Ndërlidhjet

Foshnja Alfie e humb betejën për jetë


Lule dhe qirinj për nder të Alfie Evans

Foshnja 23 muajshe, Alfie Evans ka vdekur gati një javë pasi i është ndalur ndihma mjekësore.

Babai i djaloshit, Tom Evans ka njoftuar se Alfie ka vdekur në 2:30 të mëngjesit të sotëm.

Ai ka vuajtur nga dëmtime të rënda të trurit.

Përmes një postimi në Facebook, babi i foshnjës ka thënë se “gladiatori im ka ulur mburojën e tij dhe ka fituar krahët… absolutisht zemërthyer”.

Ky rast ka fituar vëmendje ndërkombëtare, duke përfshirë edhe përkrahjen e Papa Françeskut, i cili ka kërkuar që “të garantohet kërkesa e prindërve për mënyra tjera të trajtimit”.

Papa Françeku ka thënë përmes një postimi në Twitter se “jam thellësisht i prekur nga vdekja e Alfiet të vogël”.

Ai ka shtuar se “sot lutem sidomos për prindërit e tij derisa Zoti e pranon atë në krahët e tij”.

Qindra mbështetës të prindërve të Alfiet, të njohur si Ushtria e Alfiet kanë nisur tullumbace në park për nder të foshnjës.

Alfiet i ishte ndaluar ndihma mjekësore të hënën pasi ishte përballur me një gjendje të tillë për më shumë se një vit.

​Alifie ka lindur në maj të vitit 2016 derisa për herë të parë kishte kërkuar ndihmë mjëkesorë në dhjetor dhe nga ajo kohë ishte bërë pacient i këtij institucioni.

Prindërit e tij që jetojnë në Bootle kanë kërkuar të dërgojnë djaloshin në ndonjë spital italian, mirëpo atij i është refuzuar ndihma e mjekëve të cilët kanë thënë se vazhdimi i trajtimit të tij nuk është në “interesin më të mirë të Alfiet”.

Spitali Alder Hey ka thënë se incizimet kanë treguar “degradim katastrofik të trurit të tij” dhe se trajtimi i mëtutjeshëm është “johuman”.

Prindërit e djaloshit kanë kritikuar ashpër stafin mjekësor, derisa babai i tij ka thënë se djali ka qenë “i burgosur” në spital me një diagnozë të gabuar.

Prindërit e Alfiet kanë humbur betejën gjyqësore pas një vendimi të gjykatës që i lejonte spitalit të ndalonte frymëmarrjen artificiale.

Gjykata e Lartë ka mbështetur udhëheqësit e spitalit më 20 shkurt, pasi kanë pranuar të dhënat nga spitali sipas së cilave “nuk ka asnjë shpresë” për foshnjën.

Në një betejë katërmuajshe, prindërit e Alfiet kanë kontestuar pa sukses vendimin në Gjykatën e Apelit, atë Supreme dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG