Ndërlidhjet

LDK me mocion për rrëzimin e Qeverisë, Kurti për vazhdimin e partneritetit


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret bashkëpunim dhe respektim të marrëveshjes për koalicionin qeverisës në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Komentet e tij, Kurti i bëri të mërkurën pak pasi që Lidhja Demokratike e Kosovës inicioi mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Kurti.

Kurti nuk ka qenë shumë i qartë kur ka komentuar vendimin e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës për të prishur koalicionin me Vetëvendosjen, me arsyetimin se qeveria është duke dëmtuar raportin me partnerin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në konferencë për media
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në konferencë për media

“Ne duhet të presim se çka do të bëjnë e çka do të shkruajnë e çka do të thonë e çka do veprojnë. Tash duhet të fokusohemi si qeveri bashkë me kabinetin qeverisës në luftimin e virusit korona”, deklaroi Kurti në konferencën që mbajti për gazetarë nga objekti i Qeverisë.

Kurti ka arsyetuar vendimin e tij për shkarkimin e Ministrit të Brendshëm Agim Veliu, duke thënë se deklarata që ai kishte bërë se po shtohet numri i të infektuarave me koronavirus nga ora në orë kishte qëllim shtimin e panikut.

Po ashtu kryeministri Kurti tha se Veliu kishte dalë krejtësisht kundër mendimit të qeverisë duke përkrahur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryeministri Kurti tha se kishte njoftuar paraprakisht kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për vendimin dhe se kishte kërkuar një emër të ri për Ministër të Brendshëm, gjë kjo që Mustafa e mohoi në paraqitjen e tij para mediave ku njoftoj inicimin e mocionit të mosbesimit.

“E kam njoftuar më shumë se gjysmë orë me përpara për vendimin që kam marrë dhe kam kërkuar emrin e ri”, tha Kurti.

“As kryetari i LDK-së që mbështeti shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk u konsultua me mua”, deklaroi Kurti.

Duke ju referuar deklaratës së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, se Vetëvendosje në qeveri është duke prishur raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti tha se që nga themelimi i Vetëvendosjes, subjekti i tij politik është etiketuar si anti-amerikanë, porse këto etiketime, Kurti i quajti thirrje të dëshpëruara.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë gjatë një konference për media të mërkurën se Lidhja Demokratike e Kosovës do të iniciojë mocion mosbesimi ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Mustafa ka thënë se veprimi i fundit i kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu është bërë pa koordinim me LDK-në.

Ai ka thënë se shkarkimi ka ndodhur në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje mes VV-së dhe LDK-së.

“Nuk ka ndodhur fare që të konsultohet me mua dhe është një vendim arbitrar krejtësisht pa u konsultuar me mua”, deklaroi Mustafa.

Ky është një tregues se zotri Kurti nuk dëshiron që të bashkëpunojë me ne si partner dhe me partnerët ndërkombëtarë si Shtet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Kryetari i LDK-së, ka folur gjatë për çështjen e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, e cila shkaktoi ndarje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mustafa ka thënë se me 12 mars ka takuar kryeministrin Kurti nga i cili ka kërkuar heqjen e tarifës pa kushte ashtu siç e kërkon SHBA-ja. Mustafa ka thënë se Kurtit ia ka bërë të qartë se tarifa duhet të hiqet pa vonesa për shkak se nuk guxon të rrezikohet raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk kam marrë ndonjë përgjigje pozitive nga zoti Kurti”, tha Mustafa.

Mustafa ka përmendur pezullimin e projekteve të Sfidave të Mileniumit - MCC-së, gjë që sipas tij, ka ndodhur pas refuzimit të qeverisë që dëgjoj këshillën amerikane.

Çka parasheh Kushtetuta me mocion mosbesimi?

  • Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, sipas Kushtetutës, mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
  • Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.
  • Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
  • Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.
  • Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.

Si filloi kriza qeveritare?

Pas mospajtimeve të vazhdueshme në mes Vetëvendosjes dhe LDK-së në lidhje me shfuqizimin e taksës ndaj importeve nga Serbia, që shihej si pengesë për vazhdimin e dialogut Kosovë - Serbi, dhe kërkesave të vazdueshme të SHBA-së, shkarkimi i ministrit Veliu, nga ana e Kurtit, ishte vetëm finale e krizës mes partnerëve qeverisës.

Kjo kriza qeveritare, për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike po vjen në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër koronavirusit të ri. Gjendja është treguar alarmante, andaj edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur gjendje pandemie.

Finalja e kësaj krize nisi me një deklaratë e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, është pasuar me vendimin për shkarkimin e tij, nga ana e kryeministrit, Albin Kurti.

Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili i kërkoi Kurtit ta anulojë vendimin, në të kundërtën, gjithë kjo situatë, sipas tij, mund të çojë në prishjen e koalicionit.

Konform këtij qëndimi të liderit të LDK-së, Kryesia e kësaj partie u mbodh dhe vendosi të iniciojë rrëzimin e qeverisë.

Në një njoftim për media nga Zyra e kryeministrit Kurti thuhet se Veliu, për televizionin Klan Kosova, “u deklarua kundër qëndrimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme” për shkak të situatës me koronavirus dhe se Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.

Sipas Kurtit, “as Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë thënë se numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë”.

Përmes deklaratave të bëra publikisht, “por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme”, Veliu ka “dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kurtit.

“Në këto rrethana, jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, tha Kurti, duke shtuar se deri në zgjedhjen e ministrit të ri, detyrën do ta kryejë zëvendësministri aktual, Xhelal Sveçla.

Krasniqi: Zgjedhjet mund të evitohen nëse ka shumicë të re parlamentare

Analisti politik, Albert Krasniqi thotë se inicimi i mocionit të mosbesimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk nënkupton domosdoshmërisht shkuarjen e vendit në zgjedhje.

“Në aspektin juridik nuk është se mbesim pa qeveri në këtë kohë, pasi qeveria në detyrë mbetet deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Ne akoma se kemi të sigurt se kur do të iniciohet mocioni dhe nëse brenda kësaj kohe do të arrihet të gjendet një qeveri e re, do të thotë pa pasur nevojë që të shkohet në zgjedhje, nëse do të thotë partitë e tjera ose Vetëvendosje ka partnerë të tjerë të koalicionit”, deklaroi Krasniqi për REL.

Krasniqi thotë se LDK-ja ka bërë kalkulime para se të merrte vendimin për dalje nga koalicioni qeverisës me Vetëvendosjen. Sipas tij, LDK-ja e ka shfrytëzuar kohën e pandemisë për të arsyetuar bashkëqeverisjen e ardhshme me ndonjë nga partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Koha në të cilën është shkaktuar kjo krizë institucionale, sipas Krasniqit, shkakton pasiguri te qytetarët pasi vendi është duke u përballur me krizën e shkaktuar nga koronavirusi.

“Këto lojëra politike të dy ditëve të fundit vërtetë na qesin në një situatë shumë të pasigurt se kjo pandemi do të merr trajtimin i cili pritet prej qytetarëve të Kosovës”, tha Krasniqi.

Duke arsyetuar vendimin e LDK-së, kryetari i këtij subjekti politik, Isa Mustafa tha se nuk e shohin të arsyeshme që të rrinë me tej në koalicion qeverisës me një subjekt politik që po rrezikon raportet me SHBA-në si dhe akuzoi kryeministrin Kurti për veprime të njëanshme, duke përmendur shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, Agim Veliu.

*Video: Presidenti Thaçi propozon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Thaçi propozon gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00

Gjatë ditës, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hap të guximshëm dhe të heqë tarifat ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kosova u ka vënë taksë 100% këtyre importeve qysh në fund të vitit 2018.

“Në rastet si këto, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor. Është koha që Kosova dhe fqinjët t’i ndërpresin pengesat për qarkullimin e lirë të mallrave”, thuhet në një deklaratë të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, të postuar në Twitter.

Të martën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, ku aktualisht 19 persona janë të prekur me koronavirus.

Qeveria e Kosovës, përmes zëvendëskryeministrit Haki Abazi, ka thënë se këtë propozim e konsideron si masë ekstreme.

Qeveria Kurti është votuar më 3 shkurt, 2020.

Agim Veliu ka hequr dorë nga posti i kryetarit të Podujevës, për t’u bërë ministër, duke e çuar këtë komunë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Veliu mban postin e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës - parti partnere në koalicionin qeverisës.

XS
SM
MD
LG