Ndërlidhjet

Mattis akuzon Iranin për ndërhyrje në zgjedhjet irakiane


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, foto nga arkivi
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, foto nga arkivi

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, ka akuzuar Iranin për dëmtim të procesit të zgjedhjeve parlamentare të Irakut, në të cilat kryeministri Haidar al-Abadi është duke kërkuar një tjetër mandat në muajin maj.

“Irani është duke ndjekur shembullin e Rusisë duke ndërhyrë në zgjedhjet e Irakut”, u ka thënë Mattis gazetarëve në Uashington, pasi është kthyer nga udhëtimi i tij në Lindjen e Mesme dhe në Afganistan.

Mattis ka përmendur supozimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje në Shtetet e Bashkuara, Francë, Meksikë dhe shumë vende tjera.

“Ne kemi të dhëna shqetësuese se Irani është duke tentuar të ndikojë në zgjedhjet irakiane duke përdorur të holla. Të njëjtat janë duke u përdorur për të ndikuar te kandidatët apo për të blerë vota”, ka thënë Mattis.

“Ne besojmë se nuk është një vlerë e parëndësishme dhe mendojmë se është shumë dëmshme”.

Ende nuk ka pasur komente nga Irani, i cili në të kaluarën ka kundërshtuar supozimet për ndërhyrje në Irak.

Teherani ka marrëdhënie të ngushta me qeverinë shiite në Irak dhe ka lidhje të vjetra kulturore dhe historike me popullatën shiite të këtij vendi.

Irani po ashtu ka mbështetur grupet paramilitare shiite që kanë luajtur rol në largimin e grupit ekstremist, Shteti Islamik nga bastionet e tyre në veri të Irakut vitin e kaluar.

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi
Kryeministri irakian, Haider al-Abadi

Mattis nuk ka deklaruar nëse beson se Irani është duke kërkuar që ta dëmtojë Abadin, liderin shiit, i cili ka synuar të krijojë bashkëpunim me monoritetin sunit dhe atë kurdë, të kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të parandalojë ndarjen e shtetit në baza etnike dhe fetare.

Mattis ka thënë se udhëtimi i tij në Afganistan dhe Lindje të Mesme ka rikonfirmuar shqetësimet e tij lidhur me aktivitetet e Iranit në këtë rajon.

Ai ka cituar mbështetjen e Iranit për presidentin sirian, Bashar al-Assad në luftën e tij civile shtatëvjeçare me rebelët sunitë, mbështetjen e këtij vendi për rebelët huthi në Jemen dhe ndihmën e supozuar për kryengritësit në perëndim të Afganistanit.

Mattis ka thënë se Irani është duke furnizuar rebelët huthi me armë të avancuara, duke u ndihmuar atyre në luftën civile kundër qeverisë së mbështetur nga Arabia Sadite në Jemen.

Raketë për të cilën SHBA pretendon se është përdorur nga rebelët huthi mirëpo është prodhuar në Iran
Raketë për të cilën SHBA pretendon se është përdorur nga rebelët huthi mirëpo është prodhuar në Iran

Sipas tij ndikimi i Teheranit kërcënon kthimin e luftës në konflikt rajonal më të gjerë.

Rebelët huthi kanë nisur disa herë vitin e kaluar raketa balistike në Arabinë Saudite, për të cilët një panel i Kombeve të Bashkuara ka vërtetuar se janë prodhuar në Iran.

Irani i ka mohuar këto akuza.

Mattis ka thënë se Irani është duke përdorur Jemenin si vend për testimin e armëve të saj.

“Aty gjeni radarët e tyre, raketat balistike. Aty kemi gjetur minat e tyre, anijet e tyre, të gjitha teksa janë duke u testuar”, ka thënë sekretari Mattis.

Megjithatë, sekretari amerikan ka deklaruar për rregullim të marrëdhënieve me Iranin në një fushë.

Ai ka thënë se konfrontimet në mes të anijeve amerikane dhe atyre iraniane në Gjirin Persik kanë rënë dukshëm në muajt e fundit.

Stafi i Mattis ka thënë se anijet detare që dikur kanë kryer vetëm lëvizje rutinore, i kanë kthyer të njëjtat në manovra agresive afër anijeve amerikane nga muaji gusht.

“Ata duket se nuk kanë më sjellje provokuese”, në Gjirin Persik, ka thënë Mattis.

Ai tha se braktisja e përleshjeve detare ka qenë përjashtimi i vetëm në sjelljen agresive të Iranit.

“Ata më kthyen në shtëpi me mendimin se ata nuk janë duke ndryshuar qasjen e tyre, ata vazhdojnë të kenë ndikim destabilizues”, ka thënë Mattis.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG