Ndërlidhjet

Arsenali shpreson të fitojë finalen në Baku për Mkhitaryan që s’mund të luajë


Lojtarët e Arsenalit, Granit Xhaka dhe Sokratis Papastathopoulos duan të fitojnë titullin e Europa League (Liga e Evropës) për shokun e ekipit Henrikh Mkhitaryan, i cili mungon në finale për arsye politike.

Arsenal do të ndeshet në finale të Europa League kundër Chelsea në Baku të Azerbajxhanit.

Mkhitaryan është nga Armenia, e cila ka një marrëdhënie të tensionuar me Azerbajxhanin fqinj.

Ekipi i Arsenalit kërkoi nga Azerbajxhani të ofrojë siguri për Mkhitaryan. Ai tha se nuk do të udhëtojë në Baku duke thënë se “ndjehet i lënduar” për shkak se nuk do të marrë pjesë në finale.

Azerbajxhani thotë se i dha të gjitha garancitë e nevojshme dhe e ka akuzuar Armeninë për shfrytëzimin e çështjes së tij për përfitime politike.

"Sigurisht që jemi të zhgënjyer që ai nuk është këtu," tha lojtari i Arsenalit, Granit Xhaka.

"Ai është shumë i rëndësishëm për ne, në fushë dhe jashtë saj ... ne duam të fitojmë një trofe edhe për të”, tha më tej Xhaka.

Ndërkaq, Papastathopulos tha se po luante për Mkhitaryan dhe të tjerët që nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë në finale.

"Ne gjithashtu duhet të luajmë për të dhe për lojtarët që janë lënduar", tha Papastathopoulos.

"Nëse fitojmë këtë lojë atëherë kjo fitore është edhe për ata", tha ai.

Nagorno-Karabakh është një rajon i Azerbajxhanit i cili ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene të mbështetura nga Armenia që nga një luftë që ka përfunduar në vitin 1994. Disa rajone fqinje janë gjithashtu nën kontrollin e këtyre forcave.

Futbollisti Mkhitaryan vizitoi Nagorno-Karabakun në vitin 2012 dhe u dha dhurata familjeve lokale etnike-armene. Azerbajxhani në përgjithësi e konsideron çdo udhëtim në rajon të paligjshëm, përveç nëse autorizohet nga Qeveria në Baku.

Menaxheri i Arsenalit, Unai Emery po kërkon të fitojë titullin e katërt të Europa League si trajner pas fitoreve me Seviljen e Spanjës gjatë viteve 2014, 2015 dhe 2016.

Ai nuk pranoi të tregonte nëse portieri, Petr Cech do të jetë pjesë në atë që do të ishte loja e tij e fundit para daljes në pension. Nëse Cech luan, ai do të përfundojë karrierën e tij.

Cech në përgjithësi ka qenë rezervë në Premier League këtë sezonë, ngase portën e Arsenalit e ka ruajtur portieri, Bernd Leno. Megjithatë, ai ka luajtur 10 ndeshje për Arsenalin në Ligën e Evropës, ndërsa Leno ka luajtur tre.

Ndërkohë, raportohet se tifozët e Arsenalit dhe Chelseat tashmë kanë arritur në Azerbajxhan për finalen e Europa League, përderisa rrugët në Baku janë të qeta.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG