Ndërlidhjet

SHBA-ja nis procedurat e largimit nga Marrëveshja për Klimën


Protestë për ndryshimet klimatike. Fotografi nga arkivi.
Protestë për ndryshimet klimatike. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara kanë nisur procesin e tërheqjes nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke njoftuar Kombet e Bashkuara rreth synimeve të tyre për largim, pavarësisht pse shtete tjera kanë shprehur zhgënjim për këtë vendim të SHBA-së.

Ky njoftim fillon një proces njëvjeçar të largimit nga Marrëveshja për ndryshime klimatike, i cili përfundon një ditë pas zgjedhjeve që do të mbahen në SHBA më 2020.

Kjo marrëveshje është arritur më 2015 mes 188 kombeve me qëllim të luftimit të ndryshimeve klimatike.

Franca dhe Japonia kanë dënuar në rrafsh ndërkombëtar këtë vendim të SHBA-së.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Shtetet e Bashkuara dhe 187 shteteve tjera janë pajtuar për të mbajtur rritjen e temperaturës globale nën 2 gradë Celsius, si dhe të tentojnë të ulin atë në 1.5 gradë Celsius.

Vendimi për t’u larguar, i marrë nga presidenti amerikan, Donald Trump, ka kthyer Shtetet e Bashkuara në vendin e vetëm në botë që nuk iu bashkohet përpjekjeve të Bashkimit Evropian për zbatim të marrëveshjes.

Megjithatë, qindra qeveri lokale, biznese dhe organizata në SHBA, i janë bashkuar lëvizjes, “Ne Ende Jemi Aty”, duke u zotuar se do të ndalin emetimet dhe do të punojnë drejt energjisë së ripërtërishme.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Klimën, Michael Bloomberg ka thënë përmes një deklarate, se ai ka punuar për të mbushur hapësirën e lënë nga tërheqja e administratës Trump, të cilën e ka përshkruar si “abdikim të udhëheqësisë”.

Pse po ndodh tani kjo gjë?

Shtetet e Bashkuara kanë nisur njoftimin e tyre zyrtar për largim në ditën e parë që kanë pasur mundësi.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.


Presidenti Trump pati kthyer vendimin për tërheqje nga marrëveshja e vitit 2015 në një prej zotimeve kryesore të fushatës, mirëpo rregullat e OKB-së kanë përcaktuar se një gjë e tillë nuk është e mundshme para 4 nëntorit të vitit 2019.

Vendimi për tërheqje vazhdon të jetë subjekt i fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Nëse dikush tjetër fiton pozitën e presidentit mund ta ndryshojë vendimin, mirëpo shkencëtarët dhe ambientalistët veçse janë të shqetësuar për ndikimin që ka pasur administrata e Trumpit në mbrojtje të klimës.

Në një raport të publikuar në dhjetor të vitit 2018 nga Instituti për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane, është thënë se vendimi i presidentit Trump për t’u larguar ka bërë “dëm të vërtetë” në Marrëveshjen për Klimën duke krijuar “mbulesë morale dhe politike” për vendet tjera që dëshirojnë të veprojnë njëjtë.

Në këtë raport janë cituar Rusia dhe Turqia si shembuj që kanë dështuar të ratifikojnë marrëveshjen, pavarësisht pse e kanë nënshkruar.

Çfarë reagime ka pasur?

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga kjo marrëveshje, një prej vendeve me emetimin me të madh të gazrave serrë, ka nxitur reagime ndërkombëtare nga liderë dhe ambientalistë.

Një zyrtar i presidencës franceze ka thënë se “ne e konsiderojmë këtë fatkeqësi, e cila e bën partneritetin francezo-kinez për klimën edhe më të nevojshëm”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping pritet të takohen në Pekin të mërkurën, ku pritet të nënshkruajnë një marrëveshje përmes së cilës shpallin “pakthyeshmërinë e Marrëveshjes së Parisit”, ka shtuar mes tjerash ky zyrtar.

Ndërkohë zëdhënësi i Qeverisë japoneze, Yoshihide Suga, ka konsideruar se tërheqja e SHBA-së është “zhgënjyese”.

“Ne do të dëshironim të luftonim ndryshimet klimatike në mënyrë aktive, duke kërkuar një mënyrë për të punuar me SHBA-në”, u ka thënë ai gazetarëve.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e ka cilësuar vendimin e Trumpit, “shkatërrues që shet të ardhmen e fëmijëve tanë”.

Megjithatë ky vendim është mirëpritur nga kongresisti republikan, Gary Palmer, i cili ka thënë: Është koha e duhur për SHBA-në që të largohet nga kjo marrëveshje tejet rregullative e cila në fakt nuk adreson ndryshimet klimatike”.

Pse SHBA-ja dëshiron të largohet?

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë të hënën se marrëveshja “u ka vënë varrë të padrejtë ekonomike” Shteteve të Bashkuara.

Ai ka thënë për kanalin Fox News se Amerika “është duke vuajtur” pasi ky shtet është përballur me humbje të vendeve të punës për shkak të marrëveshjes.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të përkrahin një “model realist dhe pragmatik”, duke përdorur të gjitha burimet e energjisë dhe teknologjisë së pastër”, ka thënë ai në një deklaratë.

Protestë në SHBA pas vendimit të presidentit Trump për t’u tërhequr nga Marrëveshja për Klimën. Nju Jork, 1 qershor, 2017.
Protestë në SHBA pas vendimit të presidentit Trump për t’u tërhequr nga Marrëveshja për Klimën. Nju Jork, 1 qershor, 2017.

Presidenti Trump është zotuar për ta kthyer SHBA-në në superfuqi të energjisë dhe ka tentuar të anashkalojë një varg projekligjesh për ndotje, në mënyrë që të zvogëlojë shpenzimet për prodhim të gazit, naftës dhe thëngjillit.

Ai ka thënë se planet e ish-presidentit amerikan, Barack Obama për ambient kanë qenë luftë në energjinë amerikane.

Shtetet e Bashkuara kontribuojnë në rreth 15 për qind të emetimit global të karbonit, mirëpo po ashtu janë edhe burim i madh i financimit dhe teknologjisë për shtetet në zhvillim, në përpjekjet e tyre për të luftuar rritjen e temperaturave.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG