Ndërlidhjet

Qeveria e ardhshme e Maqedonisë, përballë kthesave të mëdha


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë
Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë

Parimet mbi të cilat do të udhëhiqet Qeveria e re Maqedonisë, janë shtyllat bazë mbi të cilat po zhvillohen bisedimet për formimin e Qeverisë së re, ndërmjet mandatarit, përkatësisht liderit të socialdemokratëve, Zoran Zaev dhe partive politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizjen Besa dhe Aleanca për Shqiptarët.

Anëtarësimi i vendit në strukturat euroatlantike, sundimi i drejtësisë në përputhje me rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar, transparenca dhe llogaridhënia e pushtetit, realizimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, janë shtyllat bazë mbi të cilat parime do të funksionojë Qeveria e re reformuese Maqedonisë”, kanë theksuar përfaqësuesit e partive politike që përbëjnë shumicën parlamentare.

Sipas tyre, nga e marta do të diskutohet dhe për ndarjen e resorëve dhe emrat konkret që do të udhëheqin me ministritë në Qeverinë e re të Maqedonisë.

Njohësit e çështjeve politike thanë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e re e Maqedonisë do të duhej të bënte kthesa të mëdha për kthimin e vendit në procesin e integrimeve dhe sundimin e drejtësisë, për të kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.

Kjo Qeveri e cila duhet të formohet, mbase do të jetë Qeveria më e rëndësishme në historinë e Maqedonisë, e cila do të duhet të bëj reforma thelbësore të cilat nuk janë bërë që nga pavarësia e shtetit”.

Kështu që, parimet bazë mbi të cilat do të udhëhiqet kjo Qeveri, gjithsesi duhet të precizohen në atë masë, që të mos lihet hapësirë manovrimi për të anashkaluar detyrimet e shumta që e presin përbërjen e re të Qeverisë të Maqedonisë”, thekson për Radion Evropa e Lirë profesori universitar, Mitko Gaxhovski, njohës i çështjeve politike.

Nga ana tjetër, Arsim Sinani drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, për Radion Evropa thotë se kabineti i ardhshëm qeveritar ka nevojë për njerëz të përgjegjshëm dhe të kualifikuar për t’i prirë proceseve shumë të rëndësishme për Maqedoninë si shtet.

Në Maqedoni, në pozitat udhëheqëse nuk ka nevojë vetëm për njerëz të përgjegjshëm, po ka nevojë për njerëz të cilët deri më sot nuk kanë bartur pozicione publike dhe nuk kanë qenë të përzier në asnjë formë në krimet ekonomike,njerëzore, si dhe ato kulturore që i janë bërë Maqedonisë”, thotë Sinani.

Në Maqedoni, vijon ai, ka nevojë të shihen si nga pala shqiptare ashtu dhe ajo maqedonase, njerëz të ditur dhe të guximshëm të cilët do të dinë ta orientojnë vendin në rrugën drejt perëndimit.

Nëse partitë shqiptare mendojnë që edhe më tej të instalojnë njerëz që në një formë apo tjetër e sollën gjendjen e shqiptarëve ashtu siç është sot, çështja shqiptare dhe raportet shqiptaro-maqedonase do të prolongohen sa i përket avancimit”, thotë Sinani.

Mandatari për formimin e Qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev në vazhdimësi ka theksuar se para përfundimit të këtij muaji do t’i përmbyllin bisedimet me partnerët e koalicionit për të dorëzuar propozimin për Qeverinë e re në Parlament, ku me prioritet pritet të votohet dhe shtyrja e zgjedhjeve lokale deri në vjeshtë.

XS
SM
MD
LG