Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: MARRËVESHJA E OHRIT TË MBETET E PANDRYSHUAR


"Sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, le të kujtojmë që u krijua nën rrethana mjaft të vështira dhe përfshinte mjaft kompromise. Dhe nëse nuk do të ketë ndonjë arsye mjaft urgjente dhe të rëndësishme për ta ndryshuar, do t'a kisha lënë kështu siç është për një kohë të gjatë sepse nëse dikush do të kërkonte një ndryshim, dikush tjetër do kërkonte një ndryshim tjetër dhe kam frikë se e gjithë ajo që është krijuar deri tash do të shkatërrohej përsëri", thotë, pos tjerash, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
U mbushën 5 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni. Si e vlerësoni zbatimin e tërësishëm të kësaj marrëveshjeje?

PATRICK MOORE
Le të shohim aspektin pozitiv dhe të nxjerrim në pah që luftimet përfunduan lidhur me këtë marrëveshje dhe me përjashtimin e një incidenti të rastësishëm, i cili mund të jetë më shumë i natyrës kriminale sesa politike, ne ende kemi një situatë paqësore në Maqedoni. Problemi është si në filmat e vjetër ku shihni një dhomë të madhe e të bukur me një qilim shumë të bukur në dysheme, por pastaj dikush e ngre qoshen e qilimit dhe sheh që ka një papastërti apo rrëmujë të madhe nën të. Mendoj se ky është problemi me paqen në Maqedoni. Ka ende shumë probleme nën sipërfaqe që ende nuk janë shqyrtuar realisht, ende kemi një shtet jo shumë të integruar, ende ka shoqëri paralele për shembull, ende ka korrupsion. Pra ka ende shumë probleme që po presin të shqyrtohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, aktualisht kemi disa tensione në Maqedoni, për shkak të përbërjes së qeverisë së re, në të cilën nuk ka vend për BDI-në, që fitoi më së shumti deputetë nga partitë shqiptare, por në qeveri do të jetë PDSH-ja. Si e komentoni këtë zhvillim?

PATRICK MOORE
Këto janë çëshje të politikave të koalicionit, të cilat i keni në shumë vende të botës. Nganjëherë ka koalicione qeveritare të thjeshta, që megjithatë duan shumë kohë që të formohen si në Gjermani, për shembull. Ka vende që janë shumë të njohura për politikën e komplikuar të koalicioneve qeveritare, si Izraeli dhe Italia. Ajo që është në Maqedoni është një situatë ku BDI-ja, e cila fitoi shumicën e votave, është e mbyllur në një koalicion me socialdemokratët, të cilët humbën zgjedhjet ndër votuesit maqedonas dhe nuk patën mundësi që të formonin koalicionin qeveritar. Nga ana tjetër kemi WMRO-DPMNE-në, e cila fitoi më shumë vota nga votuesit maqedonas, por partneri i saj i koalicionit është PDSH-ja. Nëse BDI-ja nuk është e lumtur për këtë, mendoj që në bazë të ligjeve më normale të koalicionit në vendet më normale do të ishte e udhës që BDI-ja ti qasej WMRO-DPMNE-së dhe të ofronte një marrëveshje më të volitshme. Por le të kujtojmë edhe diçka tjetër. Nëse duket se janë dy partnerë koalicioni nga njëra anë dhe dy partnerë koalicioni nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të zgjatë përgjithmonë. Pra le të kujtojmë që politika e koalicioneve ka rregullin e parë kryesor që gjithçka është fluide.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, a ka ndonjë hapësirë për përmirësimin e Marrëveshjes politike që e përmendëm më parë?

PATRICK MOORE
Dua të kthehem tek metafora e qilimit që mbulon shumë probleme dhe te çështja e politikës së koalicionit. E shohim që në politikën e Maqedonisë dhe në qeverinë e saj ekziston diçka që në politikën amerikane do të thotë se fituesi merr gjithçka. Në Maqedoni ka një qasje të famshme që e njohim nga shtetet e pavarura ballkanike të shekullit të 19-të dhe së fundit nga Amerika Latine, që kur një parti fiton zgjedhjet dhe fiton një mandat për të qeverisur, kjo ndiqet me pushimin nga puna të të gjithë punonjësve të partive të kaluara nga i pari te i fundit dhe punësimin e njerëzve të vet. Kemi shembuj nga një shtet i Amerikës Latine, ku me ndryshimin e partive në pushtet, edhe postierët e mëparshëm u pushuan dhe u zëvendësuan me postierët e partisë që fitoi pushtetin. Në Maqedoni pamë pas zgjedhjeve të mëhershme, që ministria që kishte në ngarkim aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, e largoi nga puna një numër të punonjësve në aeroport dhe i zëvendësoi me të tjerë. Në një shtet modern, në një shtet ligjor funksional kjo gjë nuk do të ndodhte kurrë. Do të kishte një procedurë civile nga e cila do të priteshin patjetër ndryshime në nivelet e larta drejtuese, por jo deri te punonjësit më të thjeshtë të aeroportit apo të shërbimit të postës. Kjo është një nga gjërat në të cilën duhet të punohet. Por, sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, le të kujtojmë që u krijua nën rrethana mjaft të vështira dhe përfshinte mjaft kompromise. Dhe nëse nuk do të ketë ndonjë arsye mjaft urgjente dhe të rëndësishme për t'a ndryshuar, do ta kisha lënë kështu siç është për një kohë të gjatë sepse nëse dikush do të kërkonte një ndryshim, dikush tjetër do kërkonte një ndryshim tjetër dhe kam frikë se e gjithë ajo që është krijuar deri tash do të shkatërrohej përsëri.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG