Ndërlidhjet

A mund ta ndërpresë SHBA-ja mbështetjen ushtarake për Arabinë Saudite?


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e cila udhëhiqet nga demokratët, miratoi një rezolutë për t’i dhënë fund mbështetjes së Uashingtonit për Arabinë Saudite në luftën në Jemen.

Ky veprim u cilësua si goditje ndaj presidentit Donald Trump.

Ligjvënësit votuan me 248 vota për dhe 177 kundër. Tetëmbëdhjetë republikanë e mbështetën rezolutën po ashtu.

Republikanët e Trumpit tashmë kanë shprehur pakënaqës edhe për çështje të tjera të politikës së jashtme, si planet e presidentit për tërheqje të trupave nga Siria dhe Afganistani dhe kërcënimet e tij për tërheqjen e SHBA-së nga NATO-ja.

Trump është zotuar se do të përdorë veton ndaj legjislacionit për Jemenin dhe rezultati tregon se, tash për tash, nuk ka mbështetje të mjaftueshme për të anashkaluar veton.

Rezoluta do t’i bllokonte forcat amerikane nga çdo armiqësi në Jemen - përfshirë rimbushjen e avionëve që kryejnë sulme në luftën civile - pa miratimin e Kongresit.

Senati, vitin e kaluar, ka kaluar një masë të ngjashme, por ajo nuk është dërguar për votim në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila atëbotë kontrollohej nga republikanët.

Lufta në Jemen është përshkallëzuar në vitin 2015, kur rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë marrë kontrollin e pjesës perëndimore të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Arabia Saudite dhe tetë vende të tjera arabe kanë ndërhyrë ushtarakisht, në përpjekje për të rikthyer në pushtet qeverinë e presidentit Abd-Rabbu Mansur Hadi, të njohur ndërkombëtarisht.

Ato kanë marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca.

Por, kundërshtimet ndaj luftës janë rritur me rritjen e numrit të viktimave. Rreth 10,000 njerëz janë vrarë qysh në vitin 2015, ndërsa 14 milionë të tjerë janë përfshirë nga uria.

Kundërshtimet ndaj Arabisë Saudite janë rritur edhe pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Khashoggi, kolumnist i gazetës Washington Post, i cili ka qenë kritik i familjes mbretërore saudite, është vrarë në muajin tetor, pasi ka hyrë në konsullatën saudite në Stamboll.

Një vlerësim i CIA-s e ka fajësuar princin saudit të kurorës, Mohammed Bin Salman, për urdhërimin e vrasjes.

Sauditët kanë akuzuar 11 vetë për rastin, por mohojnë se princi i kurorës është i përfshirë.

Arabia Saudite është aleatja më e ngushtë e SHBA-së në rajon.

Trump e ka përshkruar atë si një "aleat jetësor" dhe i ka kundërshtuar thirrjet për sanksione kundër udhëheqjes së mbretërisë, për shkak të vrasjes së Khashoggit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG