Ndërlidhjet

Trump dërgon agjentë federalë në qytetet me dhunë në rritje


Presidenti Trump gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë më 21 korrik, 2020.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të dërgojë agjentët federalë në më shumë qytete amerikane, për të ndihmuar në frenimin e krimit.

Trump tha se agjentët do të dërgohen në Allbukërki të Nju Meksikos dhe në Çikago të Illinoisit.

Shumë qytete, përfshirë Nju Jurkun e Filladelfian, kanë parë rritje të krimit, përfshirë dhunën me armë, prejse kanë filluar protestat mbarëkombëtare për vdekjen e një afrikano-amerikani në duart e policisë në Minesota, në fund të majit.

Protestuesit kërkojnë më shumë përgjegjësi nga policia, ndërsa disa bëjnë thirrje për uljen e buxhetit për policinë ose shkarkimin e departamenteve të policisë në formën e tyre aktuale.

Trump, i cili pritet të garojë për rizgjedhje në zgjedhjet e nëntorit, tha se rivalët e tij demokratë janë shumë të butë ndaj krimit.

"Javët e fundit ka pasur një lëvizje radikale për të mbrojtur, çmontuar dhe shpërbërë departamentin tonë të policisë", tha Trump, duke sugjeruar se kjo ka çuar në "një shpërthim tronditës të të shtënave, vrasjeve dhe krimeve të tmerrshme të dhunës".

“Kjo gjakderdhje duhet të marrë fund“, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr, i cili ishte me presidentin, tha se rreth 200 agjentë federalë janë dërguar tashmë në Kansas Siti të Misurit dhe se një numër “i krahasueshëm“ do të dërgohet në Çikago dhe 35 të tjerë në Allbukërki.

Barr tha se oficerët do të përfshihen në "luftën klasike të krimit", ndryshe nga agjentët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, të cilët janë dërguar për "mbrojtje kundër trazirave dhe dhunës së turmave" në Portland të shtetit Oregon.

Policia në SHBA është përgjegjësi e shteteve dhe guvernatorët dhe zyrtarët lokalë e kanë kundërshtuar dërgimin e agjentëve federalë.

Guvernatorja e Oregonit, Kate Brown, demokrate, e ka cilësuar këtë si “shpërdorim të ashpër të pushtetit“, ndërsa kryetari i Portlandit, Ted Weeler, si “sulm ndaj demokracisë“.

Qytetet, si Çikago, fillimisht kanë hedhur poshtë ofertat për agjentë, por me përshkallëzimin e dhunës, autoritetet atje i janë drejtuar qeverisë federale për ndihmë.

"Ne mirëpresim partneritetin real, por ne nuk e mirëpresim diktaturën", tha kryetarja e Çikagos, Lori Lightfoot, e cila është demokrate.

“Ne nuk e mirëpresim autoritarizmin dhe nuk mirëpresim arrestimin dhe ndalimin antikushtetues të banorëve tanë. Kjo është diçka që nuk do ta toleroj”, tha ajo.

Disa ekspertë thonë se dhuna në rritje është shkaktuar pjesërisht prej zmbrapsjes së policisë nga lufta kundër krimit, për shkak të një kontrolli më të madh publik.

Krimi në rritje mund të jetë gjithashtu i lidhur me masat e izolimit nga koronavirusi, të cilat kanë bërë që miliona njerëz të mbeten pa punë.

Në Çikago këtë vit kanë ndodhur 414 vrasje, krahasuar me 275 gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2019.

Një studim i FBI-së i vitit 2018 ka zbuluar se niveli i krimit të dhunshëm në Allbukërki ka qenë 3.7 herë më i lartë se mesatarja kombëtare. Shkalla e vrasjeve dhe përdhunimeve ishte më shumë se dyfishi i mesatares kombëtare për atë vit.

Kansas Siti, sipas mediave lokale, pritet të regjistrojë këtë vit numrin më të madh të vrasjeve ndonjëherë. Atje tashmë janë regjistruar 110 vrasje.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG