Ndërlidhjet

Kina bën të ditura stërvitje të reja ushtarake


Helikopterët ushtarakë të Kinës shihen gjatë stërvitjeve ushtarake në Tajvan.
Helikopterët ushtarakë të Kinës shihen gjatë stërvitjeve ushtarake në Tajvan.

Kina ka thënë se do të kryejë stërvitje të reja ushtarake në Detin e Verdhë dhe Detin Bohai, pas stërvitjeve që ka kryer rreth Tajvanit ditëve të fundit.

Stërvitjet rreth Tajvanit kanë qenë përgjigje ndaj vizitës që ka realizuar në këtë ishull udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi.

Ministria kineze e ka konsideruar vizitën e Pelosit në Tajvan si “provokim skandaloz”.

Pelosi është zyrtarja më e lartë amerikane që viziton këtë ishull në 25 vjetët e fundit.

Sekretarja për Media në Shtëpinë e Bardhë, Karine Jean-Pierre, ka thënë se Pelosi ka pasur “çdo të drejtë” për të shkuar në Tajvan dhe se masat e Kinës janë “në thelb të papërgjegjshme”.

Ndonëse SHBA-ja nuk e njeh zyrtarisht Tajvanin, ajo mban lidhje të forta me ishullin, duke përfshirë shitjen e armëve me qëllim të mbrojtjes territoriale.

Tajvani ka akuzuar Kinën se është duke simuluar pushtimin e ishullit, të cilin Pekini e konsideron të vetin.

Një analist i lartë i ushtrisë kineze ka thënë të dielën se Kina tani do të kryejë stërvitje “të rregullta” ushtarake afër Tajvanit.

Kina e konsideron Tajvanin si provincë që dikur do të jetë nën kontroll të Pekinit.

Mirëpo Tajvani është ishull që vetëudhëhiqet dhe e konsideron veten të ndarë nga Kina.

Stërvitjet rreth Tajvanit ishte paraparë të përfundonin në mesditën e së dielës, mirëpo, as Kina, as Tajvani nuk kanë konfirmuar diçka të tillë.

XS
SM
MD
LG