Ndërlidhjet

Gjermania ndalon të dyshuarin për vrasjen e gazetares bullgare


Disa persona duke përkujtuar gazetaren bullgare, Viktoria Marinova.
Disa persona duke përkujtuar gazetaren bullgare, Viktoria Marinova.

Policia në Gjermani ka ndaluar një burrë lidhur me dhunimin dhe vrasjen e gazetares bullgare, Viktoria Marinova, kanë thënë zyrtarët bullgarë.

Duke folur pas një takimi në mes të Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeministrit, ministri i Punëve të Brendshme, Mlladen Marinov ka thënë më 10 tetor se burri është ndaluar një ditë më parë me kërkesë të autoriteteve bullgare.

“Kemi të dhëna fizike në lidhura me vrasjen”, ka thënë Marinov, duke shtuar se hetuesit kanë gjetur të dhëna të ADN-së në rrobat dhe trupin e Marinovas.

Ministri ka thënë se hulumtuesit kanë folur me familjen dhe miqtë e Marinovas dhe se nuk kanë “gjetur ndonjë lidhje“ me punën e viktimës sa ka punuar si gazetare.

Trupi i saj është gjetur më 6 tetor në një park në qytetin verior të Bullgarisë, Ruse.

Policia ka thënë se 30 vjeçarja është rrahur brutalisht, dhunuar dhe më pas vrarë.

Vigjilje për gazetaren e vrarë bullgare
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:53 0:00

“Deri në këtë kohë, nuk besojmë se vrasja e Marinovas është e lidhur me punën e saj”, ka thënë Kryeprokurori i Shtetit, Sotir Tsatsarov.

Zyrtarët bullgarë kanë identifikuar të dyshuarin si Severin Krasimirov, qytetar bullgar dhe banor i qytetit Ruse, mirëpo nuk kanë dhënë detaje se në cilin vend të Gjermanisë është ndaluar.

Marinov ka thënë se i dyshuari ka pasur raste të hapura më parë të lidhura me vjedhje.

Autoritetet bullgare kanë akuzuar burrin, i cili pritet të transferohet nga Gjermania në Bullgari, ka thënë minstri.

Mediat bullgare kanë raportuar më herët se i dyshuari në mes të 20 apo 30 vjetëve është ndaluar në Gjermani.

Sipas tyre, i dyshuari është larguar nga Bullgaria më 7 tetor në Gjermani, ku jeton nëna e tij.

Vrasja brutale e gazetares dhe liria e kufizuar e shtypit në Bullgari

Kanali televiziv, TVN, ku Marinova ka realizuar emisionin e saj kryesisht të bazuar në raportimet për hetime rreth dyshimeve për korrupsion në nivele qeveritare, ka thënë se i dyshuari i ri nuk e ka njohur gazetaren.

Mirëpo një tjetër transmetues bullgar, bTV, ka raportuar se policia ka gjetur telefonin e gazetares në banesën e të dyshuarit në qytetin verior të Bullgarisë, Ruse.

Përveç këtij arrestimi, një tjetër burrë është ndaluar më 9 tetor lidhur me vrasjen e gazetares, mirëpo ai është liruar për shkak të mungesës së provave.

Marinova, e cila ka shërbyer si pjesëtare e televizionit privat, TVN, ka moderuar një program muajin e kaluar së bashku me dy gazetarë, të cilët kanë hulumtuar mashtrime të dyshuara të biznismenëve dhe politikanëve në Bullgari, të lidhura me fondet e Bashkimit Evropian.

Të dy gazetarët hulumtues janë ndaluar në muajin shtator derisa kanë qenë duke hetuar këtë rast.

Vrasja e Marinovas ka nxitur reagime ndërkombëtare, teksa Qeverisë Bullgare është bërë thirrje për hetim të plotë për vrasjen e saj.

Marinova është gazetarja e tretë që është përballur me vdekje të dhunshme në Bashkimin Evropian në 12 muaj, pasi Jan Kucuak nga Sllovakia ka vdekur në muajin shkurt dhe Daphne Caruana Galizia në Maltë, në tetor të vitit të kaluar.

Si Kuciak ashtu edhe Caruana Galizia janë njoftuar për punën e tyre në hulumtim të korrupsionit.

Bullgaria është anëtarësuar në Bashkimin Evropian më 2007 së bashku me Rumaninë, mirëpo të dyja kanë mbetur nën vëzhgim të BE-së për korrupsion sepse kanë nevojë për reforma shtesë në gjyqësor.

Përgatiti:Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG