Ndërlidhjet

SHBA mund të përballet sërish me mbyllje të Qeverisë


Senatori republikan, Richard Shelby, ka thënë se bisedimet rreth sigurisë kufitare kanë dështuar të realizohen pasi ligjvënësit demokratikë dhe republikanë janë përplasur rreth politikës për ndalimin e migrantëve, teksa kanë tentuar të anashkalojnë mbylljen e Qeverisë amerikane, transmeton Reuters.

“Bisedimet janë bllokuar tani për tani”, ka thënë senatori, Richard Shelby për “Fox News Sunday.”

Ai ka thënë se konflikti është lidhur me kërkesën e demokratëve për të kufizuar numrin e shtretërve në zonat e ndalimit për personat që kalojnë kufirin ilegalisht.

Video nga arkivi

Përpjekjet për të zgjedhur këtë mosmarrëveshje lidhur me fondet për siguri kufitare kanë vazhduar gjatë vikendit, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje ditën e hënë.

Senatori demokratik, Jon Tester ka hedhur poshtë ndasitë në bisedime.

“Janë negociata. Negociatat rrallë shkojnë sipas planit”, ka thënë ai për Fox.

Tester, një nga 17 negociatorët, ka thënë se shpreson në arritjen e ndonjë pakti.

Mirëpo Shelby në anën tjetër ka thënë se mundësitë për të arritur një marrëveshje të hënën janë 50-50.

Ligjvënësit kanë shpresuar të arrijnë një marrëveshje ditën e hënë për t’i lënë hapësirë miratimit të legjislacionit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.

Presidenti amerikan, Donald Trump është pajtuar më 25 janar që t’i japë fund mbylljes 35 ditore të Qeverisë amerikane, ndonëse nuk ka siguruar 5.7 miliardë dollarë që ka kërkuar nga Kongresi për ndërtimn e murit me Meksikën.

Ai ka nënshkruar një marrëveshje për financim trejavor të agjencive amerikane, si dhe për t’iu dhënë mundësi ligjvënësve që të zgjidhin pakënaqësitë rreth çështjes së sigurisë kufitare.

Prej kur ka garuar për president në zgjedhjet e vitit 2016, Trump është zotuar për t’i dhënë fund migrimit ilegal, duke ndërtuar një mur, që do të përbënte ndalesë për ata.

Mur i “domosdoshëm”

Demokratët kanë propozuar zvogëlimin e numrit të shtretërve në qendrat e ndalimit në 35,520 nga 40,520 sa janë tani, në këmbim të financimit të pjesshëm të republikanëve për ndalesën fizike që ata janë duke shtyrë përpara, ka thënë një burim i afërt me negociatat.

Sipas demokratëve në atë shifër do të përfshiheshin edhe 16,500 shtretër në zonat e ndalimit të institucioneve të brendshme për imigrantët pa dokumente, derisa pjesa tjetër do të ndahej për qendrat kufitare të ndalimit.

Në këtë mënyrë sipas tyre, agjentët kufitarë do të fokusoheshin në arrestimin dhe ndalimin e kriminelëve seriozë dhe jo imigrantëve, ka thënë një ndihmës demokrat.

Sipas po atij burimi, republikanët janë tërhequr nga oferta e demokratëve.

Ndërkohë presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të dielën se propozimi i demokratëve do të mbronte kriminelët.

“Ata janë duke ofruar shumë pak para për murin e domosdoshëm dhe tani, dëshirojnë që kriminelët e dënuar të mbahen në qendra të ndalimit”, ka thënë Trump përmes një postimi në Twitter.

“Pretendimet se ky propozim do t’i lejonte kriminelët që të lirohen janë të rreme”, ka thënë një ndihmës demokrat.

Senatori republikan, Lindsey Graham, i cili është i afërt me Trumpin ka paralajmëruar kundër kufizimit të numrit të shtretërve.

“Donald Trump nuk do të nënshkruajë asnjë legjislacion që kufizon hapësirat e shtretërve. Ju mund ta bëni një gjë të tillë të bankë”, ka thënë ai për një program në Fox News.

Përveç tjerash, disa burime kanë thënë se ligjvënësit që janë duke punuar në marrëveshjen për kufirin nuk kanë përcaktuar shumën e saktë të parave që nevojiten për ndalesat fizike në kufrin jugor të SHBA-së.

Teksa një numër në rritje i republikanëve të Kongresit e kanë bërë të qartë se nuk përkrahin një tjetër mbyllje të Qeverisë, drejtori për buxhet në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney ka thënë se nuk e përjashton një gjë të tillë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG