Ndërlidhjet

Thellohet kriza politike në Moldavi


Parlamenti i Moldavisë. Foto nga arkivi.
Parlamenti i Moldavisë. Foto nga arkivi.

Një gjykatë në Moldavi ka liruar përkohësisht nga detyra presidentin e këtij shteti, Igor Dodon, për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Ky vendim ka thelluar edhe më shumë rivalitetin mes partive politike rreth formimit të Qeverisë së re.

Zëvendësimi i Dodon-it, ish-kryeministri, Pavel Filip ka kërkuar menjëherë organizimin e zgjedhjeve të reja për muajin shtator, derisa mijëra mbështetës të partisë së Filipit kanë marshuar në kryeqytetin moldav, Kishinev.

Kjo krizë ka kërcënuar me rritje të jostabilitetit në një prej kombeve më të varfra të Evropës, ku korrupsioni dhe standardi i ulët i jetesës, kanë shtyrë rreth 3.5 milionë persona të emigrojnë në Rusi, apo vende tjera më të pasura evropiane.

Partia Socialiste e Dodonit, që përkrahet nga Rusia, ka thënë të shtunën se do të formojë një koalicion qeveritar me bllokun ACUM, që njihet si trup pro-evropian, një aleancë, e cila dyshohet se është e dizajnuar për të larguar nga pushteti, partinë e manjatit, Vladimir Plahotniuc.

Partia Demokratike e Moldavisë, e drejtuar nga Plahotniuc, ka thënë se administrata e re ka tentuar të uzurpojë pushtetin me urdhër të Rusisë, duke kritikuar refuzimin e Dodonit për të shpërndarë Parlamentin, pasi partitë nuk kanë arritur të përmbushin afatin e fundit të dhënë nga gjykata për formim të Qeverisë.

Më shumë se 10,000 mbështetës të partisë së Plahotniuc dhe Filipit, kanë mbajtur protesta, duke e konsideruar Dodonin “tradhtar” dhe kanë kërkuar dorëheqjen e tij.

Dodon në anën tjetër ka thënë se gjykata nuk është e pavarur dhe ka akuzuar demokratët për tentim të rrëzimit të tij nga pushteti.

Ai i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përfshihet.

Igor Dodon
Igor Dodon

“Qytetarët moldav, me qëndrime të ndryshme në politikë të brendshme dhe të jashtme, mund të bashkohen për synimin e përbashkët: çlirimin e Republikës së Moldavisë nga regjimi kriminal e diktatorial”, ka thënë Dodon përmes një deklarate.

“Ne nuk kemi zgjidhje përveç se t’i kërkojmë komunitetit ndërkombëtar që të ndërmjetësojë në procesin e transferimit paqësor të pushtetit dhe t’i bëjë thirrje popullit të Moldavisë për një mobilizim të pashembullt dhe protesta paqësore”.

Gjykata ka emëruar Filipin si president të përkohshëm, në mënyrë që ai të nënshkruajë dekretin për zgjedhje. Filip ka thënë se Dodon nuk ka përmbushur detyrat e tij, duke dështuar që të shpërndajë Parlamentin.

Në kohën e rritjes së tensioneve, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për “qetësi dhe përmbajtje”, si dhe i ka kërkuar Moldavisë që të respektojë sundimin e ligjit dhe demokracisë.

Rusia në anën tjetër u ka bërë thirrje palëve që të anashkalojnë destabilizimin e situatës.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, ka thënë se Uashingtoni “u bën thirrje të gjitha partive në Moldavi, që të tregojnë përmbajtje dhe të pajtohen për rrugën që drejton nga dialogu politik”.

“Zgjedhjet e 24 shkurtit kanë qenë zgjedhje parlamentare, që kanë respektuar të drejtën themelore të njerëzve”, ka thënë ajo në deklaratë.

“Kjo do t’i mundësojë popullit moldav, që fjala e tyre të respektohet pa ndërhyrje”.

Politikisht të ndarë

Moldavia është përfshirë në jostabilitet polik dhe korrupsion, sidomos prej skandalit të njohur si “vjedhja e shekullit”, në periudhën 2014-2015, në të cilën 1 miliard dollarë, apo një e teta e qarkullimit ekonomik, është vjedhur nga tri banka.

Republika e vogël ish-sovjetike, gjendet mes Ukrainës dhe anëtarit të Bashkimit Evropian, Rumanisë.

Të ndarë politikisht, disa votues favorizojnë lidhje më të ngushta me BE-në, apo edhe ribashkim me Rumaninë, derisa të tjerë preferojnë lidhje më të ngushta me Rusinë.

Bashkimi Evropian, pati arritur një marrëveshje tregtare dhe politike me Moldavinë më 2014 dhe pati ofruar ndihmë, ndonëse kohën e fundit është bërë kritike e ashpër sa u përket realizimit së reformave nga Kishinevi.

Zgjedhjet e mbajtura në muajin shkurt, patën krijuar krizë në Parlament, meqë partitë kanë negociuar për muaj të tërë.

Të shtunën, zëvendës-shefi i Partisë Demokratike, Andrian Candu, i ka thënë agjencisë së lajmeve, Reuters se ish-kreu i Partisë Socialiste, u ka ofruar demokratëve koalicion, bazuar në kushtet e vendosura nga Moska.

Në marrëveshje është përfshirë një plan për të kthyer Moldavinë në shtet federal, status që do të ofronte njohje të veçantë për rajonin separatist të Transnjestrisë, që dëshiron të bashkohet me Rusinë.

Dodon ka thënë se ideja e krijimit të Federatës së Moldavisë, ka ardhur nga Plahotniuc, në këmbim të pezullimit të hetimeve për disa raste penale kundër tij.

Në një deklaratë ruse po ashtu është thënë se ideja nga qenë e Plahotniuc.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG