Ndërlidhjet

FILLOI PROCESI I BRENDSHËM ZGJEDHOR NË LDK


Zijadin Gashi, Prishtinë

Lëvizjet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë qenë të pritura, edhe pse ato janë zhvilluar me vonesë, thotë analisti politik Shkëlzen Maliqi.

Që nga vdekja e presidentit Ibrahim Rugova, LDK-ja udhëhiqet nga kryesia dhe ato struktura që në kohën e Rugovës ishin lënë anash, thotë Maliqi, ndërkohë që njerëzit, kushtimisht thënë të afërt me presidentin e ndjerë Rugova sipas Maliqit, të cilët edhe pse nuk ishin pjesë e strukturave udhëheqëse partiake drejtonin LDK-në deri në këtë fazë. Tani ndarja në dy rryma, sipas Maliqit, është rezultat i zhvillimeve disavjeçare në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

"Lidhja Demokratike e Kosovës prej kohësh, edhe kur ka qenë gjallë presidenti Ibrahim Rugova, e ka vonuar modernizimin dhe konstituimin e partisë, pra zgjedhjen e një udhëheqësi legjitim. Tani natyrisht udhëheqja që ka qenë e përkohshme i ka marë frenat në dorë dhe kontrollon momentalisht LDK-në dhe të shohim dy tre muajt e ardhshëm se si do të shkojë procesi. Megjithatë kjo forcë do të stabilizohet, edhe pse ka natyrisht konkurentë për pushtet, sidomos ato strukturat joformale që deri vonë e kanë kontrolluar këtë parti, pa qenë të përfaqësuara në vetë udhëheqjen e partisë", thotë Shkëlzen Maliqi.

Analisti Maliqi thekson gjithashtu se në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka një lloj rivaliteti ndërmjet pjesës më të madhe të kryesisë aktuale dhe strukturave të tjera, që tani janë të lidhura përreth Nexhat Dacit. Ndërsa LDK dikur drejtohej nga strukturat joformale, tani kryesia sikur u hakmerret këtyre strukturave thotë Maliqi. Sipas tij gara e filluar për kryetarin e ri të LDK-së ndërmjet Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit, mund të rezultojë edhe me fraksione që do të prodhonin subjekte të reja politike, të cilat do të buronin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

"Udhëheqësit që që para 16-17 vjetëve janë kyçur në parti dhe kanë pritur shumë vite që të respektohen, tani mendoj se ata do ta fitojnë shumicën dhe me propozimin e Fatmir Sejdiut për kandidat, ata mendojnë se do t'ja dalin kësaj.Kurse pres që nga rryma tjetër, megjithatë ta shkëputë një pjesë të anëtarësisë sepse me gjasa kjo parti në perspektivë, ndoshta jo menjëherë do të ndahet së paku në dy fraksione, në dy parti", thotë Shkëlzen Maliqi.

Ndryshe, sot ka filluar edhe zyrtarisht fushata e brendshme zgjedhore në LDK. Kjo fushatë do të zgjatë afërsisht 3 muaj dhe do të përmbyllet me mbajtjen e Kuvendit zgjedhor, nga i cili pritet të dalin strukturat udhëheqëse të partisë. Sidoqoftë vëmendjen e opinionit më tepër e tërheq gara që do të zhvillohet mes Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit, për kryetarin e ri të partisë, e cila që nga formimi i saj, është drejtuar vetëm nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova.

XS
SM
MD
LG