Ndërlidhjet

ÇEKU: SERBËT DO TË VETËQEVERISIN PËRMES DECENTRALIZIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kosova ka potencial që të ndërtojë një shoqëri ku të gjitha komunitetet do të jetojnë të lira dhe ku do të respektohen të drejtat e tyre, ka thënë sot kryeministri Agim Çeku, gjatë një konferencë të organizuar nga Partneriteti Kosovar dhe Qendra për Menaxhim të Krizave, që si temë kishte trajtimin e çështjes së integrimit të minoriteteve në Kosovë.

Kryeministri Çeku tha se në Kosovë gjatë këtyre shtatë viteve të fundit është krijuar një realitet krejt i ri, por ky realitet nuk pranohet ende nga ana e komunitetit serb. Në këtë aspekt, Çeku tha se institucionet e Kosovës u ofrojnë garanca të plotë komuniteteve, posaçërisht atij serb, se të drejtat e tyre në Kosovë do të respektohen dha garantohen me ligj.

Vizioni ynë për Kosovën është që Kosova të jetë një vend normal, demokratik, multi-etnik, modern, funksional, ekonomikisht i qëndrueshëm dhe me marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, tha Çeku. Kosova ka potencial që ta ndërtojë një shoqëri të tillë, si dhe ka potencial që ta udhëheqë një vend të tillë, theksoi kryeministri kosovar:

“Por, të vetmit që nuk besojnë, fatkeqësisht, janë komuniteti serb dhe përgjithësi shteti i Serbisë, që Kosova është bërë e tillë. Për këtë arsye sfida më e madhe e jona është që t'i bindim komunitetet, në radhë të parë, atë serb, që Kosova është edhe e tyre. Integrimi, akomodimi i komunitetit serb është segmenti i vetëm që ka mbetur ende pa u bërë dhe procesi i bisedimeve pikërisht ka të bëjë me këtë. Përmes këtij procesi ne dëshirojmë të dëshmojmë që serbët e Kosovës kanë të ardhme në Kosovë”, tha Çeku.

Qeveria e Kosovës dhe popullata shumicë, shtoi Çeku dëshiron që t’i akomodojë serbët në Kosovë dhe me bisedimet në Vjenë është duke u ofruar atyre hapësirë dhe mekanizma konkretë që ata të ndihen të sigurt dhe të barabartë me të tjerët pas përcaktimit të statusit.

“Përmes decentralizimit pjesa dërrmuese e serbëve do të vetëqeverisin me vetëveten, në kuadër që kompetencave për vetëqeverisje lokale. Gjithashtu do të kenë vende të garantuara në parlament, qeveri në institucionet e Kosovës. Me kushtetutën dhe ligjet do të garantohen të drejtat e tyre për gjuhë, për arsim, për shëndetësi dhe të gjitha të drejtat e tyre që i takojnë komunitetit”, pohoi kryeministri Çeku.

Ndërkohë që Filip Pavlloviq, nga organizata joqeveritare Fraktal nga Beogradi, tha se ndërtimi i mirëbesimit ndërmjet komuniteteve është rruga më e mirë që do të shpinte deri te akomodimi i komunitetit serb:

“Ajo që unë e konsideroj rrugë të vetme për vendosjen e raporteve të mira mes komuniteteve, është vendosja e një komunikimi të drejtë dhe bashkëpunimi dhe forcimi i këtij mirëbesimi”, tha Pavlloviq. Sipas tij, ndërtimi i mirëbesimit duhet të jetë një proces gjithpërfshirës dhe afatgjatë. Me kalimin e kohës, dallimet ndërmjet komuniteteve për të ardhmen e tyre në Kosovë do të jenë më të vogla, tha ai, duke besuar se kthimi i të zhvendosurve do të ishte një prej çështjeve kyçe që do të ndikonte në përmirësimin e raporteve ndërmjet shqiptarëve e serbëve në Kosovë.

Në anën tjetër, kryeministri Çeku tha se në Kosovë do të vazhdojë të ketë një prani ndërkombëtare edhe pas statusit, kurse qeveria po bën përpjekje që të vërë ura lidhëse mes komuniteteve dhe po bën përpjekje t’u sqarojë të gjithëve rëndësinë që ka krijimi i besimit të plotë në institucionet vendore.

“Qeveria e juaj është në Kosovë, kurse unë jam edhe kryeministër i juaj dhe ndihem shumë përgjegjës për fatin tuaj”, u është drejtuar serbëve kryeministri Agim Çeku, duke i siguruar serbët se edhe ata do të kenë një të ardhme të ndritur në Kosovë.





XS
SM
MD
LG