Ndërlidhjet

VJENË


Pas takimeve të sotme në Vjenë ndërmjet delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, diplomati Albert Rohan, kryesues i takimeve tha se në diskutimet për trashëgiminë kulturore ka pasur progres, por ky vlerësim nuk mund të jepet edhe për decentralizimin dhe të drejtat e minoriteteve. Sipas tij, në përgjithësi bisedimet ishin konstruktive derisa nuk është arritur ndonjë progres. Duke folur rreth bisedimeve mbi decentralizimi, Rohan theksoi se kur "decentralizimi është në pyetje nuk është shënuar ndonjë progres esencial edhe pse pala kosovare tashmë kishte lëshuar pe në disa pika që UNOSEK-u kishte kërkuar më herët. Ndërsa Beogradi nuk ka treguar gatishmëri që të lëviz nga pozicionet fillestare". Veton Surroi nga delegacioni i Prishtinës vlerësoi se "dallimet mbeten esenciale, kur këto negociata janë në pyetje, por jo në Prishtinë sa në Vjenë. Sipas Surroit gjatë këtyre dy ditëve në negociata, Prishtina është përpjekur ta afrojë palën serbe në mënyrë që të ketë konstruktivitet, por pozita e Beogradit, sidomos kur decentralizimi është në pyetje është tejet e varfër". Ndërkaq njëra nga udhëheqësit e delegacionit të Beogradit, Sanda Rashkoviq-Iviq, theksoi që sipas saj, UNOSEK-u kësaj rradhe është treguar neutral. Ajo shtoi se derisa për çështjen e decentralizimit mospajtimet janë esenciale, kur trashëgimia kulturore është në pyetje aty ka përparime dhe pika të përbashkëta mes Prishtinës dhe Beogradit.
XS
SM
MD
LG