Ndërlidhjet

M. MUSTAFA: STATUSI I PAPËRCAKTUAR NDIKON NEGATIVISHT NË INVESTIME


Muhamet Mustafa, kryetar i Institutit për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST"

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, gjendja ekonomike në Kosovë cilësohet si e rëndë me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë së përgjithshme. Cilat janë mundësitë për përmirësimin e kësaj gjendjeje?

MUHAMET MUSTAFA
Mundësitë para se gjithash qëndrojnë në një analizë kritike të politikave ekonomike ekzistuese dhe identifikimin e problemeve që ndërlidhen më këto politika dhe me kapacitet e zbatimit të politikave dhe ligjeve, në mënyrë që mjedisi biznesor në Kosovë të përmirësohet.
Hulumtimet tona që i bëjmë më ndërmarrjet e vogla dhe të mesme tregojnë se barrierat kryesore më të cilat ballafaqohen këto ndërmarrje, tregojnë që kanë të bëjnë me një mjedis ende turbulent biznesor, e që lidhet më një problem kryesor që ka të bëjë me zbatimin e shtetit ligjor.
Kjo është çështja, pra zbatimi i shtetit ligjor apo ndërtimi i shtetit ligjor dhe rritja e kapaciteteve për të ndërtuar një shtet ligjor në Kosovë. Kjo do të thoshte përmirësim të ambientit konkurrues. Pra se konkurrenca jo e drejtë mbetet problemi numër një.
Barrierat administrative një problem i rëndësishëm, qasja tek financat problem tjetër, problemet me taksat, shërbimet publike, të gjitha këto lidhen me veprimin e shtetit ligjor.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë, por edhe vendorë, kanë tërhequr vërejtjen se vitin e ardhshëm, kriza ekonomike në Kosovë mund të thellohet për shkak të zvogëlimit të pranisë ndërkombëtare. Si i vlerësoni ju këto pohime?

MUHAMET MUSTAFA
Unë mendoi se ato janë të ekzagjeruara, natyrisht se do të ketë një ndikim. Mirëpo unë mendoj se në Kosovë do të ndodhë një ndryshim. Deri tash prezenca e bashkësisë ndërkombëtare në një numër ka qenë në aspektin e administrimit. Këta njerëz që kanë qenë këtu, këta kanë shpenzuar më shumë dhe e kanë rritur kërkesën dhe ajo ka ndikim në gjendjen e biznesit në Kosovë.
Mirëpo, prezenca e administratës ndërkombëtare në Kosovë do të transformohet prej një administratori, në një prezence që ka ndikim zhvillimor. Kështu që unë besoj se transformimi i këtij roli të bashkësisë ndërkombëtare nga një administrator në një prezencë më të madhe, do të ketë efekte më të mëdha zhvillimore, në sajë të përcaktimit të statusit të Kosovës dhe ardhjes së investitorëve strategjikë. Unë mendoj se do të zëvendësojë këtë problem të rënies së numrit të ndërkombëtarëve që punojnë në UNMIK dhe jetojnë në Kosovë. Unë besoj se mund të ketë një problem afat shkurtër, por nuk e shoh shumë dramatike atë situatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Fondi Monetar Ndërkombëtar disa herë ka dhënë rekomandime për qeverinë e Kosovës mbi mënyrën se si ajo menaxhon me buxhetin e konsoliduar. Sa mund të bëjë në fakt qeveria me një buxhet të kufizuar?

MUHAMET MUSTAFA
Problemi qëndron pikërisht në strukturën e këtij buxheti. Në strukturën e buxhetit ne kemi më tepër paga dhe shpenzime për shërbime dhe mallra dhe më pak investime publike. Një ndër çështjet që duhet të ndryshohet është, ndryshimi i kësaj strukture, që në buxhet të ketë më shumë para për investimet publike të rritet përqindja në investimet publike dhe të zvogëlohet e shërbimeve, mallrave dhe e pagave.
Për momentin përqindja e pjesëmarrjes së pagave në buxhetin e Kosovës është dikund më e larta në rajon. Mirëpo ekzistojnë edhe kapacitete absorbuese në institucionet e Kosovës, ju keni parë sivjet se shpenzimi i buxhetit në këtë vit është shumë i ulët tek investimet publike dhe tash neve na del se buxheti i Kosovës ka një suficit, ka tepricë të parave të pashpenzuara. Nuk janë shpenzuar investimet. Mosshpenzimi i investimeve do të thotë më pak rrugë, më pak përmirësim në spitale, më pak përmirësim në shkolla dhe kjo ndikon negativisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekspertët dhe zyrtarët vendorë pohojnë se statusi i papërcaktuar i Kosovës është faktori kryesor që ka ndikuar në gjendjen aktuale ekonomike. Por, autoritetet ndërkombëtare thonë se edhe pas zgjidhjes së statusit, nuk duhet pritur ndonjë mrekulli në këtë drejtim. Deri në ç’masë ndikon statusi i pazgjidhur në zhvillimin ekonomik?

MUHAMET MUSTAFA
Statusi ndikon në disa drejtime negativisht. Së pari ndikon në pasigurinë e investitorëve lidhur me arazhmanet politike dhe ardhmërinë e një vendi, në qoftë se një vend nuk e ka të qartë se a do të jetë shtet, apo do të jetë protektorat, ose do t’ i bashkohet një shteti tjetër.
Investitorët kanë pasiguri dhe asnjë investitor serioz nuk vjen, gjoja që është provuar në Kosovë, që shtatë vjet ne nuk kemi një investim serioz.
Derisa sa Kosova nuk e zgjidh statusin, nuk ka marrëdhënie normale më institucionet financiare ndërkombëtare. Asnjë shtet i pazhvilluar nuk mund të zhvillohet me sukses, nëse nuk ka qasje në tregun financiar, ne po e shohim ritmin e zhvillimit të Kosovës.
E treta ka të bëjë me përkufizimin e një përgjegjësie mbi qeverisjen ekonomike në Kosovë. Derisa nuk janë arazhmanet e qarta politike, ne nuk e kemi përgjegjësinë e qartë se kush është përgjegjësi numër një për zhvillim ekonomik. Ju e shihni se kur të diskutohet për përgjegjësinë, ndodh që përgjegjësia të lëvizë në disa akterë, UNMIK-u thotë se përgjegjës është qeveria e Kosovës se nuk punon mirë, ndërkaq qeveria thotë se AKM- ja, ose shtylla e IV ose një tjetër subjekt thotë që ne nuk jemi përgjegjës dhe s'i kemi kompetencat. Dhe tash qytetarët dhe parlamenti i Kosovës, nuk dinë se kë të thërrasin për përgjegjësi pse nuk ka rrymë të mjaftueshme, pse janë të shtrenjta shërbimet telefonike, pse shërbimet nuk janë të mira.
Dhe në këtë drejtim statusi e zgjedh këtë dilemë, do të thotë bëhet përgjegjëse qeveria e Kosovës dhe roli i bashkësisë ndërkombëtare do të jetë monitorues. Kështu që në tre drejtime zgjidhja e statusit është shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ndërsa është fakt se problemet që ekzistojnë në nivelin e zhvillimit ekonomik dhe në matricat sociale të Kosovës do të mbeten të njëjta, mirëpo mjedisi për të adresuar ato probleme dhe mundësitë për adresuar ato probleme ndryshojnë në mënyrë dramatike dhe shpresoj në aspektin cilësor.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy fenomene më të përfolura, për të cilat thuhet se kanë ndikuar drejtëpërsërdrejti në situatën ekonomike. Sa në fakt është ndikimi i këtyre dukurive?

MUHAMET MUSTAFA
Mendoi se çështja rreth korrupsionit duhet të jetë shumë më serioze.
Edhe kjo prap lidhet me atë që thashë në fillim, me shtetin ligjor. Por luftimi i korrupsionit lidhet edhe me qëndrimin e korrupsionit që ka opinioni, që kanë qytetarët, shoqëria civile dhe mediat.
Dhe qëndrimi refuzues ndaj korrupsionit, një qëndrim i shoqërisë kosovare që po më duket se është në rritje edhe në media, që shoqëria të ketë një intolerancë ndaj korrupsionit, ajo është esenciale. Dhe ajo intolerancë duhet të kërkojë përgjegjësi nga gjyqësori nga ekzekutivi dhe nga tjetër që aferat korruptive të zbulohen, të ndriçohen dhe të dënohen.
Ju e dini se në Kosovë, kanë filluar disa herë afera korruptive, po nuk kanë përfunduar. Ndërkaq tani opinioni nuk e di a ka qenë vërtet korrupsion, sepse janë ndalur në mes. Kjo është mënyra më e keqe e qasjes në luftën kundër korrupsionit. Në qoftë se një qasje fillon, ajo duhet të ndriçohet, ose duhet t’i kërkohet falje atij që është akuzuar pa të drejtë, do të thotë dinjiteti i tij duhet të vihet në vend, ose ai që akuzohet duhet të marrë atë që e meriton.
Kjo është një, gjyqësori dy, intoleranca e shoqërisë dhe e mediave duhet të rritet dhe duhet të dënohen njësoj si ata që ofrojnë korrupsionin dhe si ata që përfitojnë nga korrupsioni, sepse korrupsioni i ka dy anët.


INTERVISTOI: NADIE AHMETI




XS
SM
MD
LG