Ndërlidhjet

KOMBET E BASHKUARA


Fuqitë botërore kanë riafirmuar qëndrimin se duan të shohin zgjidhje të negociuar për statusin e Kosovës deri në fund të vitit. Në deklaratën e lëshuar pas takimit që u mbajt në margjinat e Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ministrat e Jashtëm të Grupit të Kontaktit i bënë thirrje qeverisë së Serbisë të ndërpresë "pengimin" e procesit.
Ministrat e autorizuan të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaari të propozojë një plan përfundimtar për statusin e Kosovës që të arrihet një zgjidhje, për të cilën ata thanë se asnjëra palë nuk do të mund ta bllokonte në mënyrë të njëanshme.
Deklarata e 6 vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Italisë, Gjermanisë dhe Rusisë, është shumë kritike ndaj asaj që e quan "opstrukcion" të Beogradit, njofton Reuters.
"Ministrat e riafirmuan përkushtimin e tyre që të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për të arritur një zgjidhje të negociuar brenda vitit 2006", thuhet në deklaratën e ministrave të Jashtëm.
Grupi më parë e dëgjoi raportin e të dërguarit të posaçëm Marti Ahtisaari, i cili tha se bisedimet disa muajshe për Kosovën kanë shënuar pak progres.
"Ministrat gjithashtu u dakorduan se përpjekjet për zgjidhje të negociuar, nuk duhet ta lënë në hije faktin se asnjëra palë nuk mundet në mënyrë unilaterale të bllokojë progresin në procesin për statusin", tha pas takimit ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Dan Fried.
Fried u tha gazetarëve në Nju Jork se Grupi i Kontaktit kishte një "takim të suksesshëm" nën drejtimin e Sekretares së Shtetit, Condoleezza Rice.
Në deklaratën e përbashkët, ministrat konkluduan se "mbeten dallimet ndërmjet qëndrimeve" të Beogradit dhe Prishtinës. Ata i bënë tirrje Qeverisë së Kosovës t'i përshpejtojë përpjekjet për zbatimin e standardeve dhe promovimin e mirëbesimit mes komuniteteve, ndërsa nga Beogradi kërkuan "të pushojë së penguari serbët e Kosovës që të marrin pjesë në institucionet e Kosovës".
"Është e vërtetë se zgjidhja ideale do ishte zgjidhja e negociuar, por ne nuk duam që procesi të zvarritet pafund", ka thënë një diplomat evropian.
Ndërkaq një zyrtar i lartë amerikan ka shtuar se "është esenciale që status quo-ja të mos lejohet të zgjasë pafundësisht".
"Është një ndjenjë e fuqishme te administrata e Shteteve të Bashkuara, por edhe te të gjitha qeveritë e Grupit të Kontaktit, se status quo-ja nuk është e qëndrueshme. Ideja është që progresi të arrihet para fundit të vitit", ka thënë zyrtari amerikan.
Sipas disa zyrtarëve të lartë të pranishëm në takim, ministrat e Jashtëm të Grupit të Kontaktit e kanë lënë të hapur mundësinë për imponimin e zgjidhjes për atë që e quajtën "çështja e fundit madhore që ka të bëjë me shpërbërjen e ish Jugosllavisë".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG