Ndërlidhjet

HRW: Sanksionet e SHBA-së minojnë të drejtën e iranianëve për shëndet


Teheran, fotografi nga arkivi.
Teheran, fotografi nga arkivi.

Sanksionet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump ndaj Iranit kanë kufizuar në mënyrë drastike aftësinë e këtij shteti për të financuar importin e ilaçeve, çka ka ndikuar në kërcënimin e të drejtave të banorëve të Iranit për qasje në kujdes shëndetësor, ka thënë organizata ndërkombëtare, Human Right Watch në një raport të publikuar më 29 tetor.

Raporti 47-faqësh, i titulluar “Presion maksimal: Sanksionet amerikane minojnë të drejtën e iranianëve për shëndet”, dokumenton se si kufizimet e krijuara në transaksionet financiare kanë kulmuar me retorikë agresive nga zyrtarë amerikanë.

Në raport është thënë se Qeveria amerikane ka krijuar disa përjashtime nëndihmat humanitare në kuadër të regjimit të sanksioneve, mirëpo sipas tij, po ashtu është gjetur se në praktikë një gjë e tillë nuk është zbatuar, pasi kompanitë e Shteteve të Bashkuara dhe ato evropiane, bashkë me bankat kanë hezituar të bashkëpunojnë me autoritetet iraniane.

Si rezultat, iranianët nuk kanë fituar qasje në ilaçe dhe kujdes shëndetësor.

Në periudhën nëntor 2018 - tetor 2019, organizata Human Rights Watch ka intervistuar 21 persona, duke përfshirë profesionistë mjekësorë iranianë, ish-punëtorë të kompanive importuese të ilaçeve si dhe avokatë dhe punëtorë të organizatave joqeveritare që kanë pasur informacion për sfidat rreth operacioneve humanitare në Iran.

Përveç kësaj, kjo organizatë ka intervistuar edhe ekspertë të Qeverisë amerikane, që kanë njohuri për çështjet e lidhura me Iranin.

Në përfundime të këtij raporti është thënë se sanksionet ekonomike të SHBA-së, janë duke shkaktuar vuajtje të panevojshme për qytetarët iranianë që preken nga një varg sëmundjesh.

Në mesin e iranianëve më të prekur janë ata që duhet të trajtohen me programe të specializuara, siç janë pacientët me leukemi, epilepsi apo plagë kronike në sy, si pasojë e ekspozimit në armë kimike gjatë luftës mes Iranit dhe Irakut.

Pse Irani përballet me sanksionet e SHBA-së?

Presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Sipas marrëveshjes, Iranit i kërkohej frenim i aktivitetit bërthamor, në këmbim të lirimit nga sanksionet.

Mirëpo, Trump pati vlerësuar se marrëveshja është negociuar keq, andaj ka rikthyer sanksionet ndaj këtij shteti, duke i shënjestruar sektorin bankar dhe atë të naftës.

Expose: Drejt diplomacisë apo luftës?

Drejt diplomacisë apo luftës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:09:06 0:00

Departamenti amerikan i Thesarit pati parashikuar se sanksionet do të rezultojnë me “izolim financiar dhe ngecje ekonomike”.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se strategjia e presionit maksimal me sanksione, synon të shkaktojë dhimbje për popullin iranian, në mënyrë që ata të kërkojnë ndryshim të qasjes së qeverisë.

Në raport është rikujtuar një deklaratë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në CBS News më 14 shkurt të këtij viti.

Mes tjerash, ai ka thënë se: Situata është shumë më e keqe për popullin iranian (me sanksionet amerikane) dhe ne jemi të bindur se do ta drejtojmë popullin iranian në atë drejtim, që ata do të zgjohen dhe do të kërkojnë ndryshim të qasjes së regjimit.

Përgjatë vitit të kaluar, Departamenti amerikan i Thesarit ka shtuar një varg institucionesh, përfshirë Qeverinë iraniane dhe bankat private në listë të zezë.

Kjo nënkupton se kompanitë amerikane bashkë me ato që nuk janë të SHBA-së, në rast se kryejnë transaksione me këto subjekte, do të gjykohen në territorin amerikan.

Si pasojë e kësaj rregulloreje, Human Rights Watch ka gjetur se kompani evropiane kanë refuzuar të shesin material shëndetësor për Iranin.

Dy banka apo ashtu kanë refuzuar kryerjen e transaksioneve të lidhura me Iranin.

Çfarë thotë ligji ndërkombëtar për sanksione?

Sipas ligjit ndërkombëtar, një shtet apo koalicion shtetesh që aplikojnë sanksione ekonomike, duhet të konsiderojnë ndikimin e këtyre masave në të drejtat e personave të prekur, sidomos në qasje në ushqim dhe ilaçe.

Organizata Human Rights Watch ka theksuar që kundërshton ndikimin negativ në mënyrë disproporcionale të sanksioneve në popullsi sepse krijohet vuajtje e panevojshme, sidomos për pjesën e cenueshme të popullsisë.

Aty po ashtu është thënë se Qeveria amerikane duhet të punojë për krijimin e kanaleve financiare ashtu që të sigurojë se iranianët kanë qasje në pajisje dhe kujdes shëndetësor.

Mirëpo në raport janë përmendur edhe të obligimet që ka Irani.

Aty është thënë se Qeveria iraniane duhet të sigurojë se qytetarët dhe banorët e këtij shteti duhet të gëzojnë të drejtën për shëndet pa diskriminim dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të kufizuar ndikimin negativ të sanksioneve në grupet e cenueshme.

Sipas HRW-së, aty përfshihet edhe obligimi i Qeverisë iraniane për parandalim të korrupsionit dhe keqpërdorimit të burimeve.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG