Ndërlidhjet

PRISHTINA MBAN QËNDRIMIN E MËPARSHËM LIDHUR ME ÇËSHTJET TEKNIKE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Delegacioni i Kosovës për statusin ka shqyrtuar sot çështjet e hapura në procesin negociues, pas takimeve të zhvilluara javën e kaluar me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. Zgjidhja për Mitrovicën, përcaktimi i kufijve të komunave, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave, kanë qenë temat e shqyrtuara në takimin e sotëm të delegacionit kosovar.

Zëdhënësi i ekipit negociues, Skënder Hyseni tha se Prishtina mbetet në pozicionet e mëhershme. Ndërsa kërkohen zgjidhje të pranueshme për çështjet e përcaktuara si praktike, të biseduara ndërmjet palës kosovare dhe Marti Ahtisarit, sa i përket vetë përcaktimit të statusit të Kosovës, Hyseni tha se Prishtina nuk pret që të arrihet ndonjë marrëveshje me Beogradin:

“Nuk presim se mund të arrihet ndonjë marrëveshje, çfarëdo qoftë ajo, me Beogradin. Jam i sigurt dhe ekipi negociues insiston në një marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare përkatësisht me UNOSEK-un, për të gjitha çështjet e veçanta të pakos së statusit, por edhe për vetë pakon e përgjithshme. Nuk mendojmë se është shumë e shëndetshme që t'i imponohet Kosovës një zgjidhje çfarëdo qoftë, sepse në fund të fundit janë institucionet e Kosovës dhe populli i saj ata që do të duhej të implementojnë zgjidhjen”, tha Hyseni.

Zëdhënësi Hyseni tha po ashtu se delegacioni i Kosovës nuk e ka ndryshuar qëndrimin e vet lidhur me zgjidhjen e ofruar për Mitrovicën. Ndërsa Ahtisari tha javën e kaluar se Mitrovica mbetet çështja më delikate e gjithë procesit negociues, Hyseni tha se qëndrimi rreth çështjes së Mitrovicës nuk ka ndryshuar, pasi propozimi i palës kosovare, sipas tij, zgjidh të gjitha shqetësimet e komunitetit serb në atë pjesë dhe në të njëjtën kohë krijon predispozita të forta për qetësi në atë pjesë të Kosovës:

“Qëndrimi i përgjithshëm për Mitrovicën nuk ka ndryshuar absolutisht.dhe mos të presë askush se do të ndryshojë qëndrimi i Prishtinës në lidhje me Mitrovicën. Kjo, sepse për këtë qytet ekipi i unitetit ka bërë një propozim shumë imagjinativ, që e zgjidh problemin e adresimit të problemeve të komunitetit serb në atë pjesë të Kosovës, por në të njëjtën kohë krijon predispozita të forta për qetësi dhe stabilitet në atë pjesë të Kosovës. Eventualisht përmes një bordi administrativ të përkohshëm ndoshta arrihet dhe integrimi i ardhshëm i qytetit", tha zoti Hyseni.

Decentralizimi i pushtetit dhe oferta për pozitën e komuniteteve pakicë, nuk e dëmton funksionimin e institucioneve qendrore, ka thënë Skënder Hyseni. Sipas tij, me pakon e decentralizimit synohet adresimi i disa shqetësimeve të komuniteteve pakicë të Kosovës.


Në orët e mbrëmjes delegacioni për statusin është mbledhur për herë të dytë gjatë ditës së sotme, duke finalizuar të gjitha përgjigjet e kërkuara nga Ahtisari lidhur me decentralizimin dhe pozitën e pakicave.

Zëdhënësi Hyseni tha se delegacioni është pajtuar që komunat e Kosovës të mund të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me komunat dhe institucionet jashtë Kosovës.

"Komunat e Kosovës individualisht kanë të drejtë të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë me institucionet dhe komunat jashtë Kosovës. Për shembull, asgjë nuk duhet ta pengojë komunën e Prishtinës të bashkëpunojë me Tiranën, ose me Beogradin, ose me Athinën. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për komunat me shumicë serbe, sepse në fund të fundit është Konventa e Madridit që e garanton këtë dhe është Karta Evropiane për vetëqeverisje lokale", tha zoti Hyseni.

Ekipi Negociues ka shprehur gatishmëri të ofrojë kompetenca të shtuara për komunat në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, kurse ende i ka lënë të hapura diskutimet për kompetencat që komunat do t’i kenë në polici e gjyqësi. Prishtina zyrtare ka ofruar formulën 5 plus 1, për formimin e komunave të reja me shumicë serbe në Kosovë.

Kryendërmjetësi ndërkombëtar Ahtisari tha javën e kaluar se si Prishtina ashtu edhe Beogradi, duhet të tregohen të gatshme për koncesione të mëtutjeshme. Për të parë se deri ku mund të lëvizë pala kosovare nga pozicionet e prezantuara gjatë takimeve me të, Ahtisari i ka kërkuar palës kosovare që t’i dërgojë me shkrim përgjigjet për këto çështje të hapura, përgjigje këto që Marti Ahtisarit i janë dërguar sonte nga delegacioni i Kosovës.



XS
SM
MD
LG