Ndërlidhjet

Franca i thotë Italisë: “Mjaft”


Kryeministri italian Giuseppe Conte dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Fotografi nga arkivi.

Franca e ka thirrur ambasadorin e saj nga Italia të enjten, duke shpërfaqur kështu një mosmarrëveshje mes dy shteteve fqinje dhe aleateve të Bashkimit Evropian, për shkak të siç janë shprehur autoritetet franceze, sulmeve “të përsëritura dhe të pabaza” nga liderët politikë italianë kundër Francës.

Ky vendim njëherësh ka qenë i pari i llojit të tillë që Franca e thërret të dërguarin e saj nga Roma, prej kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Diplomatët kanë thënë se Parisi ka vepruar pas një serie të sulmeve nga Italia, duke përmendur kështu vendimin e zëvendëskryeministrit italian, Luigi di Maio për t’u takuar këtë javë me anëtarët e lëvizjes franceze “xhaketat e verdha”, pjesëtarët e së cilës kanë protestuar dhunshëm kundër presidentit francez, Emmanuel Macron.

“Franca ka qenë, për disa muaj shënjestër e sulmeve të pabaza dhe deklaratave të turpshme”, ka thënë Ministria e Jashtme e këtij shteti përmes një shkrese.

“Mosmarrëveshjet janë diçka tjetër, në krahasim me manipulimin e marrëdhënieve për qëllime politike”.

Di Maio, udhëheqës i Lëvizjes 5 Yjet, dhe që aktualisht është në koalicion me partinë në pushtet të ekstremit të djathtë, Liga, ka mbrojtur vendimin e tij për t’u takuar me pjesëtarët e “xhaketave të verdha”.

“Populli francez është miku dhe aleati ynë”, ka thënë ai.

“Presidenti Macron vazhdimisht është deklaruar kundër Qeverisë italiane për qëllime politike, përfshirë zgjedhjet evropiane”, ka thënë ai, duke iu referuar votimit që do të mbahet në Parlamentin Evropian në muajin maj.

“Takimi im si lider politik i Lëvizjes 5 Yjet me anëtarët e ‘xhaketave të verdha’ ka qenë plotësisht legjitim”, është shprehur ai.

Macron në anën tjetër nuk u është përgjigjur deklaratave të Di Maos.

Presidenti francez ka kaluar muajin e kaluar duke bërë një turne në Francë për të diskutuar me qytetarët, pas protestave të mëdha që kanë rrezikuar shkallën e pëlqimit për të.

Ndërkohë ministrja franceze për Evropë, Nathalie Loiseau, ka thënë se vendimi për të thirrur ambasadorin nga Roma ka qenë i rrallë, mirëpo i nevojshëm.

“Kemi parë një sjellje të një anëtari të Qeverisë italiane që e kemi konsideruar të pazakonshme, armiqësore, si dhe një varg të deklaratave italiane që e kemi pasur vështirë t’i kuptojmë”, ka thënë ajo për France Info.

Mjaft Itali!

Lidhjet në mes të dy aleateve të ngushta për vite të tëra janë tensionuar dukshëm prej mesit të vitit 2018, kur Di Maio dhe ndihmësi i tij, zëvendëskryeministri, Matteo Salvini nga Partia Liga, kanë kritikuar Macronin dhe Francën, kryesisht për politikat e migrimit.

Macron është përgjigjur në disa raste, duke kritikuar Italinë për refuzimin e saj për të pranuar anijet me migrantë, si dhe ka përmendur financat publike të Romës.

Në javët e fundit shkëmbimet e këtij lloji të deklaratave janë ashpërsuar dhe janë kthyer në çështje personale. Di Maio e ka akuzuar Francën muajin e kaluar për nxitje të varfërisë në Afrikë, duke i thënë se është fuqi neo-koloniale.

Salvini e ka akuzuar Francën për abuzim me pakënaqësitë në Libi, ashtu që të përfitojë kompania e karburanteve, Total, e cila është në konkurrencë me kompaninë italiane ENI, sa i përket zhvillimit të aseteve të energjisë në atë rajon.

Përveç tjerash, ai ka thënë se shpreson që partia e Macronit do të humbë në zgjedhjet evropiane që do të mbahen në muajin maj.

Gjatë një vizite në Egjipit muajin e kaluar, Macron ka tentuar të ulë tensionet, duke i cilësuar komentet e Salvinit dhe Di Maios “të parëndësishme”, si dhe ka shtuar se ai merret vetëm me kryeministrin italian, Giuseppe Conte.

Conte, një politikan i panjohur që është bërë kryeministër vitin e kaluar, pas një kompromisi në mes të Salvinit dhe Di Maios, është parë në disa pamje në Forumin Ekonomik Botëror, që është mbajtur në Davos, muajin e kaluar, duke diskutuar mosmarrëveshjet e fundit me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Koha për të kthyer faqen?

Pavarësisht të gjithave, Salvini ka tentuar të qetësojë situatën të enjten, duke thënë se ai nuk dëshiron të që të ketë mosmarrëveshje me Francën dhe se do të ishte i lumtur nëse do të takohej me Macronin.

Mirëpo si president, Macron në situatë normale do të duhej të takohej me krerët shtetërorë apo ata qeveritarë, dhe jo zëvendësit e tyre.

“Ne jemi të gatshëm që me një shpirt konstruktiv, të kthejmë faqen për të mirën e njerëzve tanë”, ka thënë Salvini.

Por, ai ka thënë se Franca duhet të adresojë tri çështje “thelbësore”.

Sipas tij, policia franceze duhet të ndalojë kthimin e migrantëve në Itali, si dhe të ndalojë kontrollet e gjata kufitare, që kanë bllokuar trafikun.

Ai po ashtu ka përmendur se është shumë e rëndësishme që Parisi të lirojë rreth 15 militantë të majtë italianë, që kanë pranuar refugjatë në Francë në dekadat e fundit.

Ndonëse ky vendim ka qenë i rrallë nga ana e Francës, një gjë e tillë ka ndodhur në mesin e anëtarëve tjerë të Bashkimit Evropian.

Më 2016, Greqia e ka thirrur ambasadorin e saj nga Austria dhe më 2017, Hungaria e ka tërhequr të dërguarin e saj nga Holanda.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG