Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

OKB po negocion me Sirinë dhe Rusinë për të fituar qasje në Duma


Pamje nga Duma e shkatërruar, foto nga arkivi.

Një ekip i Kombeve të Bashkuara është duke diskutuar çështjet e sigurisë me autoritetet siriane dhe ato ruse në Siri për t’iu lejuar ekspertëve qasje në qytetin Duma, për të hetuar sulmin e dyshuar kimik, kanë njoftuar zyrtarë të OKB-së.

Komentet e 18 prillit kanë ardhur pasi Drejtori i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Ahmet Uzumcu, ka thënë se ekspertët e OKB-së nuk kanë qenë të sigurt kur kanë arritur në qytet, në tentimet e tyre për të fituar qasje te vendi i ngjarjes.

Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar se Departamenti i OKB-së për Siguri ka thënë se shpreson që të arrihen marrëveshje në mënyrë që t’i lejohet ekipit për të “arritur sa më shpejt që është e mundur në vendin e sulmit”.

“Departamenti i Sigurisë në Damask është përfshirë në diskutimet e ardhshme dhe është duke u koordinuar me përfaqësuesit e Republikës Siriane dhe policinë ushtarake ruse për të krijuar siguri në lokacionet specifike në Duma”, ka raportuar AFP bazuar në një dokument që është thënë ta ketë parë.

Shtetet Perëndimore kanë akuzuar Qeverinë Siriane për sulmin e 7 prillit me armë kimike në Duma, afër Damaskut.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se 43 persona që kanë vdekur i janë ekspozuar “toksinave kimike me përqendrim të lartë”.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë sulmuar zonat qeveritare siriane më 14 prill si përgjigje ndaj këtij sulmi.

Fuqitë Perëndimore po ashtu kanë thënë se aleatja e Sirisë, Rusia mund të ketë shtyrë vizitën e hetuesve në Duma për të zhdukur gjurmët.

Damasku dhe Moska insistojnë se incidenti i 7 prillit ka qenë i fabrikuar.

Pamje pas sulmit të dyshuar kimik në Duma të Sirisë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:36 0:00

Uzumcu ka thënë se ekipi i organizatës që ka arritur gjatë vikendit në Damask, nuk do të vizitojë Duman derisa ekspertët e OKB-së të konfirmojnë siguri.

Kur ka arritur ekipi i sigurisë për herë të parë në zonë, një turmë e madhe e njerëzve janë mbledhur dhe ekspertët e OKB-së kanë vendosur të largohen, ka thënë ai.

Sa i përket herës së dytë ai ka thënë se “ekipi është përballur me të shtëna me armë zjarri dhe shpërthim të ekspozivit”.

Sipas tij nuk ka pasur viktima dhe ekipi është kthyer në kryeqytet.

Shefi i organizatës ka thënë se zonat ku kanë ndodhur këto sulme kanë qenë nën kontroll të policisë ushtarake ruse.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis

Në Uashington, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, ka fajësuar qeverinë siriane për krijimin e vonesave, duke thënë se është duke ndodhur “zhdukja e gjurmëve para se të nisë hetimi”.

“Ne jemi në dijeni për vonesën që ka vendosur regjimi për delegacionin dhe po ashtu jemi të vetëdijshem për operacionet e tyre në të kaluarën”, ka thënë Mattis.

Departamenti amerikan i Shtetit përmes një deklarate më 18 prill ka përsëritur se “mban përgjegjëse Rusinë” për sulmin e dyshuar me armë kimike në Siri.

“Ashtu siç e kemi bërë të qartë edhe më herët, Shtetet e Bashkuara pajtohen me qëndrimet e Mbretërisë së Bashkuar se Rusia është përgjegjëse për përdorim të këtyre armëve kimike në tokën britanike, ose përmes përdorimit të qëllimshëm apo mundësisë së dështimit për të siguruar stoqet me agjent nervor”, është thënë në deklaratë.

Aty po ashtu është thënë se “vetëm Qeveria ruse ka motivin dhe mjetet për të kryer një sulm të tillë”.

“Rusia ka zhvilluar këtë lloj të agjentit nervor të kategorisë ushtarake të përdorur në Sallsbëri dhe mban rekord për vrasje të sponsoruara nga shteti.

"Në vend që të ndryshojë sjelljen e dëmshme dhe shkatërruese, Qeveria ruse ofron vetëm mohime dhe kundërshtime për të shmangur vëmendjen nga fajësia e saj", është thënë në deklaratë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG