Ndërlidhjet

Franca mbyll pikat turistike në prag të protestave të së shtunës


Protestat në Francë

Autoritetet franceze kanë shtuar masat e sigurisë në gjithë vendin, pas mundësisë për shpërthim të dhunës në protestat kundër Qeverisë që do të mbahen këtë vikend.

Muzetë, teatrot dhe dyqanet në Paris kanë njoftuar se do të mbyllen të shtunën në kuadër të masave parandaluese, duke përfshirë edhe Kullën e famshme të Eiffelit.

Shoqatat e policëve dhe autoritetet e qytetit janë takuar për të krijuar strategji si të menaxhojnë protestat e së shtunës, të cilat është planifikuar të mbahen pavarësisht pse presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka pezulluar të mërkurën taksën për karburante, e cila ka qenë pikë fillestare e pakënaqësive.

Në anën e kundërt të forcave të sigurisë, grupe të ndara të protestuesve kanë bërë të njëjtën gjë, duke ndarë nëpër rrjete sociale planet për protestat e së shtunës.

Kryeministri, Edouard Philippe u ka thënë senatorëve të enjten se Qeveria do të vendosë forca “shtesë” të sigurisë në Paris.

Duke folur për televizionin TF1, Philippe ka thënë se 89,000 zyrtarë policorë do të angazhohen në gjithë Francën të shtunën, për dallim nga 65,000 sa kanë qenë vikendin e kaluar.

Vetëm në Paris është paralajmëruar se do të pozicionohen 8,000 zyrtarë policorë. Ata do të pajisen me makina të armatosura, duke shënuar herën e parë të një veprimi të tillë në zonën urbane të Francës nga viti 2005.

Disa protestues të “xhaketave të verdha”, zyrtarë të shoqatës franceze dhe politikanë të mirënjohur të spektrit politik kanë bërë thirrje për qetësi, pas protestave më të rënda që janë duke u zhvilluar në Paris për disa vikende me radhë.

Macron është pajtuar për të braktisur taksën për karburante, e cila fillimisht ishte vendosur në kuadër të planeve të tij për luftim të ngrohjes globale, mirëpo kërkesat e protestuesve janë rritur ndërkohë, duke përmendur çështje që prekin punëtorët francezë, të pensionuarit dhe studentët.

Macron ka shmangur paraqitjet televizive në kohët e fundit, mirëpo kryeministri francez ka thënë se taksa për karburante, e planifikuar nga qeveria e mëparshme do të largohet për shkak të “tensioneve ekstreme” me të cilat po përballet Franca.

“Asnjë taksë nuk meriton të vendosë në rrezik paqen civile”, ka thënë Philippe.

Protestat e dhunshme të 1 dhjetorit
Protestat e dhunshme të 1 dhjetorit

Këto protesta kanë shqetësuar turistët, duke rezultuar edhe me anulimin e katër ndeshjeve të futbollit këtë javë, teksa është thënë të jetë dëmtuar edhe ekonomia e shitjes, meqë dyqanet janë mbyllur.

Kjo pasi në vikendin e kaluar disa grupe kanë hedhur gurë dhe gjësende tjera në dyqanet dhe zonat më të pasura të Parisit.

Në ditën e enjte, shumë protestues të moshës së re janë përleshur me policinë para një shkolle në perëndim të Parisit, në kuadër të protestave kombëtare të studentëve lidhur me procedurat e reja të universiteteve dhe rritjen e çmimeve të shërbimeve administrative.

Ngasësit e makinave, në anën tjetër, të veshur me xhaketa të verdha kanë bllokuar rrugët në Francë, duke kërkuar zvogëlime tjera të taksave dhe përfitime tjera sociale.

Një shoqatë e vogël që përfaqëson administatën policore ka bërë thirrje për mbajtjen e një greve të shtunën, gjë që do të komplikonte edhe më shumë masat e sigurisë.

Dy zyrtarë të kësaj shoqate i kanë thënë The Associated Press se ata janë të shqetësuar që protestuesit radikalë të së djathtës dhe të majtës ekstreme mund të ndryshojnë kahjen e protestave të së shtunës.

Ndërkohë, një video që ka qarkulluar nëpër rrjetet sociale, në të cilën shihet disa policë duke goditur protestuesit ka rritur zemërimin e protestuesve.

Një zëdhënëse e policisë ka thënë se është duke u hetuar ky rast dhe se policia është duke analizuar edhe video tjera që janë duke qarkulluar në rrjetet sociale.

Macron, shënjestra kryesore e protestave, është shfaqur tejet pak gjatë gjithë javës nëpër media.

Pas fitores së shënuar vitin e kaluar, 40-vjeçari ka treguar synimet e tij për ta bërë Francën më konkuruese në aspektin global.

Mirëpo, përpjekjet e tij janë interpretuar krejtësisht ndryshe nga mbështetësit, të cilat kanë thënë se e konsiderojnë Macronin si pjesë të elitës që kanë një qasje injorante ndaj taksave të rriura dhe papunësisë së madhe.

Sipas tyre, taksa e rritur në karburante favorizon të pasurit që përdorin transportin publik, duke përmendur banorët e varfër në zonat rurale, të cilët duhet të udhëtojnë për të shkuar në shkollë, punë apo dyqane.

Macron nuk ka treguar nëse do të rikandidojë më 2022 për president të Francës ndonëse partia e tij ka shumicën në Parlament.

Ndërkohë, kryeministri Philippe ka hedhur poshtë të enjten supozimet se mund të japë dorëheqje.

Ai ka theksuar se Dhoma e Ulët e Parlamentit ka votuar të mërkurën në të mirë të masave qeveritare për të pezulluar taksën për gazin që ka shtuar pakënaqësitë në mesin e protestuesve.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG