Ndërlidhjet

Presidenti Trump deklaron “krizë humanitare” në kufirin me Meksikën


Trump flet për "krizë humanitare" në kufi me Meksikën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i kërkoi Kongresit në një fjalim televiziv të martën 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.

Trump tha në fjalimin e tij të parë nga Zyra Ovale se kishte rritje të krizës humanitare në kufirin me Meksikën.

Megjithatë, Trump nuk e shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare ashtu siç pritej para fjalimit.

Por, pas disa ditësh ai mund të përdorë fuqitë presidenciale për të shpallur emergjencën si një hap të parë drejt sigurimit të parave për murin pa miratimin e Kongresit. Presidenti Trump tha se do të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje për ngërçin me Kongresin, transmeton Reuters.

Demokratët në Kongres po kundërshtojnë votimin e buxhetit që parasheh edhe mjetet për ndërtimin e murit me Meksikën.

Presidenti Trump me një gjuhë të hapur tha se emigrantët ilegalë dhe drogat që qarkullonin në gjithë kufirin jugor përbënin kërcënim serioz për sigurinë amerikane.

“Edhe sa gjak amerikan duhet të derdhet përpara se Kongresi të bëjë punën e vet” tha Trump duke rrëfyer detaje të tmerrshme të vrasjeve që ai thoshte se ishin kryer nga emigrantët e paligjshëm.

Fjalimi i Presidentit u mbajt 18 ditë pas mbylljes së pjesshme të Qeverisë e shkaktuar nga kërkesa e tij për ndërtimin e murit dhe kundërshtimi i demokratëve në Kongres për ta votuar atë.

Presioni publik ndaj mbylljes së Qeverisë, po rritet dhe kjo mund të dëmtojë Trumpin. Ai muajin e kaluar deklaroi se do të jetë krenar për të mbyllur Qeverinë në këmbim të luftës për ndërtimin e murit.

Menjëherë pas fjalimit të Trumpit i cili u transmetua drejtëpërdrejtë, udhëheqësit demokrat po ashtu mbajtën një fjalim ku akuzuan presidentin se po përdor taktika të frikës dhe po përhap keqinformim rreth situatës përgjatë kufirit.

“Presidenti ka zgjedhur frikën. Ne duam të fillojë me faktet” tha Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

"Fakti është se Presidenti Trump ka zgjedhur të mbajë peng shërbimet kritike për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e popullit amerikan dhe të ndalojë pagat e 800,000 punëtorëve të pafajshëm në mbarë vendin, shumë prej tyre veteranë", tha ajo.

Pelosi më parë e kishte quajtur ndërtimin e murit të pamoralshëm dhe pikërisht me këtë deklaratë u mor edhe presidenti Trump gjatë fjalimit të tij.

"E vetmja gjë që është e pamoralshme është kur politikanët nuk bëjnë asgjë dhe vazhdojnë të lejojnë që shumë njerëz të pafajshëm të jenë tmërrësisht të viktimizuar", tha ai.

* Video nga arkivi - Exposé: Të strehuar, por pa prindër

Ndërkaq udhëheqësi i demokratëve të Senatit, Chuck Schumer i cili u paraqit së bashku me Nancy Pelosin, i bëri thirrje presidentit të mundësojë rihapjen e Qeverisë përderisa debati për politikat e emigracionin vazhdon.

“Simboli i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë Statuja e Lirisë dhe jo një mur i gjatë. Pra, sugjerimi ynë është i thjeshtë. Zoti President: Rihapeni Qeverinë dhe mund të punojmë për të zgjidhur dallimet tona lidhur me sigurinë e kufirit. Por, përfundojeni këtë mbyllje tani. " tha Schumer.

Demokratët gjithashtu e arsyetojnë qëndrimin e tyre me faktin se mjetet e teknologjisë së lartë do të ishin më të lira dhe me efektive në sigurimin e kufirit.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG