Ndërlidhjet

Pritet publikimi i raportit të redaktuar të Muellerit


Kreu i Departamentit të Drejtësisë në SHBA, William Barr
Kreu i Departamentit të Drejtësisë në SHBA, William Barr

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka njoftuar se më 18 prill, Prokurori i Përgjithshëm, William Barr, do të bëj publik një version të redaktuar të raportit të këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Barr dhe Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein, i cili dy vjet më parë e caktoi Mueller-in si këshilltar të posaçëm, do të mbajnë një konferencë për media për të diskutuar të gjeturat e raportit.

Presidenti Donald Trump, i cili ka kritikuar në mënyrë të përsëritur hetimin e Mueller si një "gjueti shtrigash", tha në një intervistë më 17 prill se ai mund të mbajë një konferencë për media pasi prokurori Barr të bëj publik raportin.

Këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, gjatë periudhës dy vjeçare ka hetuar nëse fushata e presidentit Trump ishte kordinuar ose ka bërë komplot me Rusinë për të fituar zgjedhjet dhe nëse Trumpi apo bashkëpunëtorët e tij tentuan të pengojnë drejtësinë duke u përpjekur të pengonin hetimin.

Raporti 400 faqesh i Muellerit përfundoi më 22 mars dhe prokurori i përgjithshëm, Willam Barr, dy ditë më vonë, i dërgoi Kongresit një përmbledhje të gjetjeve. Në këtë përmbledhje ai tha se hetimi "nuk vërtetoi se anëtarët e fushatës së Trump-it komplotuan ose u bashkërenduan me qeverinë ruse në zgjedhjet e vitit 2016”.

Prokurori gjithashtu tha në raport se provat e zbuluara gjatë hetimit nuk ishin “të mjaftueshme” për të vërtetuar se Trumpi kishte penguar drejtësinë, edhe pse këshilltari Mueller nuk e ka shfajësuar Trumpin.

Ligjvënësit demokratë kanë ushtruar presion për publikimin e raportit në tërësi nga ana e prokurorit Barr.

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se “Barr e ka larguar kredibilitetin e tij dhe pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë me përpjekjen e tij vetanake për të mbrojtur Trumpin”.

Udhëheqësi i demokratëve të Senatit, Chuck Schumer tha se, "procesi është helmuar para se raporti të bëhet publik".

Demokratët kanë shprehur shqetësime se kreu i Departamentit të Drejtësisë, William Barr, i cili ishte emëruar nga Trumpi, po përpiqet të mbulojë gjetjet negative për presidentit.

Megjithatë, prokurori Barr ka thënë se raporti i plotë, me disa redaktime, do të bëhet publik.

Përmbledhja e shkurtër e raportit të cilën ai ia dorëzoi Kongresit nuk kishte detaje se çfarë të gjeturash kishte pasur këshilltari i posaçëm, Mueller për një numër të bashkëpunëtorëve të Trumpit të cilët kishin pasur kontakte të lidhura me Rusinë gjatë fushatës së vitit 2016 dhe periudhën e tranzicionit paszgjedhor.

Ai gjithashtu nuk shpjegoi pse disa prej bashkëpunëtorëve të Trumpit kanë gënjyer hetuesit federalë ose Kongresin gjatë hetimit.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

XS
SM
MD
LG