Ndërlidhjet

Guaido bën thirrje për greva të përgjithshme në Venezuelë


Lideri opozitar në Venezulë, gjatë një adresimi para protestueve në Karakas.

Lideri opozitar në Venezuelë, Juan Guaido ka bërë thirrje për një seri grevash, në mënyrë që të detyrojë presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro të heqë dorë nga pushteti.

Guaido i ka bërë thirrje sektorit publik që të nisin grevën nga dita e enjte.

Përleshjet e 1 majit në mes të mbështetësve opozitarë dhe forcave të armatosura të Venezuelës kanë lënë të vdekur një grua dhe 46 persona tjerë të plagosur, teksa Guaido ka tentuar të organizojë marshe kundër presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro.

Jurubith Rausseo, 27-vjeçare, ka vdekur në një klinikë pasi është qëlluar nga “një plumb në kokë gjatë protestës” ka thënë organizata, Vëzhguesi i Venezuelës për Konflikte Shoqërore përmes një postimi në Twitter, duke e konsideruar vdekjen e saj si “vrasje”.

*Video: Protesta të dhunshme në Venezuelë

Tensione të reja në Venezuelë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:35 0:00

Organizatat për të drejta të njeriut dhe shërbimet shëndetësore kanë raportuar se 46 persona janë plagosur në përleshjet e së mërkurës.

Tensionet në Venezuelë janë përshkallëzuar prej kur Guaido, që udhëheq Asamblenë Kombëtare është thirrur në Kushtetutë për të shpallur veten ushtrues detyre i presidentit më 23 janar, pasi ka pretenduar se rizgjedhja e Maduros vitin e kaluar nuk ka qenë legjitime.

Trupat e Gardës Kombëtare kanë lëshuar gaz lotsjellës në protestat ku është gjuajtur me gurë, me synim të bllokimit të autostradës afër bazës ajrore në Karakas ku Guaido ka tentuar të nisë kryengritje ushtarake.

Karakas, 30 prill, 2019.
Karakas, 30 prill, 2019.

Dita e dytë e përballjeve në mes të mbështetësve opozitarë dhe shërbimeve të sigurisë së Maduros ka ardhur në kohën kur Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë duke u përgatitur për aksione ushtarake nëse do të ketë nevojë për të zgjidhur krizën që ka përfshirë kombin e Amerikës Jugore.

Guaido ka marshuar me mbështetësit e tij në Karakas në Ditën e Punëtorëve, duke iu bërë thirrje që të qëndrojnë në rrugë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar autoritetet e Venezuelës që të mos përdorin forcën kundër protestuesve, derisa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për ashpërsim të gjendjes.

Përmes një bisede telefonike, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo e ka akuzuar ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov për “destabilizim” të Venezuelës.

Asgjë për të festuar

Lavrov në anën tjetër, ka akuzuar SHBA-në për ndërhyrje që e ka konsideruar “destruktive”, dhe kundër ligjit ndërkombëtar.

“Nuk ka asgjë për punëtorët për të festuar”, u ka thënë Guaido mbështetësve në shtetin e pasur me naftë, që aktualisht është duke u përballur me inflacion të lartë dhe zvogëlim të rezervave të ushqimit.

Kjo situatë ka nxitur miliona persona që të largohen nga vendlindja e tyre.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në rrugë, derisa të sigurojmë lirinë për popullin e Venezuelës. Ky regjim do të tentojë të rrisë presionin. Do të tentojë të më ndëshkojë mua për puç”, ka thënë Guaido, legjitimiteti i të cilit është njohur nga më shumë se 50 shtete.

Maduro në anën tjetër ka thënë para mbështetësve të tij se “pa hezitim” do të burgosë ata që janë përgjegjës për këto thirrje për “puç kriminal”.

Në adresimin e tij të mërkurën, Maduro ka pretenduar në atë që ai e cilësuar si grusht shtet i organizuar nga Shtëpia e Bardhë, përkatësisht Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton.

Mbështetësit e presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro mbajnë në duar portretin e tij, gjatë një tubimi në Karakas më 1 maj.
Mbështetësit e presidentit të kontestuar, Nicolas Maduro mbajnë në duar portretin e tij, gjatë një tubimi në Karakas më 1 maj.

Disa orë pas revoltimit të anëtarëve ushtarakë, Pompeo ka thënë për rrjetin televiziv, CNN se ai beson që Maduro ka qenë gati për të ikur në Kubë para se t’i ndërronte mendjen Rusia.

Ndërkohë, një zyrtar brazilian ka thënë se të paktën 25 trupa ushtarake të Venezuelës kanë kërkuar azil në ambasadën e këtij shteti në Karakas.

Forcat e sigurisë së Venezuelës numërojnë rreth 365,000 pjesëtarë, duke përfshirë policinë dhe ushtrinë, ashtu sikurse 1.6 milion civilë rezervistë.

Karakas, 1 maj, 2019.
Karakas, 1 maj, 2019.

Sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo ka thënë të mërkurën se Uashingtoni dëshiron që të ketë transferim paqësor të pushtetit, mirëpo ka paralajmëruar se presidenti amerikan, Donald Trump është i përgatitur për të marrë masa ushtarake nëse ka nevojë.

“Presidenti ka qenë shumë i qartë. Aksioni ushtarak është i mundshëm. Nëse kjo kërkohet nga SHBA-ja, atëherë ne do ta bëjmë në gjë të tillë”, ka thënë ai për televizionin Fox.

Duke jetuar në ferr

Venezuela është përballur për pjesë vjet me recesion, që ka rezultuar me zvogëlim të rezervave të gjërave elementare.

“Ne po jetojmë në ferr”, ka thënë një banore në perëndim të Karakasit, Evelinda Villalobos, për agjencinë e lajmeve, AFP.

Një tjetër protestuese, Patricia Requena, 40-vjeçare ka thënë se “dje kemi parë që ushtarët kanë njohur presidentin tonë të përkohshëm. Ne duhet të qëndrojmë në rrugë”.

Ajo është zotuar se do të vazhdojë të protestojë derisa ta lejojë Zoti.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG