Ndërlidhjet

BRITANIKËT GJITHNJË E MË SHUMË EMIGROJNË JASHTË VENDIT


Jan JUN

Ndërsa numri i emigrantëve në Britani po arrin nivele rekorde, vetë britanikët thonë se gjithnjë e më shumë ëndërrojnë të emigrojnë jashtë vendit.

Të frustruar nga rritja e çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike, nga taksat e larta, nga shkalla e lartë e krimit dhe rënia e standardit arsimor, shumica vendosen në Australi, Kanada apo Spanjë.
Disa, të joshur nga reklamat televizive për pronat e lira, shkojnë në vendet e Evropës Qendrore si Poloni, Çeki, Hungari apo Rumani. Ndërkaq disa fermerë madje janë vendosur edhe në Rusi.

Për çdo vit, në Britani vijnë rreth 250 mijë migrantë të rinj, ndërsa vetëm në dy vitet e kaluara janë vendosur mbi 600 mijë. Por njëkohësisht mijëra britanikë e lëshojnë vendin.
Statistikat e fundit tregojnë se rreth 360 mijë britanikë janë larguar vetëm gjatë vitit 2004, ndërsa numri i tyre vazhdon të rritet.
Anketat tregojnë se shumica e britanikëve ëndërrojnë të jetojnë jashtë vendit.

Një studim i fundit i kompanisë ICM zbuloi se 54 përqind e njerëzve e kanë shqyrtuar çështjen e emigrimit. Pothuaj në çdo rrugë të Londrës do të gjesh njerëz që thonë këtë mendim. Bernie është një avokate 46 vjeçare.

"Unë e kam konsideruar këtë vetëm për një jetë më të mirë. Biri im gjithashtu. Ai është i ri, 24 vjeç. Është i punësuar por e ka shqyrtuar emigrimin. Mendoj se dëshira për t'u larguar është më e fortë në periudha të caktuara të vitit, sidomos kur është moti i keq dhe gjithçka jashtë të duket më e mirë", thotë Bernie.

Rreth 13 përqind e të anketuarve kanë shfaqur shpresën për të jetuar jashtë në një të ardhme të afërt. Numri i tyre është pothuaj dyfish sa në vitin 2003. Një e katërta e atyre që do të largoheshin menjëherë janë të rinj.

Disa thonë se jeta jashtë është thjesht më e mirë. Të tjerët fajin e shohin te përkeqësimi i cilësisë së jetës në Britani. Ata i theksojnë çmimet e larta, taksat e larta dhe rritjen e shkallës së kriminalitetit.

56 vjeçarja Judy është nënpunëse në bankë. Ajo thotë se po të ishte më e re do të emigronte për shkak të gjendjes së përkeqësuar ekonomike dhe sociale.
"Po të isha 15 vjet më e re, do ta konsideroja seriozisht emigrimin. Përse? Sepse mendoj se gjendja në Angli është përkeqësuar. Mendoj se Partia Laburiste në pushtet nuk ka bërë asgjë të mirë për vendin dhe jam totalisht e dëshpëruar", thotë Judy, duke përfunduar se po t'i jepej rasti, do të emigronte në Amerikë.

Zyra e Jashtme ka vlerësuar se tashmë janë rreth 5 milionë britanikë që jetojnë jashtë vendit. Rreth 600 mijë kanë emigruar në Australi, rreth 200 mijë jetojnë në Spanjë dhe po aq në Francë. Jashtë Evropës, Kanadaja dhe SHBA-të janë më të preferuarat.

Harry, një kalimtar tjetër në rrugët e Londrës, punon në një agjenci për shitblerjen e pasurive të patundshme. 38-vjeçari thotë se një kohë dëshironte të emigronte në Kanada.
"Një herë kur isha i ri e konsiderova që të shkoj në Vankuver të Kanadasë. Por nuk shkova për shkak të familjes së gruas sime, apo të them ndryshe për arsye familjare", thotë Harry.

Ai thotë se planifikon që kur të dalin në pension bashkë me gruan, të emigrojnë diku ku është më ngrohtë. Harry nuk është i vetmi që mendon ditët e pensionit t'i kalojë jashtë. Ai është joshur nga programet televizive që reklamojnë shtëpi në Itali, Portugali, Gjermani apo Austri. Anketimi i fundit tregoi se rreth 30 përqind e britanikëve kanë plane të ngjashme për ditët e pensionit.

Disa britanikë madje janë vendosur në lindje, si Poloni, Çeki apo Rumani. Stephen Weeks, 50 vjeç, është shkrimtar dhe sapo është vendosur në Çeki.

"Në Britani fillova të mos ndihem i lumtur. Më duket sikur po shkoja në kahje të gabuar. Thjesht desha të bëj një ndryshim të madh në jetën time, dhe të shkoj diku ku mund të reflektoja për atë që një herë ishte vendi im", thotë Weeks. Ai thekson se gjenerata e vjetër, tolerante dhe energjike e të atit, në Britani tashmë nuk ekziston.


XS
SM
MD
LG