Ndërlidhjet

Pompeo: Do të doja një mundësi për të shkuar në Teheran


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se do të ishte i gatshëm të shkojë në Teheran për t'ju drejtuar popullit iranian dhe t'i shpjegojë se si veprimet e liderëve të tyre e kanë "dëmtuar" vendin.

"Sigurisht, nëse do të ftohesha, me kënaqësi do të shkoja", i tha Pompeo televizionit Bloomberg më 25 korrik, në një intervistë të gjerë që trajtoi gjithashtu krizën e Koresë së Veriut dhe blerjen nga ana e Turqisë, të një sistemi raketor nga Rusia.

"Do të doja një mundësi për të shkuar [në Teheran], nuk do të bëja propagandë, por do të flisja të vërtetën me popullin iranian rreth asaj se çfarë është lidershipi i tij dhe si e ka dëmtuar Iranin", tha ai.

Pompeo tha se ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif, shpesh është në gjendje të komunikojë me popullin amerikan gjatë udhëtimeve në Nju Jork.

Sidoqoftë, Pompeo duket se është tallur me mungesën e ndikimit të Zarifit në çështjet e politikës së Iranit, duke thënë se ajo i është lënë udhëheqësit suprem, Ayatollah Ali Khamenei dhe Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

"Ministri i Jashtëm Zarif nuk është më përgjegjës për atë që po ndodh në Iran aq sa mund të jetë njeriu përgjegjës në Hënë", tha Pompeo.

"Në fund të ditës, udhëheqja bëhet nga Ayatollahu", tha Pompeo.

Ndërkohë, një zyrtar amerikan i paidentifikuar i ka thënë Fox News se Irani ka testuar një raketë balistike Shahab-3, dhe nëse kjo konfirmohet, ka të ngjarë të shtojë tensionet tashmë të larta midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Zyrtari tha se dyshohet se testi ishte pjesë e përpjekjeve të Iranit për të përmirësuar gamën dhe saktësinë e raketave të tyre.

Në raport thuhej se shtoi se nuk ishte menjëherë e qartë nëse testi ishte në kundërshtim me sanksionet kundër Iranit. Në të kaluarën, Uashingtoni dhe aleatët kanë pohuar se lansimet e Shahab-3, shkelin sanksionet, ndërsa aleati i Iranit, Rusia, ka thënë se kjo nuk është e vërtetë.

Tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit janë ngritur që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u tërhoq nga një marrëveshje e rëndësishme ndërkombëtare nën të cilën Irani e reduktoi programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Shtetet e Bashkuara thanë se marrëveshja e vitit 2015, ka qenë e negociuar keq dhe ajo i mundëson Iranit të posedojë armë bërthamore për disa vite.

Që kur presidenti amerikan, Donald Trump, rivendosi sanksionet kundër Iranit, ekonomia e vendit është dobësuar, ndërkaq ka rënë edhe vlera e monedhës zyrtare.

Incidentet në, dhe rreth ngushticës së Hormuzit jashtë Iranit - një nga rrugët ujore kryesore të botës - i kanë intensifikuar tensionet edhe më tej, duke rritur shqetësimet e disa analistëve për një konflikt të armatosur të mundshëm.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG