Ndërlidhjet

Biden më pranë nominimit për kandidat presidencial


Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden.

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka lënë shumë prapa rivalin e tij, Bernie Sanders, në zgjedhjet paraprake në Florida, Illinois dhe Arizona.

Pas raportimeve nga gati të gjitha zonat e Floridës, Biden udhëheq atje me 62% të votave, kundrejt Sandersit me 23%.

Në Illinois, Biden prin me 59%, ndërsa Sanders ka 36%.

Edhe sipas rezultateve të pjesshme nga Arizona, Biden ka një epërsi dyshifrore ndaj Sandersit.

Fitorja në Florida e ka çmimin më të madh, pasi ajo siguron 219 delegatë nga 1,991 sa i duhen një kandidati për të siguruar nominimin nga Partia Demokratike.

Demokratët do ta nominojnë kandidatin e tyre në konventën e partisë që do të mbahet gjatë verës.

Kandidati demokrat do ta sfidojë pastaj presidentin aktual, Donald Trump, republikan, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Autoritetet amerikane kanë këshilluar kundër tubimeve publike, si masë për frenimin e koronavirusit, andaj në një video-fjalim nga shtëpia e tij në Vilmington, Biden kërkoi përkrahjen edhe të mbështetësve të Sandersit.

“Më lejoni t’ju them, sidomos votuesve të rinj që janë frymëzuar nga senatori Sanders: Unë e dëgjon zërin tuaj, e di se çfarë është në diskutim dhe e di se si duhet t’ia bëjmë”, tha Biden.

Gjatë një debati, Joe Biden dhe Bernie Sanders u përshëndetën me bërryla, duke shmangur shtrëngimin e duarve për shkak të koronavirusit.
Gjatë një debati, Joe Biden dhe Bernie Sanders u përshëndetën me bërryla, duke shmangur shtrëngimin e duarve për shkak të koronavirusit.

Ai u ndal edhe te shpërthimi i koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, duke folur me një ton unifikues:

“Koronavirusi nuk brengoset nëse je demokrat ose republikan. Ne jemi të gjithë bashkë”, tha Biden.

Koronavirusi, i cili është shfaqur për herë të parë në Kinë në muajin dhjetor, ka përfshirë gjithë globin, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, mbi 6,300 njerëz janë infektuar dhe 108 kanë humbur jetën.

Sanders po ashtu bëri një adresim online nga Uashingtoni dhe, përkundër humbjeve, nuk tha se do të tërhiqet nga gara.

Ai foli për krizën e koronavirusit dhe vlerësoi se trajtimi i pandemisë do të kushtojë rreth dy trilionë dollarë.

Koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka prekur edhe mbajtjen e zgjedhjeve.

Shteti i Ohajos është dashur t’i mbajë zgjedhjet paraprake të martën, por i ka shtyrë ato deri në qershor.

Edhe Xhorxhia, Luiziana, Merillend dhe Kentaki e kanë shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve paraprake.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG