Ndërlidhjet

Shtatë vjet burgim për gazetarët e Reutersit në Mianmar


Gazetarët e Reuters Kyaw Soe Oo dhe Wa Lone, teksa dalin nga gjykata. 3 shtator, 2018.
Gazetarët e Reuters Kyaw Soe Oo dhe Wa Lone, teksa dalin nga gjykata. 3 shtator, 2018.

Një gjyqtar në Mianmar ka shpallur fajtorë dy gazetarë të agjencisë së lajmeve Reuters për shkelje të Ligjit për sekrete shtetërore, duke i dënuar të njëjtit me shtatë vjet burgim.

Përveç tjerash, ky rast është konsideruar test për demokracinë në shtetin e Azisë Juglindore.

Gjyqtari i gjykatës në Yangon, Ye Lwin ka thënë se Wa Lone, 32-vjeçar dhe Kyaw Soe Oo, 28-vjeçar kanë shkelur Aktin për Sekrete Zyrtare, kur kanë fituar qasje në dokumente konfidenciale.

“Të pandehurit kanë thyer Aktin për Sekrete Zyrtare, nenin 3.1c dhe janë dënuar me shtatë vjet burgim”, kanë thënë gjyqtarët, duke shtuar se në këtë dënim do të përfshihet edhe koha prej kur ata janë burgosur nga 12 dhjetori.

Të dënuarit mund të apelojnë vendimin në Gjykatën rajonale dhe më pas në atë Supreme.

Të dy gazetarët janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë thënë se janë mashtruar nga policia teksa kanë qenë duke hulumtuar për dhunën kundër myslimanëve Rohingya në shtetin Rakhine.

Mbrojtës të lirisë së shtypit, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtete tjera, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Australinë kanë bërë thirrje për lirim të gazetarëve.

“Sot është një ditë e pikëlluar për Mianmarin, gazetarët e Reutersit, Wa Lone dhe Kyaw Seo Oo dhe lirinë shtypit gjithandej”, ka thënë kryeredaktori i Reutersit, Stephen Adler.

“Ne nuk do të presim derisa Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo përballen me këtë padrejtësi, andaj do të vlerësojmë si të veprojmë në ditët në vijim, duke përfshirë mundësinë e kërkimit të lirimit në forumin ndërkombëtar”.

Të dy gazetarët i kanë thënë gjykatës se dy zyrtarë policorë u kanë dhënë dokumentet në një restorant në qytetin Yangon, vetëm pak çaste para se të arrestoheshin.

Një dëshmitar ka thënë se takimi në këtë vend ka qenë kurth për gazetarët, ashtu që t’i ndëshkojë për raportimin e tyre rreth vrasjeve masive të myslimanëve Rohingya në Shtetin Rakhine.

Një grup i myslimanëve Rohingya në Cox Bazar të Bangladeshit, shikojnë teksa shtëpitë e tyre digjen në anën tjetër të kufirit, në Mianmar. 9 shtator, 2017.
Një grup i myslimanëve Rohingya në Cox Bazar të Bangladeshit, shikojnë teksa shtëpitë e tyre digjen në anën tjetër të kufirit, në Mianmar. 9 shtator, 2017.

Të paktën 50 persona kanë qenë pjesë e seancës së të hënës, teksa gjyqtari, Ye Lwin ka lexuar dëshmitë e dëshmitarëve për gati një orë para se të njoftonte për vendimin.

Ai ka thënë se janë gjetur “dokumente konfiendeciale”, të cilat mund të jenë përdorur “nga armiq të shtetit dhe organizata terroriste”.

Pas shpalljes së vendimit Wa Lone ka prekur duart e mbështetësve të tij, duke iu thënë të mos shqetësohen.

“Ne e dimë çfarë kemi bërë. Ne e dimë se nuk kemi bërë asgjë të keqe. Nuk frikësohem. Unë besoj në drejtësi, demokraci dhe liri”, është shprehur ai.

Kyaw Soe Oo ka thënë se gazetarët nuk kanë kryer asnjë krim dhe se do të vazhdojnë luftën e tyre për liri të shtypit.

“Dua t’i them Qeverisë se, ju mund të na burgosni, mirëpo mos i mbyllni sytë dhe veshët e njerëzve”, ka deklaruar ai.

Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo, që të dy me vajza të vogla, nuk kanë parë familjarët e tyre përveç vizitave në burg dhe seancave dëgjimore për gati nëntë muaj.

Zëdhënësi i Qeverisë së Mianmarit, Zaw Htay nuk ka pranuar të përgjigjet pas shpalljes së vendimit.

Ai po ashtu nuk ka komentuar as gjatë procesit gjyqësor, duke thënë se gjykatat janë të pavarura dhe rasti duhet të ndiqet sipas ligjit.

Ky vendim ka ardhur në kohën e presionit në rritje ndaj Qeverisë së laureates së Çmimit Nobel, Aung San Suu Kyi, për sulmet e forcave të sigurisë kundër myslimanëve Rohingya në gusht të vitit 2017.

Më shumë se 700,000 banorë të Shtetit Rakhine janë larguar drejt Bangladeshit, kanë njoftuar agjenci të OKB-së.

“Zhgënjim ndërkombëtar”

Ambasadori amerikan, Scot Marciel, i cili ka qenë pjesë e seancës, ka thënë se është pikëlluar për dy gazetarët dhe Mianmarin.

“Është shumë shqetësuese, dikush duhet të pyesë nëse ky proces do të rrisë apo ulë besimin e njerëzve të Mianmarit në sistemin e tyre të drejtësisë”, ka thënë Marciel.

Koordinatori humanitar i OKB-së në Mianmar, Knut Ostby, ka thënë të jetë zhgënjyer.

“Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje të vazhdueshme për lirim të gazetarëve të Reutersit dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve të respektojnë të drejtën e tyre për liri të shprehjes dhe informimit”.

Ambasadori britanik, Dan Chugg, duke folur në emër të anëtarëve të Bashkimit Evropian e ka cilësuar vendimin si “goditje me çekan në sundimin e ligjit”.

Gazetarët janë arrestuar më 12 dhjetor, derisa ishin duke hulumtuar vrasjet e 10 burrave dhe djemve Rohingya, si dhe abuzime tjera duke përfshirë ushtarë dhe policë në një fshat në shtetin Rakhine.

Vlerësohet se më shumë se 700,000 banorë të Shtetit Rakhine janë larguar drejt Bangladeshit.
Vlerësohet se më shumë se 700,000 banorë të Shtetit Rakhine janë larguar drejt Bangladeshit.

Mianmari ka hedhur poshtë akuzat për mizori, të bëra nga refugjatët kundër forcave të sigurisë, duke thënë se kanë kryer një operacion të ligjshëm kundër militantëve myslimanë.

Mirëpo pavarësisht kësaj, ushtria ka pranuar vrasjen e 10 myslimanëve Rohingya pasi kanë arrestuar gazetarët.

Në një raport të OKB-së javën e kaluar është thënë se ushtria e Mianmarit ka kryer vrasje masive dhe dhunime me “qëllim të kryerjes së gjenocidit” dhe ka bërë thirrje që gjeneralët e lartë të dënohen.

Mianamari ka hedhur poshtë këto të gjetura.

Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare Penale është duke shqyrtuar atë se a ka mandat për të gjykuar ngjarjet që kanë ndodhur në Rakhine, derisa Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kanadaja kanë sanksionuar ushtrinë dhe zyrtarët policorë të Mianmarit, pas raportimeve për dhunë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG