Ndërlidhjet

Senatorja republikane e “shqetësuar” me qëndrimin e partisë për gjykimin e Trumpit


Senatorja republikane, Lisa Murkowski

Presidenti amerikan, Donald Trump kishte bërë thirrje për një gjykim të shpejtë të tij në Senat, duke shprehur bindjen se aty do të ketë një “gjykim të drejtë”.

Me Senatin udhëheq Partia Republikane, të cilës i përket presidenti.

Por, megjithatë, mbështetja ndaj tij nga ana e të gjithë ligjvënësve republikanë, nuk duket të jetë e garantuar.

Senatorja republikane, Lisa Murkowski, ka thënë të jetë e “shqetësuar” me qëndrimin e partisë së saj, në prag të gjykimit për shkarkimin ose jo të Trumpit nga ana e Senatit.

Presidenti e ka quajtur vazhdimisht procesin e shkarkimit - që njihet si “impeachment” – një “gjueti shtrigash” kundër tij.

Gjatë këtij muaji, Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët, votoi dy akuzat ndaj Trumpit: për shpërdorim me pushtetin dhe pengim të punës së Kongresit.

*Video: Pelosi: Trump e la Kongresin pa zgjedhje tjetër

Pelosi: Trump e la Kongresin pa zgjedhje tjetër
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:57 0:00

Kjo ishte faza e parë na procesin e shkarkimit ndaj presidentit amerikan.

Faza e dytë dhe vendimtare zhvillohet në Senat.

Pse ndjehet e shqetësuar senatorja Murkowski?

Udhëheqësi i shumicës në Senat, republikani, Mitch McConell, është zotuar për “bashkërendim të plotë” me Shtëpinë e Bardhë për këtë proces.

Pikërisht kjo deklaratë e ka “shqetësuar” senatoren republikane, Lisa Murkowski.

"Kur e dëgjova, isha e shqetësuar," tha ajo, për kanalin e lajmeve KTUU të Alaskës.

Sipas saj, duhet të ekzistojë një distancë midis Shtëpisë së Bardhë dhe Senatit, lidhur me mënyrën se si do të zhvillohet gjyqi.

Megjithatë, ajo e përshkroi procedurën e shkarkimit ndaj Trumpit si “të nxituar”.

Senatorja Murkowski, një republikane e moderuar, e ka kritikuar presidentin Trump për një numër çështjesh. Në tetor të vitit 2018, ajo vendosi të mos votojë për të konfirmuar kandidatin e Trumpit për Gjykatën Supreme, pas akuzave që ishin ngritur ndaj tij për sulm seksual.

Po në lidhje me rolin e senatorit McConnell?

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, do të luajë një rol kryesor në mënyrën se si do të zhvillohet gjykimi, i cili supozohet të jetë i paanshëm. Por, ai deklaroi publikisht javën e kaluar se ai nuk ishte "një anëtar i paanshëm i porotës".

"Ky është një proces politik. Nuk ka asgjë gjyqësore në këtë. Impeachment është një vendim politik", tha ai.

McConnell gjithashtu tha që ai ishte i sigurt se president Trump do të shpallej i pafajshëm në Senatin e udhëhequr nga republikanët.

Drejtuesit republikanë dhe demokratët në Senat janë përleshur vazhdimisht mbi rregullat e gjykimit. Demokratët dëshirojnë të sigurojnë dëshmitarët dhe dokumente gjatë gjykimit, për të mundësuar atë që ata e përcaktojnë një gjykim të drejtë.

McConnell deri më tani nuk ka pranuar të pajtohet për të marrë dëshmi gjatë gjyqit.

Për çfarë akuzohet presidenti Trump?

Presidenti Donald Trump, akuzohet për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Hetimi ndaj tij filloi pasi një informator i paidentifikuar e informoi Kongresin për një telefonatë, midis presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelenksyit, e zhvilluar në korrik të këtij viti.

Sipas tij, gjatë bisedës, Trump i kishte kërkuar Zelenskyit që Ukraina të hetojë për korrupsion, rivalin e tij politik, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter.

Joe Biden është ndër pretendentët kryesorë, për të fituar nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Trump gjithashtu akuzohet se ka kushtëzuar një ndihmë financiare të SHBA-së për Ukrainën, në këmbim të hetimeve të kërkuara.

Kjo bisedë telefonike e Trumpit, nga demokratët u vlerësua si kërkesë ndaj një shteti tjetër, për të ndërhyrë në çështjet të brendshme politike të SHBA-së. Sipas demokratëve, kjo përbën abuzim me pushtetin.

Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG