Ndërlidhjet

STEPHAN LEHNE KËRKON QË DELEGACIONI I KOSOVËS TË PËRMIRËSOJË OFERTËN PËR PAKICAT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Thirrjet drejtuar lidershipit të Kosovës për të përmirësuar ofertën për pakicat dhe zgjidhjet që do të ofrohen në fushën e ekonomisë në kuadër të pakos së statusit të Kosovës, kanë qenë interesimet kryesore të dërguarit të Bashkimit Evropian për statusin e Kosovës, Stephan Lehne gjatë vizitës që po i bën Kosovës.

Lehne tha se ai së bashku me presidentin Marti Ahtisari, do të bashkëpunojnë me autoritetet kosovare për t’i përgatitur dokumentet nga fusha e ekonomisë që mund të përfshihen në zgjidhjen e statusin final të Kosovës. Sidoqoftë, Lehne tha pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin, se me përfaqësuesit kosovar ai është duke diskutuar edhe aspektet e tjera, të cilat janë në agjendën e bisedimeve të zotit Ahtisari.

Diplomati austriak Lehne, tha se procesi i bisedimeve po hyn në fazën përfundimtare, dhe për këtë arsye ai i ka kërkuar Prishtinës të përmirësojë edhe më tutje ofertën e vet për pakicat në Kosovë:

“Mendoj se procesi tani është duke u futur në fazën përfundimtare dhe unë mendoj se vizita e Ahtisarit është shumë e rëndësishme dhe po ashtu mendoj se ai do të japë mesazhe shumë të qarta për Ekipin e Unitetit dhe se ai beson se oferta për komunitetet në Kosove duhet të përmirësohet ende”, tha Lehne. Unë i inkurajoj liderët kosovarë që të angazhohen shumë seriozisht me Marti Ahtisarin dhe propozimet e tij lidhur me komunitetet, theksoi Lehne.

Në anën tjetër, Hashim Thaçi tha se angazhimi i Bashkimit Evropian është mjaft i rëndësishëm në këtë fazë të zhvillimit të procesit negociues për zgjidhjen përfundimtare të statusit politik për Kosovën, si shtet i pavarur dhe sovran.

Thaçi tha se pala kosovare kërkon dinamizmin e procesit, në mënyrë që statusi i Kosovës të përmbyllet gjatë këtij viti. Ai tha se pret përparime në bisedimet për decentralizimin dhe çështjet e tjera në agjendën e bisedimeve, duke e mirëpritur dhe vizitën për këtë qëllim të Ahtisarit në Kosovë. Përmbyllja e procesit të statusit e sjell Kosovën në një fazë të tjetër të qeverisjes nga vetvetja, ku do të ketë dhe një rol të Bashkimit Evropian, theksoi Thaçi:

“Tani Kosova po hyn në fazën e formësimit të qeverisjes së vetvetes dhe bartjes së plotë të autoritetit prej UNMIK-ut te autoritet vendore, por edhe në anën tjetër Kosova mirëpret prezencën e lehtë ndërkombëtare dhe ndihmesën për funksionimin më demokratik dhe
efektiv të institucioneve, pas zgjidhjes së statusit. Kështu që jam optimist se edhe pas kësaj do të ecim bashkërisht me komunitetin ndërkombëtar në procesin e demokratizimit të vendit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit në strukturat evropiane, por edhe të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në strukturat veri-atlantike”, tha Thaçi.

Ndërkohë që Lehne tha se kërkon nga kosovarët të vazhdojnë me zbatimin e standardeve dhe krijimin e një shoqërie shumë etnike. Lehne gjatë kësaj vizite ka zhvilluar takime të mbyllura edhe me përfaqësues të tjerë kosovarë dhe grupin për ekonomi në kuadër të ekipit negociues.




XS
SM
MD
LG