Ndërlidhjet

Kritika Trumpit, pasi kërcënoi lokacionet kulturore të Iranit


Më 1979, UNESCO ka shpallur si trashëgimi botërore monumentet e rrënuara të Prespolisit, kryeqytetit të perandorisë së Lashtë Persiane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përballet me kritika në rritje, për shkak të kërcënimeve për sulme mbi lokacionet kulturore të Iranit.

Kriza në Lindjen e Mesme u thellua prejse një sulm i SHBA-së vrau udhëheqësin e forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani, më 3 janar.

Të shtunën, Trump, përmes një postimi në Twitter, tha Shtetet e Bashkuara do të sulmojnë disa lokacione të rëndësishme kulturore të Iranit, nëse ky i fundit sulmon personelin apo asetet amerikane, si hakmarrje për vrasjen e Soleimanit.

Presidenti tha se lokacionet kulturore janë në mesin e 52 caqeve të identifikuara iraniane që mund të sulmohen nëse iranianët “torturojnë njerëzit tanë”.

Por, organizata për kulturë e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, është në mesin e atyre që tërhoqën vërejtjen se lokacionet e tilla janë të mbrojtura.

SHBA-ja dhe Irani kanë nënshkruar konventa për të mbrojtur trashëgiminë kulturore edhe në kohë konflikti.

Sulmet ushtarake në vendet kulturore konsiderohen krime lufte sipas ligjit ndërkombëtar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, bëri përpjekje t’i zbusë kërcënimet e Trumpit, duke thënë se SHBA-ja do të vepronte brenda ligjit ndërkombëtar.

Por, presidenti i përsëriti kërcënimet e tij, duke thënë:

“Ata lejohen të vrasin njerëzit tanë, ata lejohen të torturojnë dhe të sakatojnë popullin tonë, atyre u lejohet të përdorin bomba në rrugë dhe të hedhin në erë njerëzit tanë - dhe neve nuk na lejohet t’i prekim vendet e tyre kulturore? Nuk funksionon kështu".

Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway, e mbrojti presidentin, duke thënë se ai “vetëm ka bërë pyetje”.

Më vonë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, la të kuptohet se ushtria e Shteteve të Bashkuara nuk do t'i sulmonte lokacionet kulturore të Iranit, edhe pse ato janë përmendur si shënjestra të mundshme nga Trump.

"Ne do t'i respektojmë ligjet e konfliktit të armatosur", tha Esper gjatë një konference për media në Pentagon.

Çfarë kritikash shkaktuan komentet e presidentit?

Drejtorja e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, tha se Irani dhe SHBA-ja kanë nënshkruar një konventë të vitit 1972 për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në botë.

Dy vendet kanë nënshkruar edhe një konventë të vitit 1954 për mbrojtjen e pronës kulturore në rast të konfliktit të armatosur.

“Porta e të gjitha kombeve” që gjendet në qytetin e lashtë persian Persepolis në jug të Iranit.
“Porta e të gjitha kombeve” që gjendet në qytetin e lashtë persian Persepolis në jug të Iranit.

Trump e tërhoqi SHBA-në nga UNESCO-ja në vitin 2018, duke u thirrur në paragjykimet e supozuara të agjencisë kundër Izraelit.

Senatorët demokratë të Shteteve të Bashkuara, Elizabeth Warren dhe Chris Murph, thanë se Trump po kërcënon me kryerje të “krimeve të luftës”.

Ngjashëm u shpreh edhe ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab, tha se vendet kulturore mbrohen me ligj ndërkombëtar dhe se Britania pret që ai të respektohet.

Rajoni më gjerë ka pësuar shumë sulme ndaj objekteve kulturore, të kryera nga grupi militant Shteti Islamik.

Sulmet kanë shkatërruar xhami, faltore e kisha, sidomos në Siri.

Talibanët në Afganistan kanë shkatërruar po ashtu statujat më të larta në botë të Budës, në provincën Bamijan.

Vendet kryesore kulturore në Iran

Irani ka 22 lokacione kulturore në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Ato përfshijnë:

Persepolisin, kryeqytetin e Perandorisë së Lashtë Persiane, mbetjet më të hershme të të cilit datojnë që nga shekulli 6 para erës sonë;

Pamje nga sheshi Naqsh-e Jahan.
Pamje nga sheshi Naqsh-e Jahan.

Sheshin Naqsh-e Jahan në qytetin Isfahan, i cili u ndërtua në fillim të shekullit 17 dhe është një nga sheshet më të mëdha të një qyteti në botë;

Pallatin Golestan në Teheran, që ka qenë vendbanim dhe seli e dinastisë Kajar që ka sunduar Iranin nga viti 1785 deri më 1925.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG