Ndërlidhjet

Armët nga Ballkani përfunduan te Shteti Islamik


Fotografi nga arkivi

Pesëqind minahedhës të prodhuar në BNT-TMiH, në Novi Travnik të Bosnje dhe Hercegovinës, i janë shitur Arabisë Saudite, por më pas kanë përfunduar në duart e militantëve të Shtetit Islamik dhe Al Kaidës, përkatësisht Frontit al-Nusra, shkruan gazeta britanike Independent.

Gazetari i saj, Robert Fisk, thotë se, vitin e kaluar, gjatë një vizite në qytetin Alepo të Sirisë, ka gjetur në një depo një regjistër të armëve, të cilin e ka lëshuar fabrika e minahedhësve në Bosnje dhe i cili mban nënshkrimin e Ifet Krnjiqit.

Independent e ka gjetur Krnjiqin, i cili ka thënë se kompania i ka shitur armë Arabisë Saudite.

“Ky është nënshkrimi im. Po, unë jam. Kjo është garancia për minahedhësit 120 mm, ky është standard i NATO-s. Ata (minahedhësit) kanë shkuar në Arabinë Saudite. Kanë qenë pjesë e porosisë prej 500 sish. E kujtoj mirë porosinë e Arabisë Saudite. Ata (sauditët) kanë ardhur në fabrikën tonë për inespektimin e armëve në fillim të vitit 2016”, ka thënë Krnjiq për Independent.

“Kur sauditët kanë ardhur në fabrikën tonë, në mesin e tyre kanë qenë edhe ministri saudit dhe disa zyrtarë për inspektim. Kanë qenë të veshur me veshje civile, ndërsa ministri ka qenë me fustan. Të gjitha prodhimet tona, pas luftës, janë nën kontrollin e amerikanëve dhe NATO-s, që gjithmonë vijnë këtu dhe dinë për çdo pjesë të armëve që del nga fabrika jonë”, ka thënë Krnjiq për gazetën britanike.

Ngjashëm është shprehur edhe Adis Ikanoviq, drejtor i fabrikës në Novi Travnik, i cili ka thënë se i duhet pak kohë për të gjetur dokumentet për dërgimin e minahedhësve te përdoruesi final në vitin 2016. Por, ka shtuar ai, shumica e eksporteve “kanë shkuar, me gjasë, në Arabinë Saudite”.

Ikanoviq është kontaktuar më vonë me email nga gazetari, i cili e ka kujtuar se ka premtuar se do të sigurojë kopje të certifikatës për përdoruesin final, por Ikanoviq nuk është përgjigjur.

Ikanoviq ka konfirmuar se të gjitha dërgesat e armëve, përfshirë edhe ato për Arabinë Saudite, i ka kontrolluar EUFOR-i, pasuesi i misionit të NATO-s SFOR në Bosnje, dhe se në kontrollimin e tyre ka marrë pjesë edhe komandanti i EUFOR-it, gjenerali austriak, Martin Dorfer.

Krnjiq ka thënë se armët janë eksportuar përmes aeroportit në Tuzlla ose në Sarajevë. Sipas tij, "sauditët nuk janë ankuar kurrë për cilësinë e armëve, sepse për një kohë të gjatë ato kanë një reputacion shumë të mirë”.

Gazeta britanike Independent shkruan se, në fund të korrikut 2016, vetëm gjashtë muaj pasi minahedhësit janë eksportuar nga Bosnja, dërgesat ose një pjesë e tyre kanë arritur në Alepo.

Independent po ashtu shkruan se pas korrikut 2016, ky qytet i Sirisë ka qenë tërësisht i rrethuar nga forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe aleatët e tij.

Nga Ambasada e Arabisë Saudite në Londër kanë thënë se vendi i tyre “nuk ofron ndihmë praktike ose ndonjë tjetër për asnjë organizatë terroriste në Siri dhe as në ndonjë vend tjetër”, ndërsa pohimet në Independent i kanë cilësuar si “të pabaza”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG