Ndërlidhjet

Pakistani rrëzon dy aeroplanë indianë në Kashmir


Ushtarët indianë dhe qytetarët qëndrojnë pranë avionëve të rrëzuar. 27 shkurt, 2019

Pakistani ka thënë se ka rrëzuar dy aeroplanë të Indisë në rajonin e kontestuar të Kashmirit dhe ka zënë dy pilotë në tokë.

Ushtria pakistaneze ka thënë se forcat ajrore të shtetit kanë rrëzuar dy aeroplanë më 27 shkurt, pasi ata kanë kaluar Linjën e Kontrollit, që shërben si kufi de fakto në Kashmir.

Zëdhënësi, Asif Ghafoor ka thënë se një nga aeroplanët është rrëzuar në Kashmirin e administruar nga Pakistani, derisa tjetri është rrëzuar në rajonin e Himalajeve, që kontrollohet nga India.

Ghafoor po ashtu ka thënë se një nga pilotët e kapur indianë është plagosur dhe është duke u trajtuar në spital ushtarak. Sipas tij, tjetri pilot aktualisht është në mbajtje.

Zëdhënësi i Forcës Ajrore të Indisë, ka thënë se nuk ka informacione për pretendimet e Pakistanit, mirëpo raportimet në media nga India kanë thënë se aeroplani indian është rrëzuar në Kashmirin e kontrolluar nga India.

Një zyrtar policor i paidentifikuar ka thënë se dy pilotët dhe një civil janë vrarë gjatë rrëzimit, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Pakistani më herët ka thënë se ka nisur sulme ajrore afër Linjës së Kontrollit, derisa autoritetet indiane kanë thënë se aeroplanët pakistanezë janë kthyer mbrapa.

Këto zhvillime kanë ardhur një ditë pasi aeroplanët luftarakë indianë kanë kryer një sulm ajror në verilindje të Pakistanit, në atë që Nju Delhi e ka konsideruar si kamp ushtarak të trajnimeve.

Tensionet në mes të Islamabadit dhe Nju Delhit janë rritur prej 14 shkurtit, kur një sulm vetëvrasës ka lënë të vdekur të paktën 41 trupa indiane në Kashmirin me shumicë myslimane.

Në këtë zonë kanë pretendime të dyja shtetet, si India, ashtu edhe Pakistani.

Zyra e Jashtme pakistaneze ka nisur një deklaratë, duke thënë se forcat ajrore “kanë nisur sulme” rreth zonës së Linjës së Kontrollit, të cilat nuk kanë pasur “shënjestra joushtarake”.

“Ne nuk kemi qëllime të përshkallëzimit”, është thënë në deklaratë, duke mos u përmendur rrëzimi i aeroplanëve.

Më herët gjatë ditës, ministri i Jashtëm indian, Sushma Swaraj ka kërkuar që të ulen tensionet, duke thënë se shteti i tij “nuk dëshiron përshkallëzim më të madh të situatës”.

“India do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe përmbajtje”, ka thënë Swaraj gjatë një vizite në Kinë.

Ghafoor ka thënë në një konferencë për media në Rawalpindi se Pakistani “nuk dëshiron gjendje më të rëndë” dhe ka bërë thirrje për negociata me Nju Delhin.

“Ne nuk duam të shkojmë drejt luftës”, ka thënë ai.

Në raportimet e mediave është thënë se India ka njoftuar për kufizime në hapësirën e saj ajrore, derisa Pakistani është raportuar se do të ndalojë fluturimet nga të paktën pesë aeroporte, duke përfshirë, Islamabadin dhe Lahoren.

Po ashtu më 27 shkurt, policia e Pakistanit ka thënë se trupat indiane kanë nisur sulme me mortaja afër Linjës së Kontrollit, duke lënë të vdekur gjashtë civilë.

India ka thënë se sulmet ajrore më 26 shkurt “kanë vrarë një numër të madh” të militantëve. Pakistani ka mohuar të ketë pasur viktima, mirëpo ka paralajmëruar se do të përgjigjet ndaj atij që e ka cilësuar si “agresion”.

Grupi militaint, Jaish-e-Mohammad (JeM) ka marrë përgjegjësinë për sulmin në forcat indiane të sigurisë.

India ka thënë se fqinji i saj ka pasur “dorë të drejtpërdrejtë” në sulm dhe ka akuzuar atë për ofrim të strehimit të militantëve.

Islamabadi në anën tjetër ka mohuar përfshirjen.

Avionët e rrëzuar indianë
Avionët e rrëzuar indianë

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pomepo, u ka bërë thirrje Indisë dhe Pakistanit, që të anashkalojnë aktivitetin e ardhshëm ushtarak.

Ai ka thënë përmes një deklarate të publikuar më 26 shkurt, se ka biseduar me homologët nga India dhe Pakistani.

“Unë kam thënë dy ministrave se inkurajojnë Indinë dhe Pakistanin që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të anashkalojnë ndonjë përshkallëzim. Unë po ashtu kam inkurajuar të dy ministrat që të kenë prioritet komunikimin e drejtpërdrejtë dhe të anashkalojnë aktivitetin e ardhshëm ushtarak”, është shprehur ai.

Bashkimi Evropian dhe Kina, një aleate e Pakistanit, po ashtu u kanë bërë thirrje dy shteteve që të ulin tensionet.

India, fuqi bërthamore dhe Pakistani në anën tjetër kanë luftuar për Kashmirin prej kur kanë fituar pavarësinë e tyre nga Britania më 1947.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG