Ndërlidhjet

Britania dhe Franca nderojnë veteranët e Betejës së Normandisë


Normandi, shënimi i 75-vjetorit të zbarkimit të njohur si Dita -D.
Normandi, shënimi i 75-vjetorit të zbarkimit të njohur si Dita -D.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja britanike, Theresa May, kanë falënderuar veteranët dhe kanë nderuar ata që kanë vdekur gjatë zbarkimit të forcave të aleatëve perëndimorë, në veri të Francës më 6 qershor, 1944.

Macron, May dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, si dhe liderët aktualë të Forcave Aleate Perëndimore, gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë mbledhur në Normandi, për të shënuar 75-vjetorin e zbarkimit të njohur si Dita-D, apo nisja e një operacioni që ka rezultuar me mposhtjen e Gjermanisë naziste.

Macron dhe May kanë mbajtur fjalime në ceremoninë e mbajtur në Ver-Sur-Mer të Francës, teksa kanë qëndruar afër një memoriali, në të cilin do të shkruhen emrat e mijëra trupave të komandës britanike që kanë vdekur gjatë fushatës.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, gjatë ceremonisë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, gjatë ceremonisë

Veteranët me uniforma në të 90-at e tyre kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni.

May ka thënë se “nëse një ditë mund të thuhet se ka përcaktuar fatin e gjeneratave të ardhshme në Francë, Britani, Evropë dhe botë, ajo ditë është 6 qershori i vitit 1944”.

Për veteranët, ajo ka thënë se, “fjalët e vetme që mund të themi janë ‘Ju faleminderit”.

Macron ka falënderuar veteranët dhe “ata që janë vrarë, në mënyrë që Franca të mund të jetë e lirë sërish”.

Kjo datë do të shënohet më vonë me një ceremoni, ku pjesëmarrës do të jenë Macron dhe Trump, të cilët do të nderojnë ushtarët amerikanë që kanë vdekur.

Gratë e presidentëve, francez dhe amerikan, Brigitte Macron dhe Melania Trump, do të marrin pjesë në një ceremoni në varrezat prej nga shihet Plazhi Omaha, ku forcat amerikane janë përballur me numrin më të madh të viktimave në mesin e forcave aleate, përkatësisht, 2,000 burra.

Macron, po ashtu, pritet të nderojë Komandën e 177-të franceze nga Forcat e Lira Franceze, që kanë marrë pjesë në këtë fushatë ushtarake.

Operacioni i kësaj dite, i udhëhequr nga gjenerali amerikan, Dwight D. Eisenhower, vazhdon të jetë operacioni ushtarak më i madh në histori, duke përfshirë 7,000 anije dhe pajisje tjera përgjatë 70 kilometrave në Gjirin e Normandisë, të cilët janë ndarë në pesë sektore me emrat e koduar: Utah, Omaha, Gold, Juno, and Sword.

Mijëra persona janë vrarë në të dyja palët.

Më 5 qershor, teksa liderët e aleancës kanë nderuar sakrificën e atyre që kanë vdekur në operacionin e vitit 1944, ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se kjo fushatë nuk ka pasur ndikim “vendimtar” në rezultatin e luftës.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë se roli i këtyre trupave nuk duhet zmadhuar.

“Kontributi i aleatëve perëndimorë në fitoren ndaj Gjermanisë naziste është i kuptueshëm, mirëpo definitivisht nuk duhet ekzagjeruar, dhe nuk duhet të ulin rëndësinë e arritjeve të Bashkimit Sovjetik, pa të cilin kjo fitore, thjesht, nuk do të ekzistonte”, është shprehur ajo.

Presidenti rus, Vladimir Putin, që ka marrë pjesë në nderime për 70-vjetorin e kësaj dite, pesë vjet më parë, nuk është ftuar në ngjarjet e këtij viti në Portsmuth.

Ish-Bashkimi Sovjetik nuk ka qenë i përfshirë në këtë operacion ushtarak, mirëpo ka pasur rol instrumental në mposhtjen e Gjermanisë Naziste në Frontin Lindor.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG