Ndërlidhjet

Pakistani i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të diskutojë për Kashmirin


Ushtarë paramilitarë të Indisë në Kashmir.

Pakistani bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas vendimit të Indisë për të shfuqizuar autonominë e Kashmirit, që administrohet prej saj.

Islamabadi thotë se kjo masë kërcënon paqen ndërkombëtare dhe mund të çojë në spastrim etnik dhe gjenocid në rajonin me shumicë myslimane.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, do të kalojë 14 Gushtin - Ditën e Pavarësisë së vendit - në Kashmirin e administruar nga Pakistani. Zyra e kryeministrit tha se disa ministra do të shoqërojnë Khan në Muzaffarabad dhe do të zhvillojnë një "konferencë të të gjitha palëve" atje.

Qeveria e udhëhequr nga nacionalistët Hindu në Indi më 5 gusht njoftoi se ka revokuar statusin e veçantë kushtetues të Kashmirit dhe vendosi rajonin me shumicë myslimane nën një bllokim nga forcat e sigurisë duke ndërprerë rrjetin e telefonisë mobile, fikse dhe internetin.

Në një fjalim, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, tha se masa do të lejojë që Nju Delhi të heqë qafe rajonin e "terrorizmit dhe separatizmit".

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit, dënoi "veprimet agresive të fundit" nga qeveria e udhëhequr nga nacionalistët Hindu të Indisë, duke thënë se ata "dëmtojnë me dashje statusin e kontestuar ndërkombëtarisht të Jammu dhe Kashmir".

Qureshi akuzoi gjithashtu Indinë për zbatimin e një "ideologjie raciste" që synon ta kthejë Kashmirin nga një shumicë myslimane në një territor me shumicë hindu.

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Jacek Czaputowicz, i cili mban presidencën e Këshillit të Sigurimit këtë muaj, tha se anëtarët do të shqyrtonin kërkesën e Pakistanit.

Ai tha se “marrëdhëniet e tensionuara midis Indisë dhe Pakistanit ndikojnë negativisht në të gjithë rajonin e Azisë së Jugut".

Rajoni i Kashmirit pretendohet nga India dhe Pakistani dhe ndahet midis tyre. Rebelët kanë luftuar kundër sundimit të Indisë për dekada dhe shumica e banorëve të Kashmirit duan pavarësi ose bashkim me Pakistanin.

Fuqitë bërthamore, India dhe Pakistani, kanë zhvilluar dy luftëra dhe një konflikt të kufizuar mbi Kashmirin që nga viti 1947.

Tensionet në mes të Islamabadit dhe Nju Delhit janë rritur prej 14 shkurtit, kur një sulm vetëvrasës ka lënë të vdekur të paktën 41 trupa indiane në Kashmirin me shumicë myslimane.

Grupi militaint, Jaish-e-Mohammad (JeM) ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Prej asaj kohë incidentet kanë vazhduar në rajon.

Në muajin mars, Ushtria e Pakistanit ka thënë se forcat ajrore kanë rrëzuar dy aeroplanë të flotës ajrore indiane dhe kanë kapur një pilot më 27 shkurt, në zonën e Kashmirit që administrohet nga Pakistani.

Në muajin prill tre ushtarë pakistanezë u vranë nga sulmet e Indisë në rajon.

Ushtria e Pakistanit tha se disa pjesëtarë të tjerë të saj u plagosën.

Në maj Grupi militant ekstremist, Shteti Islamik (IS) pretendoi se ka krijuar një “provincë” në Indi, pas përleshjeve ndërmjet militantëve dhe forcave të sigurisë, në Kashmir.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG