Ndërlidhjet

Raportohet se është arrestuar organizatorja e vigjiljes për viktimat në Sheshin Tiananmen


Disa studentë universitarë pastrojnë në Hong Kong, Shtyllën e Turpit, një statujë e artistit danez Jens Galschiot për të përkujtuar viktimat e dhunës në Sheshin Tiananmen. Foto nga arkivi.

Policia në Hong Kong ka ndaluar Chow Hang Tung, lidere të demokracisë, e cila ndihmon në organizimin e ceremonisë vjetore të ndezjes së qirinjve, për të përkujtuar viktimat e shtypjes në Sheshin Tiananmen.

Këtë vit shënohet 32-vjetori i akteve vdekjeprurëse të Qeverisë kineze ndaj protuestueve pro-demokracisë.

Chow Hang Tung, zëvëndës-shefe e Aleancës së Hong Kongut në mbështetje të lëvizjeve demokratike në Kinë, është arrestuar nga policia në mëngjesin e 4 qershorit, kanë thënë mediat në Hong Kong.

Policia nuk ka komentuar ende arrestimin, mirëpo burimet e policisë i kanë thënë agjencisë së lajmeve AFP se ajo është ndaluar në dyshimet për publikim të një organizimi të paligjshëm.

Kjo Aleancë organizon vigjiljen vjetore për viktimat e protestave në Sheshin Tiananmen të Pekinit më 1989.

Këtë vit organizimi është anuluar nga autoritetet e qytetit për të dytin vit dhe një muze që u dedikohet viktimave, është mbyllur përkohësisht këtë javë.

Chow, 37-vjeçare, është një nga aktivistet më të mirënjohura për demokraci, që nuk është në burg.

Sipas raportimeve të mediave, ajo është ndaluar nga katër zyrtarë policorë, jashtë zyrës së saj.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë përmes një deklarate se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Kinës, teksa kërkon që Qeveria të respektojë të drejtat univerale të njeriut”.

Blinken ka shtuar se SHBA-ja nderon sakrificat e personave të vrarë 32 vjet më parë “dhe aktivistët trima që vazhdojnë përpjekjet e tyre sot, ndërkohë që përballen me presion të vazhdueshëm qeveritar”.

Protestat në Sheshin Tiananmen janë mbajtur në qendër të Pekinit, për të kërkuar ndryshim demokratik dhe dhënie fund të korrupsionit.

Pas shtatë javësh, regjimi komunist ka dërguar tanke dhe ushtarë, të cilët i kanë ndjekur dhe vrarë protestuesit në lagjet që çojnë te Sheshi Tiananmen më 3-4 qershor.

Si pasojë e shtypjes së regjimit besohet të kenë vdekur qindra apo mijëra protestues.

Përkujtimet publike për këtë ngjarje janë të ndaluara në Kinë.

XS
SM
MD
LG