Ndërlidhjet

RYCKER: PAS 7 VJETËSH KOSOVARËT KANË TË DREJTË TË KENË PERSPEKTIVË PËR TË ARDHMEN


Intervistë me Joachim Rycker, shef i UNMIK-ut

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rycker, cilat janë mesazhet që keni marrë dhe cilat janë mesazhet që keni dhënë gjatë vizitës suaj në Nju Jork në pozitën e shefit të UNMIK-ut?

JOACHIM RYCKER
Ka takime të ndryshme që mbahen në margjinat e asaj që quhet java ministrore për Kosovën gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kam kërkuar gjatë këtyre takimeve nga vendimmarrësit dhe lojtarët kyç që të ruajnë dinamikën në bisedimet aktuale për statusin e Kosovës. Është sigurues fakti se Grupi i Kontaktit në mbledhjen e së mërkurës ka rikonfirmuar deklaratën e Londrës të bërë në fillim të vitit, që duhet të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për të patur një zgjidhje të statusit brenda vitit 2006.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur tek takimi i të mërkurës së Grupit të Kontaktit a mendoni se ka konsensus brenda vendeve pjesëmarrëse të GK-së lidhur me të ardhmen e Kosovës?

JOACHIM RYCKER
Ka një konsensus në kuptimin që ishte një deklaratë e përbashkët në përfundim të takimit, e cila rikonfirmoi rezultatet e takimit të Londrës lidhur me afatin kohor. Pra duhen bërë të gjitha përpjekjet në mënyrë që të ketë një zgjidhje përfundimtare të statusit deri në fund të vitit. Në këtë kuptim gjithsecili ishte shumë i qartë në mbështetjen e tyre për zotin Marti Ahtisari.
Shpresoj që Marti Ahtisari të paraqesë sa më shpejt propozimin e tij për zgjidhjen e statusit tek lojtarët kyç.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni pozicionin e Rusisë tashmë kur politikanët rusë kanë artikuluar se Rusia mund të përdorë të drejtën e vetos nëse zgjidhja e statusit të Kosovës nuk do të jetë në linjë me interesat e tyre?

JOACHIM RYCKER
Kjo është një pyetje për të ardhmen. Mendoj se tani duhet të fokusohemi kryesisht në debatin që po zhvillohet, dhe në hapat e mëtejmë që do të marrë Marti Ahtisari.
Ahtisari sipas të gjitha gjasave do t'i paraqesë Grupit të Kontaktit dhe veçanërisht Prishtinës dhe Beogradit propozimin e tij më së afërmi në mes të tetorit. Më tej do na duhet të fokusohemi në hapat që kanë të bëjnë me mënyrën se si do shkohet prej propozimit të Ahtisarit tek Këshilli i Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Është përsëritur kohët e fundit se rezoluta e re e Këshillit të Sigurimit për Kosovën nuk do të përmendë statusin dhe pavarësinë, por do ta lerë atë të hapur. Cilat janë diskutimet që po zhvillohen tani në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork rreth rezolutës së re?

JOACHIM RYCKER
Kjo është një pyetje që duhet t'ja bëni anëtarëve të Grupit të Kontaktit dhe zotit Marti Ahtisari, sepse kjo është diçka që shkon përtej mandatit të UNMIK-ut. Aktualisht UNMIK-u po përgatit një tranzicion të butë drejt marrëveshjeve të ardhshme ndërkombëtare rreth të ardhmes së Kosovës, dhe duhet të kujdeset që përgjegjësitë e tanishme në duart e UNMIK-ut të transferohen tek prania e ardhshme ndërkombëtare, por edhe në duart e autoriteteve vendore të Kosovës së ardhme. Por nuk jemi këtu për të spekuluar për të tjera çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët, praninë e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë. Si po shkojnë planet për të përfunduar misionin e UNMIK-ut dhe si do të duket misioni i ri?

JOACHIM RYCKER
Mendoj që faktorët kryesorë të komunitetit ndërkombëtar e kanë bërë të qartë, sidomos Grupi i Kontaktit që do të ketë një prezencë ndërkombëtare civile pasi të përfundojë misioni i tanishëm i UNMIK-ut, dhe sigurisht se do të ketë dhe një prani ushtarake ndërkombëtare.
Prania civile do të jetë më e vogël, por e mjaftueshme për të mbikqyrur interpretimin e marrëveshjes së statusit. UNMIK-u do duhet të shkrijë disa nga përgjegjësitë e tanishme që ka dhe t'ja transferojë kësaj pranie të ardhshme ndërkombëtare, sepse rezoluta 1244 do të shfuqizohet prej një rezolute tjetër të Këshillit të Sigurimit, që do shënojë dhe fundin e UNMIK-ut. Kur të zëvendësohet rezoluta 1244 atëhere edhe UNMIK-u do të përfundojë misionin e tij, natyrisht pas një periudhe tranzitore.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht nga përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar që të sjellë të dyja palët Prishtinën dhe Beogradin në një qëndrim të përbashkët, është pak a shumë e qartë pamundësia e gjetjes së një pozicion të përafërt mes tyre. Politikanët serbë kanë deklaruar që nuk do të pranojnë asnjëherë pavarësinë si zgjidhje. Si do ta vlerësonit rolin e Beogradit në procesin e negociatave?

JOACHIM RYCKER
Nuk më takon mua që të bëjë një gjykim politik, sepse kjo gjë i takon Marti Ahtisarit dhe ai duhet t'ia paraqesë vendimmarrësve ndërkombëtarë. Gjithsesi diçka që ka efekt shumë të madh mbi UNMIK-un është ndikimi i ushtruar nga Beogradi që serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në institucionet vendore.
Kjo sigurisht e ka minuar plotësimin e standardeve, i cili nga ana e tij ka pasoja në procesin e negociatave. Pra në njëfarë mënyre gjithçka është e ndërlidhur dhe do t'i bëja thirrje Beogradit që t'i nxisë serbët e Kosovës të marrin pjesë në jetën politike dhe ekonomike të Kosovës dhe se kjo është e vetmja mënyrë se si e ardhmja e komunitetit serb në Kosovë mund të përgatitet dhe sigurohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë vizitës suaj në Shtetet e Bashkuara a iu keni kërkuar faktorëve ndërkombëtarë që të nxitin Beogradin që të jetë më konstruktiv sa i përket serbëve të Kosovës dhe pjesëmarrjes së tyre në institucione?

JOACHIM RYCKER
Po ua kam ngritur këtë çështje disa prej bashkëbiseduesve, ashtu siç kam bërë dhe javën e kaluar kur raportova në Këshillin e Sigurimit. Kam kërkuar që të ndikojnë tek Beogradi që t'i inkurajonte dhe jo t'i sabotonte serbët e Kosovës që të merrnin pjesë në institucionet politike vendore.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke u kthyer sërisht tek afati kohor i rikonfirmuar nga Grupi i Kontaktit, për arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të vitit, cilat mendoni se mund të shfaqeshin si pengesa që do shtynin procesin?

JOACHIM RYCKER
Kjo do të çonte sigurisht në shtyrjen e procesit. Pra cili është argumenti i shtyrjes së procesit. Sipas këndvështrimit tim shtyrja do të ketë probleme politike dhe ekonomike. Sipas këndvështrimit tim llogjika e punës së Ahtisarit është që procesi të ecë përpara dhe të përfundojë deri në fund të vitit.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të kthehem në Kosovë ku kemi patur disa shpërthime kohët e fundit, përfshirë shpërthimin e një bombe që lëndoi disa serbë të moshuar. Keni detaje për autorët, dhe cilat janë pasojat e ngjarjeve të tilla në procesin e statusit?

JOACHIM RYCKER
Sigurisht këto sulme po hetohen rigorozisht dhe siç e tha dhe komisioneri i policisë nuk do të lëmë gur pa kthyer deri në gjetjen e autorëve dhe dërgimin e tyre para drejtësisë.
Kjo po merret seriozisht si çdo krim, në Kosovë dhe gjetkë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si shef i UNMIK-ut në Kosovë, çfarë këshille do t'i jepnit faktorit ndërkombëtar dhe zotit Ahtisari, ndërsa përgatiten të gjejnë zgjidhje për statusin.

JOACHIM RYCKER
Kam theksuar nga perspektiva e UNMIK-ut në terren që është shumë e nevojshme që të mbahet ritmi i procesit. Ka gjëra që mund të komplikohen në menaxhimin e situatave nëse ka shtyrje.
Nga ana tjetër mendoj që pas 7 vjetësh administrimi ndërkombëtar, njerëzit në Kosovë kanë të drejtë të kenë një perspektivë për të ardhmen. Kjo është pika që kam ngritur vazhdimisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Diçka për të shtuar në fund...

JOACHIM RYCKER
Mendoj se deri tani autoritetet e UNMIK-ut në Kosovë kanë qenë të suksesshme në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm, sigurisht me disa rreziqe, por duke pasur parasysh nga vijmë është i qartë suksesi.
Mendoj që institucionet vendore kanë shënuar maturi dhe tani është koha për zgjidhje.

Intervistoi Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG