Ndërlidhjet

MBAHET RAUNDI I RI I BISEDIMEVE PËR DECENTRALIZIMIN NË VJENË


Beqë Cufaj, Vjenë

Në Vjenë të Austrisë sot kanë vazhduar bisedimet shqiptaro serbe për çështjet e decentralizimit. Në pushimin e drekës delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi nuk kanë pranuar të prononcohen për media, pos njërit prej udhëheqësve të delegacionit serb, këshilltarit të kryeministrit Koshtunica, Sllobodan Samarxhiq.

Samarxhiqi mediave të pranishme u deklaroi se sipas parashikimeve të bëra që më parë në Beograd, drafti i ofruar për çështjet e përgjithshme të decentralizimit nga zyra e zotit Ahtisari dhe sot nga zoti Rohan, i cili është duke moderuar këtë takim, nuk i plotëson kërkesat dhe dëshirat serbe për çështjen e decentralizimit.
Sipas Samarxhiqit pala serbe ka kërkuar shumë më tepër, kur është në pyetje krijimi i të ashtuquajturit etnitet serb në Kosovë.

Në anën tjetër, nga përfaqësuesit shqiptarë në delegacionin e Kosovës është mësuar se pala shqiptare nuk është e autorizuar që të diskutojë jashtë draftit, i cili është tashmë i njohur edhe për opinionin në Kosovë. Domethënë e tëra është duke u sjellur rreth asaj që mund të quhet lexim i këtij drafti, që është duke u bërë nga zoti Rohan dhe vërejtje nga pala serbe dhe nga pala shqiptare.

Në këtë kontekst derisa pala serbe nuk është e interesuar që të jetë konstruktive, për çështjen në fjalë pala shqiptare ka bërë të ditur se jashtë normave të parashtruara që më parë në këtë draft, nuk do të diskutohet.

Duhet theksuar se deri tani janë diskutuar çështjet e përgjithshme të vetadministrimit lokal në komunat serbe si dhe çështjet që kanë të bëjnë me shëndetësinë. Më vonë pritet të diskutohen edhe çështjet që kanë të bëjnë me financimin e këtyre komunave, me sigurimin social, si dhe me çështjet e arsimit.

XS
SM
MD
LG