Ndërlidhjet

Disa burra pastrojnë ngjyrën e hedhur mbi muralin e Mlladiqit


Ngjyra e zezë në muralin e të dënuarit serb për krime lufte, Ratko Mlladiq.

Një grup burrash filluan të pastrojnë muralin e të dënuarit serb për krime lufte, Ratko Mlladiq, në Beograd, vetëm pak kohë pasi mbi të u hodh ngjyrë e zezë.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, burrat që po e pastrojnë muralin, me kapele në kokë, nuk kanë dashur të prezantohen e as t'iu përgjigjen pyetjeve të REL-it.

Një grup burrash pastroi muralin edhe më 10 nëntor, pasi Gjorgjo Zhujoviq, zyrtar i Partisë Social-Demokrate të Serbisë, e cila është pjesë e Qeverisë serbe, hodhi ngjyrë të bardhë mbi të.

Javën e kaluar, Ministria e Brendshme e Serbisë i ndaloi planet e Iniciativës joqeveritare të të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, për të fshirë muralin e Mlladiqit.

Aktivistet e të drejtave të njeriut, Aida Qoroviq dhe Jellena Jaqimoviq, u ndaluan nga policia më 9 nëntor, pasi hodhën disa vezë mbi mural.

Hidhet ngjyrë në muralin e Ratko Mlladiqit në Beograd
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:04 0:00

Aktivistet më pas u liruan, por murali, që atëherë, ruhet nga një grup i krahut të djathtë.

Anëtarë të organizatave joqeveritare dhe qytetarë u mblodhën në qendër të Beogradit për të kundërshtuar ndalimin e aktivisteve, por një kordon policor nuk i lejoi ata t'i afroheshin muralit.

Disa organizata të shoqërisë civile organizuan edhe më 13 nëntor protestë kundër muralit, duke kërkuar që ai të hiqet nga qendra e qytetit.

Mlladiq është dënuar nga Gjykata në Hagë me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës në Bosnje, nga viti 1992 deri më 1995.

Murali i tij ka gati katër muaj që qëndron në fasadën e një ndërtese në qendër të Beogradit.

Një autor i panjohur e pikturoi atë në fund të korrikut, një muaj pasi Gjykata në Hagë e konfirmoi burgimin e përjetshëm të Mlladiqit.

XS
SM
MD
LG