Ndërlidhjet

Kina i reagon SHBA-së pas përkrahjes ndaj protestuesve në Hong Kong


Një qytetar në Hong Kong mban në duar një pano ku shkruan "Faleminderit zoti Trump".
Një qytetar në Hong Kong mban në duar një pano ku shkruan "Faleminderit zoti Trump".

Kina i ka dërguar ftesë të detyrueshme për intervistim ambasadorit amerikan në këtë shtet, Terry Branstad, për të kërkuar që Uashingtoni të ndalojë menjëherë ndërhyrjen në çështjet e brendshme dhe të ndalë shkaktimin e dëmeve tjera në marrëdhëniet bilaterale, ka thënë Ministria e Jashtme kineze përmes një deklarate më 28 nëntor.

Kjo ftesë ka ardhur një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar dy projektligje të miratuara në mënyrë anonime nga Kongresi, përmes së cilave mbështeten protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme është thënë se zëvendësministri kinez për Çështje të Jashtme, Le Yucheng u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të frenohen nga zbatimi i këtij projektligji.

“Kina do të kundërshtojë veprimet e gabuara nga ana e SHBA-së dhe ana e SHBA-së do të jetë plotësisht përgjegjëse për të gjitha pasojat”, është cituar të ketë thënë Le.

Trump në anën tjetër ka thënë në një deklaratë të shkurtër më 27 nëntor se “ai ka nënshkruar “projektligjet pavarësisht respektit për presidentin Xi Jinping të Kinës dhe njerëzit e Hong Kongut”.

“Projektligjet janë miratuar me shpresën që liderët dhe përfaqësuesit e Kinës dhe Hong Kongut do të jenë në gjendje të tejkalojnë dallimet e tyre për të siguruar paqe afatgjatë për të gjithë”, ka thënë Trump.

Në përgjigje të kësaj deklarate, Kina ka paralajmëruar për “kundërmasa të ashpra” të cilat nuk janë specifikuar, duke i konsideruar veprimet e Uashingtonit si ndërhyrje “serioze” në qytetin e udhëhequr nga Kina.

“Natyra e këtij veprimi është jashtëzakonisht ofenduese dhe ka qëllime të këqija”, ka thënë Ministria e Jashtme kineze përmes një deklarate.

Hong Kongut, ish-koloni britanike, i janë garantuar një varg lirish deri më 2047, të cilat nuk i kanë banorët e Kinës.

*Expose: Lufta kundër "vdekjes" së Hong Kongut

Lufta kundër "vdekjes" së Hong Kongut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:31 0:00

Legjislacioni i nënshkruar, kërkon nga Departamenti amerikan i Shtetit që të paktën një herë në vit të tregojë se Hong Kongu gëzon autoritetin e duhur ashtu që të arsyetojë kushtet e tregtisë që ka me SHBA-në.

Ky dokument po ashtu kërcënon me heqje të statusit special për tregti që ka Hong Kongu në SHBA, nëse këto liri shtypen.

Si është situata në Hong Kong?

Për më shumë se gjashtë muaj, protestuesit kundër qeverisë kanë marshuar në rrugët e Hong Kongut, me raste duke dëmtuar bizneset, duke bllokuar transportin publik dhe fluturimet në aeroportin ndërkombëtar.

Protestuesit në Hong Kong kanë thënë se liritë e tyre janë duke u zbehur gradualisht nën rregullin e Pekinit.

Kina mohon ndërhyrjen në rajonin gjysmë-autonom dhe ka fajësuar forcat e huaja për nxitje të pakënaqësive.

Të dielën në Hong Kong janë mbajtur zgjedhjet për këshillat lokalë, të cilat janë konsideruar si matës i opinionit publik.

Në zgjedhje kanë triumfuar lëvizjet pro-demokracisë, duke fituar 17 nga 18 këshillat lokalë.

Të enjten, autoritetet kanë hyrë në Universitetin Politeknik, disa ditë pasi ky vend është shndërruar në zonë përleshjeje në mes të studentëve aktivistë dhe policisë.

Policia ka kërkuar nëse në kampus gjenden gjësende të rrezikshme, si dhe për të mbledhur të dhëna, të cilat mund t’i kenë lënë studentët.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG