Ndërlidhjet

MOORE:"MBROJTJA E PAKICAVE ESENCIALE PËR FATET E KOSOVËS"


Patrik MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mur, nga Beogradi bëhet e ditur se Serbia ndoshta do të kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme deri në maj të vitit 2007. Thuhet se Tadiç dhe Koshtunica kanë bërë ujdi me qëllim të pengimit të fitores së radikalëve. Por, vihet në pah se parakusht për këtë është shtyerja e vendimit për statusin e Kosovës deri pas zgjedhjeve. Si e shihni ju këtë zhvillim eventual?

PATRICK MOORE
Ka qenë krejt e qartë që nga viti 2004 se situata politike në Serbi është jostabile dhe rrjedhimisht zgjedhjet e parakoshme janë pritur tash sa kohë. Më duket se edhe çështja e Kosovës vështirë do të zgjidhet para zgjedhjeve, thjesht për faktin se nuk ka politikanë serbë që do të dëshironte të fillonte fushatën me barrën e Kosovës së humbur. Por, ne jemi duke folur për gjërat që duken logjike vështruar nga këndi analitik dhe rrjedhimisht nuk do të thotë se ato vlejnë edhe për politikanët që na kanë befasuar shumë herë më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Janë disa analistë që thonë se opcioni i ndarjes së Kosovës është dashur të debatohet. Grupi i Kontaktit vazhdon të insistoi në tërësinë e Kosovës, ndërsa pjesa më e madhe e analistëve të tjerë pohojn se coptimi i Kosovës do të hapte Kutinë e Pandores, sepse do të nxiste kërkesa të njejta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.....ndërsa përmenden edhe Maqedonia dhe Bosnja?

PATRICK MOORE
Aspekti i Kutisë së Pandorës është një çështje që do trajtim shumë serioz. Kemi dëgjuar nga vetë kosovarët se nëse Kosova do të coptohet, atëherë duhet diskutuar edhe çështjen e Luginës së Preshevës. Apostrofohet edhe Maqedonia, por kohëve të fundit aktuale dhe në formë shumë konkrete në këtë kontekst përmendet edhe Bosnja. Milorad Dodik që kishte arritur të bindte shumëkë në Perendim se është i moderuar tash është duke folur si nacionalist dhe duke kërkuar referendum për shkëptjen e Republikës Serbe nga Bosnja. Pra, skenari i Kutisë së Pandorës është fare i mundur. Një problem tjetër që do të dilte me coptimin eventual të Kosovës është kredibiliteti i bashkësisë ndërkombëtare. Shumë personalitetet të shquara të bashkësisë ndërkombëtare disa herë kanë thënë se nuk do të ketë coptim, pavarësisht që në disa media perendimore ju mund të hasni prononcime të personaliteteve siç është ish sekretari amerikan i shtetit Henri Kisinxher që duket se besojnë se coptimet teritoriale nuk janë zgjidhje vetëm për Kosovën por për gjithë Ballkanin. Personalisht do të isha shumë i befasuar nëse coptimi i Kosovës bëhet realitet, sepse do të dëmtonte seriozisht kredibilitetin e Kombeve të Bashkuara dhe të bashkësisë ndërkombëtare në Ballkan dhe më gjërë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të duhej të bënin kosovarët për të shmangur coptimin e Kosovës dhe për të zgjidhur statusin pa zhagitje të mëtejme, deri në fund të këtij viti, siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara dhe Grupi i Kontaktit?

PATRICK MOORE
Gjëja më e rëndësishme është që kosovarët të bëjnë ate që pritet nga ata. Zyrtarët e zgjedhur duhet të jenë aktiv dhe të ndërtojnë Kosovën jo si një shtet ekskluzivisht të shqiptarëve, por një shtet për të gjithë qytetarët e saj. Kjo do të thotë se zyrtarët e Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të angazhuar për të drejtat e pakicave, duhet të jenë objektiv dhe të shpejt në hetimin e rasteve të incidenteve të dhunshme. Kjo kuptohet nuk është e lehtë, sepse shërbimet serbe, përkatësisht pasardhësit e UDB-së së vjetër janë aktiv dhe të pranishëm. Nuk ka dilemë se disa nga incidentet janë vepra të pasardhësve të UDB-së. Pavarësisht nga kjo shqiptarët duhet të mbajnë rend dhe rregull në shtpinë e tyre, që askush të mos mund të thotë se ata janë duke bërë politika nacionaliste ose korruptuese. Qëndrimi i drejtë i shumicës shqiptare ndaj pakicave do të ketë për efekt qëndrimin dhe trajtimin e drejt nga bashkësia ndërkombëtare. Ky qëndrim i drejtë i shumicës shqiptare do të marrë nga duart e politikanëve në Beograd argumentet kundër pavarësisë ose edhe nga disa personalitete në Bruksel dhe gjetiu në Bashkimin Evropian që do të dëshirojnë që në Kosovë të inaugurojnë një regjim kolonial, për të dëshmuar se BE-ja qenka e aftë për të bërë gjërat. Sidoçoftë, pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare e ka të ditur se vazhdimi i gjendjes së tashme të status – quos në Kosovë nuk funksionon. Me qëndrim të drejtë ndaj pakicave argumentet e Beogradit nuk do të kenë përmbajtje.

Intervistoi: Melazim KOCI

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG