Ndërlidhjet

Kryqi i Kuq bën apel për informacione rreth tre punëtorëve të rrëmbyer në Siri 


Ilustrim
Ilustrim

Pesë vite e gjysmë më parë tre punëtorë të Kryqit të Kuq ndërkombëtar u rrëmbyen në Siri.

Organizata nuk e bëri publike asnjëherë këtë informacion, por u angazhua fuqishëm në gjetjen e tyre.

Në deklaratën e parë të detajuar mbi incidentin, thuhet se Louisa Akavi, Alaa Rajab dhe Nabil Bakdounes u rrëmbyen në tetor të vitit 2013, ndërsa udhëtonin në provincën Idlib.

Zonja Akavi, shtetase e Zelandës së Re, është një infermiere 62-vjeçare e cila ka punuar në 17 misione në terren. Alaa Rajab dhe Nabil Bakdounes, të dy shtetas sirianë, punuan si shoferë që dërguan ndihma humanitare në vend.

Zonja Akavi u mbajt nga grupi militant i ashtuquajtur Shtetit Islamik dhe ka prova se ajo ishte gjallë në fund të vitit 2018, thotë Kryqi i Kuq.

Fati i dy të rrëmbyerve të tjerë. z. Rajab dhe z. Bakdounes nuk dihet.

Tash, pesë vjet e gjysmë më vonë, Kryqi i Kuq bën apel dhe fton të gjithë ata që kanë informacione për kolegët e tyre të lajmërojnë menjëherë organizatën.

“Pesë vjet e gjysmë të kaluara kanë qenë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për familjet e tre kolegëve tanë të rrëmbyer. Luisa është një humanitare e ndjeshme. Alaa dhe Nabil kanë qenë kolegë të përkushtuar dhe pjesë e pandashme e dërgesave tona humanitare”, tha Dominik Stillhart drejtor i operacioneve në Kryqin e Kuq.

Ai iu bëri thirrje të gjithëve që kanë informacion ta ndajnë atë.

"Ne po flasim sot për të nderuar publikisht dhe për të pranuar vështirësitë dhe vuajtjet e Louisa, Alaa dhe Nabil. Ne gjithashtu duam që tre kolegët tanë të dinë se ne gjithmonë kemi vazhduar t’i kërkojmë dhe ne ende po përpiqemi fuqishëm për t'i gjetur ata. Ne mezi presim ditën kur mund t'i shohim përsëri. Ne i bëjmë thirrje kujtdo që ka informacion të paraqesw atë. Nëse kolegët tanë ende mbahen peng, kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar ", tha drejtori i Kryqit të Kuq, Dominik Stillhart.

Ka shqetësime në rritje për sigurinë e znj. Akavit pas rënies së territorit të fundit të mbajtur nga grupi militant Shteti Islamik (IS) pranë kufirit të Sirisë me Irakun muajin e kaluar, raporton BBC.

Kryqi i Kuq posedon informacione se ajo ka qenë gjallë në qytetin Raka të Sirisë deri në fund të vitit të kaluar.

Refugjatët që kanë ikur nga territori i fundit i mbajtur nga grupi militant Shteti Islamik kanë thënë se e kanë parë atë duke punuar si infermiere.

Por, askush nuk mund të dijë se çfarë ka përjetuar ajo dhe cila është gjendja e saj mendore.

Edhe Zelanda e Re, shtetase e së cilës është Louisa Akavi, gjatë tërë kohës ka angazhuar njësitet e saja për gjetjen e zonjës Akavi.

Autoritetet e atjeshme thonë se një ekip i forcave speciale po përpiqet të gjejë znj. Akavi.

"Anëtarët e Forcës së Mbrojtjes së Zelandës së Re dhe Forcat e Operacioneve Speciale, kanë vizituar Sirinë kohë pas kohe. Ky ekip jo-luftarak u përqendrua veçanërisht në gjetjen e Louisa dhe identifikimin e mundësive për ta shpëtuar atë ", tha zëvendëskryeministri i Zelandës së Re, Winston Peters.

Kush është Louisa Akavi?

Louisa Akavi është një veterane e zonave të konfliktit që ka punuar në Bosnje, Somali dhe Afganistan.

Ajo i mbijetoi një sulmi në vitin 1996 në kompleksin e Kryqit të Kuq në Çeçeni, në të cilin u vranë gjashtë kolegë të saj.

Në vitin 1999 ajo u nderua me medaljen Florence Nightingale për shërbime humanitare.

Zonja Akavi foli për punën e saj më 2010 në një intervistë për një gazetë të Zelandës së Re.

"Ajo po bëhet paksa e vështirë por megjithatë janë gjëra të vogla. Po punojmë me stafin vendas (në Siri) dhe ata po bëjnë më të mirën që munden," tha ajo.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG