Ndërlidhjet

Blinkeni falënderon Vuçiqin për "angazhimin konstruktiv" me ekipin SHBA-BE


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Fotografi nga arkivi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Fotografi nga arkivi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka falënderuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin e Shteteve të Bashkara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të cilët ishin javën e kaluar në Beograd dhe Prishtinë.

“.. dhe për sinqeritetin tij ndaj propozimit evropian për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, ka shkruar ai në rrjetin social Twitter.

Blinken dhe Vuçiq kanë zhvilluar më 1 shkurt një bisedë telefonike. Presidenti serb tha se me të cilin kanë diskutuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një njoftimi të Presidencës serbe, Vuçiq bisedoi me Blinkenin për situatën në Kosovë, rrugën evropiane të Serbisë dhe raportet dypalëshe midis Serbisë dhe SHBA-së.

“Zyrtarët shkëmbyen mendime lidhur me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, teksa presidenti Vuçiq veçanërisht theksoi se paqja dhe stabiliteti në të gjithë rajonin dhe e ardhmja e sigurt ekonomike janë synime kyçe për të gjithë ata që jetojnë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Biseda midis Vuçiqit dhe Blinkenit vjen një ditë para se Parlamenti serb, përmes një seance të posaçme, të diskutojë për Kosovën.

Në këtë seancë pritet që deputetëve serbë t’iu prezantohet një raport për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, në këtë raport nuk pritet të përfshihet plani evropian apo i njohur edhe si plani franko-gjerman.

Ky plan, që ka mbështetjen edhe të SHBA-së, synon të ndihmojë palët që të ecin drejt normalizimit të plotë të raporteve.

Vuçiq ka deklaruar se nuk ka një afat kohor që të pranohet ky plan, duke theksuar se nuk mendon“se dikush në Serbi do të jetë i lumtur me këtë plan”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët ka deklaruar se plani evropian është një bazë e mirë për të shkuar drejt një marrëveshjeje finale.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime, me ndërmjetësimin e BE-së, proces që mbështetet edhe nga Uashingtoni.

Ky proces synon normalizimin e plotë, përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Megjithatë, Kosova dhe Serbia kanë dallime për përfundimin e dialogut. Kosova kërkon që një marrëveshje eventuale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi – pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

XS
SM
MD
LG