Ndërlidhjet

Fabiana Rosales, fuqia e re politike e opozitës në Venezuelë


Presidenti i vetshpallur i Venezuelës, Juan Guaido dhe bashkëshortja e tij, Fabiana Rosales.

Me energjinë e saj rinore dhe me udhëtimet nëpër botë, bashkëshortja 26-vjeçare e Juan Guaidos, udhëheqësit të opozitës venezueliane, po shfaqet si një figurë e shquar në fushatën e tij për të sjellë ndryshime në vendin e shkatërruar nga kriza.

Mosha e Fabiana Rosales dhe veshja joformale, shpesh xhinse, janë ndryshe nga një pjekuri e kultivuar e bashkëshortit të saj gjatë protestave në rrugët e kryeqytetit të Venezuelës.

Bashkëshorti i saj, Juan Guaido, e ka shpallur veten president të përkohshëm të Venezuelës me mbështetjen e dhjetëra vendeve, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara. Në anën tjetër presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, refuzon të japë dorëheqjen, pasi i quan protestat një tentim grusht-shteti.

Lideri opozitar Juan Guaido, shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Fabiana Rosales (në të djathtë) dhe nëna e tij, Norka Marquez (në të majtë) gjatë një tubimi në Venezuelë.
Lideri opozitar Juan Guaido, shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Fabiana Rosales (në të djathtë) dhe nëna e tij, Norka Marquez (në të majtë) gjatë një tubimi në Venezuelë.

“Shikoni, unë jam gruaja e presidentit Juan Guaido dhe unë do ta shoqëroj atë në çfarëdo rruge që ai merr dhe do të kapërcejmë çdo pengesë me të cilën përballemi, siç kemi bërë gjatë gjithë viteve tona së bashku”, tha Rosales, gjatë një interviste, derisa po vizitonte kryeqytetin e Perusë, Lima.

"Unë u kyça në politikë, sepse dua ta ndryshoj vendin tim. Unë nuk dua që vajza ime të rritet më dëshirën që të largohet nga Venezuela", tha ajo.

Rreth 3 milionë qytetarë të Venezuelës kanë ikur nga vendi, për shkak të një ekonomie në rënie, hiperinflacionit dhe mungesës së ushqimit dhe ilaçeve. Së fundmi, qytetarët po përballen edhe me ndërprerje të energjisë elektrike.

Përderisa brenda në Venezuelë, burri i saj bën përpjekje që përmes protestave të largojë Maduron nga pushteti si dhe duke u përpjekur të bindë ushtrinë për ta braktisur atë, Rosales po përpiqet të sigurojë mbështetje nga jashtë, me vizita dhe me turne në shumë vende fqinje.

Por, jo vetëm në vendet fqinje. Ajo të mërkurën do të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku do të pritet në takim nga nënpresidenti amerikan, Mike Pence.

Fabiana Rosales, 26 vjeçe, u takua me burrin e saj në një tubim të të rinjve të partisë opozitare me të cilën ajo ka punuar që prej viteve të saj të studimeve universitare. Ajo në muajt e fundit është bërë një emër familjar në Venezuelë, duke qëndruar në anën e bashkëshortit të saj në mitingje të ndjekura nga mijëra persona.

Kohët e fundit, ajo gjithashtu ka marrë rolin e ambasadores ndërkombëtare për opozitën e Venezuelës.

Rosales ka ndihmuar bashkëshortin e saj të duket më shumë presidencial, thotë Dimitris Pantoulas, një analist politik në Karakas.

"Ajo është një grua profesionale, e re dhe e edukuar dhe në një farë mase ajo është konservatore. Ky imazh korrespondon me stereotipet (venezueliane) të asaj se si duhet të duket një çift presidencial, veçanërisht për klasat e mesme të shoqërisë", tha Pantoulas..

Ndërkohë, gjatë një interviste, Fabiana Rosales ka thënë se “roli më i rëndësishëm i saj është të jesh një nënë”, duke shtuar se “unë jam gjithashtu një motër dhe grua".

Venezuela po kalon nëpër trazira politike, ekonomike dhe sociale. Guaido deklaroi veten presidenti i përkohshëm i Venezuelës në fund të janarit. Udhëheqësi i opozitës ishte duke shërbyer si president i Kongresit të Venezuelës dhe tha se Kushtetuta i lejoi atij të formonte një Qeveri kalimtare, sepse Maduro ishte rizgjedhur me një votim të turpshëm vitin e kaluar.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG