Ndërlidhjet

Parlamenti britanik kundërshton sërish marrëveshjen për Brexit


Ilustrim.
Ilustrim.

Ligjvënësit britanikë kanë kundërshtuar për herë të tretë marrëveshjen e kryeministres britanike, Theresa May, për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Në votimin e së premtes, është përfshirë çmimi i Brexit-it, të drejtat e garantuara për qytetarët britanikë dhe ata të Bashkimit Evropian, detajet e periudhës 21-mujore të tranzicionit dhe diskutimet për kufirin irlandez.

Kjo pjesë e marrëveshjes nuk ka përfshirë marrëdhënien që do ta ketë Britania me BE-në, pasi të përfundojë procesi i Brexit-it.

Ndërkohë, vetëm në Londër pritet të organizohen 13 protesta, meqë 29 marsi është dita kur fillimisht ishte caktuar largimi i Britanisë nga BE-ja.

Shefi negociator i BE-së për procesin e Brexit-it, Michel Barnier, ka thënë para votimit se procesi i së premtës është shumë i rëndësishëm.

Prokurori i Përgjithshëm, Geoffrey Cox u ka thënë ligjvënësve britanikë se marrëveshja duhet të miratohet para orës 23:00 të së premtes, nëse Britania dëshiron të fitojë “të drejtën ligjore” për shtyrje të Brexit-it, mirëpo megjithatë deputët britanikë e kanë kundërshtuar marrëveshjen.

Ai ka thënë se Këshilli Evropian është pajtuar javën e kaluar që largimi i Britanisë nga blloku evropian të shtyhet deri më 22 maj, nëse marrëveshja e kryeministres britanike, Theresa May, miratohet deri në fund të kësaj jave.

Kryeministrja Theresa May, 29 mars 2019.
Kryeministrja Theresa May, 29 mars 2019.

Këta janë sektorët që pritet të preken më së shumti nga një Brexit pa marrëveshje:

-Plani biznesor

Rreth 80 për qind e kompanive britanike kanë thënë se janë gati për një largim nga BE-ja pa marrëveshje, pasi sipas tyre, ndikimi i mundshëm në tarifa, çështje kufitare, dhe njohje të certifikave, është “jashtë kontrollit të tyre”.

Marrëveshjet tregtare

Pas largimit, Britania do të kthehet në palë të tretë për marrëveshje tregtare me BE-në bazuar në rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ky vend po ashtu rrezikon të humbë qasjen në tregjet e mëdha që përfshijnë marrëveshjet e BE-së, ndonëse disa prej tyre mund t’i ruajë siç është rasti me Zvicrën apo Izraelin.

Vonesat kufitare

Bashkimi Evropian ka thënë se menjëherë do të fillojë kontrollet doganore, inspektimet e produkteve të ushqimit, bazuar në standardet e BE-së, çka do të mund të ndikonte në vonesa kufitare.

Megjithatë, Qeveria britanike ka thënë se nuk pret të përballet me zvogëlim të sasisë së produkteve ushqimore.

Të drejat e qytetarëve të BE-së

Vlerësohet se 3.5 milionë qytetarë evropianë jetojnë aktualisht në Britani dhe rreth 1 milion britanikë në vendet e BE-së.

Britania dhe disa vende tjera kanë thënë se do të mbrojnë të drejtat e qytetarëve tyre, ndonëse statusi për banim afatgjatë do të qartësohet në marrëveshjen e kryeministres May.

Qytetarëve britanikë, udhëtimi drejt vendeve të BE-së pritet t’iu kufizohet në 90 ditë, dhe më pas ata menjëherë pritet të jenë subjekt i kontrolleve më të ashpra të dokumentacionit.

Ilaçet

Qeveria britanike u ka kërkuar kompanive farmaceutike të krijojnë rezerva të ilaçeve që vijnë nga BE-ja për të paktën gjashtë javë.

Ministrat kanë thënë se transporti i ilaçeve do të jetë prioritet për Britaninë.

Aeroplanët dhe trenat

Bashkimi Evropian është pajtuar për të lejuar fluturime nga dhe prej Britanisë së Madhe në 27 vendet e bllokut evropian, pa kushte shtesë deri në mars të vitit 2020, nëse edhe Londra do të jetë reciproke në këtë drejtim.

Sa u përket trenave të shpejtë, që funksionojnë në relacionin Britani-Francë, ata do të jenë në funksion edhe për 3 muaj të tjerë, përkatësisht derisa Britania të adoptojë standardet hekurudhore të BE-së.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG