sotëm do të mundësojë vetëdijësimin e prindërve për të mos ua ndërprerë shkollimin fëmijëve të tyre.

“Dhe me këtë ne shpresojmë se do të avancojmë interesimin dhe vetëdijësimin për këto komunitete dhe kjo është një përkrahje e mirëfilltë nga të gjithë faktorët relevantë,” tha zoti Hasani.

XS
SM
MD
LG